` . Edhe një dekadë e humbur për nacionalizmin shqiptar - TV-SHENJA

Edhe një dekadë e humbur për nacionalizmin shqiptar

Shembja sociale, ekonomike dhe politike e pesë viteve të fundit i ka fytyrat e saj të murosura në indikatorët trishtues. Rreth 400 mijë shqiptarë e braktisën vendin për t’i zbuluar atij edhe një nishan më shumë: atë të shtetit me më shumë azilkërkues në Europë. Në muaj të caktuar, këtë pozitë e rrëmbente Siria në luftë civile, por ngulmimi i Shqipërisë në këtë garë është mbresëlënës

Shkruan: Vehap KOLA, Tiranë

Ajo që po ndodh në Shqipëri gjatë muajve të fundit është thjesht jehona e një shembjeje sociale, ekonomike dhe politike që e ka karakterizuar fundekrye vendin gjatë pesë viteve të fundit. Një përshkrim i tillë duket sot edhe më pak i motivuar politikisht, e po aq edhe konsensual në mesin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve sesa tingëllonte në fillim të qeverisjes së Edi Ramës. Arsyet për këtë pranim mund të jenë të shumta, por më të nevojshmet për t’u mbajtur në sy janë ndoshta dy: e para, opozita në Shqipëri ka dështuar me sukses të plotë dhe me qëllimshmërinë më flagrante çdo burim energjie antiqeveritare dhe, tashmë, jo çdo tezë opozitare është në favor të saj. E dyta, një pjesë e madhe e mbështetësve entuziastë të aleancës së qelbësirave, siç e pagëzoi njëri prej promovuesve më të parë të saj, janë nxjerrë përdhunshëm nga vargani luksoz i pushtetit dhe janë radhitur në mesin e kujëdhënësve antiqeveritarë, duke shprehur simpati për propozimet më radikale për ndryshime të dhunshme.

Shembja sociale, ekonomike dhe politike e pesë viteve të fundit i ka fytyrat e saj të murosura në indikatorët trishtues. Rreth 400 mijë shqiptarë e braktisën vendin për t’i zbuluar atij edhe një nishan më shumë: atë të shtetit me më shumë azilkërkues në Europë. Në muaj të caktuar, këtë pozitë e rrëmbente Siria në luftë civile, por ngulmimi i Shqipërisë në këtë garë është mbresëlënës. Ekonomia është përqendruar në një shkallë galopante në duart e oligarkisë së lidhur me pushtetin dhe, edhe ato pak para që zbusnin disi atë hendek të shpërndarjes së të ardhurave në formën e rrogave dhe shpenzimeve qeveritare, u kanë kaluar plutokratëve si kontrata konçensionare. Qeverisja është privatizuar tërësisht dhe korruptueshëm, duke u vetëshndërruar në një zyrë noteriale për transferimin e pronësisë mbi burimet nga popullsia tek organizata të caktuara biznesi dhe krimi. Politikisht vendi kishte një fasadë demokratike, por të gjithë mekanizmat e kontrollit ndaj qeverisë u asgjësuan herë me të ashtuquajturat reforma, me Reformën në Drejtësi si prototip, herë me korrupsion, me blerjen e medias me koncensione për pronarët, dhe herë me metoda kriminale, si asgjësimi e kërcënimi i kundërshtarëve në qindra atentatet me bombë, pengmarrjet, gjobvëniet dhe vënia e territorit nën kontrollin e rrjetit të karteleve të drogës. Pjesë e kësaj fasade ishte edhe vetë opozita, e cila në një akord naiv apo djallëzor, bëri çdo përpjekje të qëllimshme për të mos i fituar zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe ato parlamentare të vitit 2017.

Ndërsa gjithë kjo shembje ndodhte ngadalë, por jo pa zhurmë, nacionalistët shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë dështuan të mbanin një qëndrim të dallueshëm prej ndërkombëtarëve që janë të kënaqur me stabilitokracinë. Në thelb, përpjekja për stabilitokraci është dëshmia më vulgare e një botëkuptimi perëndimor që e sheh Ballkanin si trup të huaj në Europë ndaj, më shumë se sa përmirësimin dhe integrimin e tij, synon ngrirjen dhe mbajtjen larg të tij. Praktikisht kjo ka ndodhur edhe në mbarim të Luftës së Dytë Botërore kur Ballkani iu huazua sovjetikëve. Vetëm metoda e largësimit të vendeve tona është bërë më e sofistikuar. Por, ndërsa kjo qasje e BE-së është e kuptueshme nga një këndvështrim pragmatist, entuziazmi i nacionalistëve ndaj ligjërimit nacionalist të qeverisë shqiptare – njëkohësisht injorimi prej tyre i problemeve të brendshme të Shqipërisë – ka qenë një shfaqje brutale e paurtësisë së tij. Të biesh razi me një gjuhë politike të fortë në kurriz të një vendi të shëndoshë dhe të aftë për të ushtruar presione të mirëmenduara në favor të çështjeve që shqetësojnë shqiptarët në Ballkan, është hapur vogëlsi e mendjes. Se si mundej një Shqipëri e rrënuar të mbështeste Kosovën përballë Serbisë, shqiptarët e Maqedonisë në luftën e tyre për status të barabartë në shtetin e brishtë, shqiptarët e Kosovës Lindore në përpjekjet e tyre për sa më shumë frymëmarrje administrative e politike, kjo nuk ka qenë asnjëherë e kuptueshme. Deklaratat me kumbim nacionalist të Ramës në Beograd, Mynih apo Prizren, spektaklet e tij me mbledhje të përbashkëta qeverie me Kosovën, propozimet e tij romantike për një president të përbashkët me Kosovën ose edhe kërcënimet e tij ndaj Europës se shqiptarët mund ta shihnin bashkimin mes vete si alternativë ndaj një integrimi pothuajse të pamundur, fatkeqësisht gjetën jehonë mes qarqeve nacionaliste brenda dhe jashtë Shqipërisë londineze dhe i dhanë krahë një fryme simpatie ndaj tij, sidomos në troje.

Ndonëse tashmë është e qartë, sidomos me mbështetjen e tij të hapur të planit Vuçiq-Thaçi për ndarjen e Kosovës, se ai nuk ishte aspak më shumë se një delfin i anti-nacionalizmit, ky vetëdijesim nuk ka asgjë për të dhënë. Shqipëria është shkërrmoqur. Pa asnjë luftë civile, vendi është braktisur nga çereku më vital i popullsisë, ndërsa të mbeturit punojnë si skllevër në feudet e oligarkëve. Vendi ka mbetur pa institucione. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë shkrirë. Prokuroria është marrë peng prej dy vjetësh nga një emërim anti-kushtetues, favorizuar edhe nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Parlamenti është marrë peng nga një rrjet kontratash ndërmjet politikës dhe botës së krimit, ndërsa opozita e ka braktisur edhe de jure atë. Gjykatat janë paralizuar nga procesi njëpartiak i vettingut, ndërsa zërat kritikë dhe gazetarët investigativë marrin sinjale kërcënuese nëse guxojnë të zbulojnë informacione komprometuese për lidhjet shtet-krim i organizuar. Një nacionalizëm i mençur do të duhej të kishte si pikë të parë të platformës së tij një Shqipëri të zhvilluar, të shëndoshë dhe demokratike. Asnjë interes tjetër kombëtar nuk mund t’i mbivendoset kësaj premise. Me një Shqipëri të zhvilluar, të shëndoshë dhe demokratike interesat e shqiptarëve në Ballkan mund të mbrohen qindra herë më mirë se me një fjalim ose një spektakël nga një Shqipëri e shkretuar.

Nacionalizmi ndër shqiptarë u provua edhe një herë i pambështetur mbi dijen, mbi urtësinë dhe veprimin e integruar. Ai mbeti edhe për këtë dekadë një flamur partiak, një slogan populist dhe një strehë e fundit për maskarenjtë. Nacionalizmi është i vlefshëm vetëm në kostumin e tij ontologjik. Çdo shkurtim ose ngushtim i tij për nevoja të stinës ose moshës politike lokale e shndërron atë në një dordolec që në vend që të trembë sorrat, tremb fëmijët e të zot. Nëse ka mbetur diçka për të bërë në ndihmë të çështjes kombëtare, ajo është ndihma që Shqipëria të kthehet edhe një herë në trajektorën e zhvillimit, shëndoshjes socio-kulturore dhe demokratizimit. Më së paku, shqiptarët në Shqipëri nuk kanë nevojë që bashkëkombësit e tyre jashtë kufijve, në Ballkan ose në diasporë të bëhen krah me qeveritë tiranike dhe politikanët autokratë. Aleanca e vetme e grupeve nacionaliste duhet të jetë me Shqipërinë për hir të Shqipërisë së drejtë së brendshmi. Përndryshe, çdo aleancë tjetër më e vogël do t’u kthehet në bumerang mbi kokat e brengave të tyre lokale.