` . Edi Rama: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së vazhdon pa asnjë ekuivok - TV-SHENJA

Edi Rama: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së vazhdon pa asnjë ekuivok

“Mosmarrja e një vendimi të merituar për Shqipërinë për çeljen e negociatave është rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes evropiane, por rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok për të bërë detyrat e shtëpisë që janë të qarta”.

Kështu deklaroi sot kryeministri shqiptar Edi Rama, në një prononcim për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.

Natyrisht, tha ai, “kemi rënë të gjithë dakord për faktin se kjo nuk ndryshon asnjë gjë në trajektoren strategjike të vendit, të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë”.

Ndërkohë, Rama tha se “në ditët në vijim ka një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”.

“Nga ana tjetër, pa diskutim që në aspektin praktik ne jemi të qartë që duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, sepse edhe nëse do të kishim marrë një ‘Po’ të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë “Po”. Pra, ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë të miratojë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si pjesë e ligjit zgjedhor. Po ashtu të presim, se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, që janë të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë dhe BE-në”, tha Rama.