` . EDEP(SIZ) JA-HU APO MENDËSIA “ANADOLLAKE” NË KANALET TELEVIZIVE TURKE – TV SHENJA

EDEP(SIZ) JA-HU APO MENDËSIA “ANADOLLAKE” NË KANALET TELEVIZIVE TURKE

Shkruan: Ismail BARDHI

Nuk më kujtohet saktësisht se kur, por ka viteqë pata lexuar se në Slloveninë e ish-Jugosllavisë ishte themeluar një sektor brenda shërbimit sekret të federatës që do të merrej vetëm me studimin e çështjes së nofkave dhe sajimin e tyrepër qëllime të caktuara, por në rend të parë për shkaktimin e një lufte psikologjike mu në kohën e “bashkim-vëllazërimit”. Kjo në fakt përputhej dhe përputhet me realitetin ekzistues që ka qenëmjaft shqetësues, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të termeve përçmuese për njëri-tjetrin si: kaurë, shkije, balije, shiptari, (do ta shtoja edhe “anadollakë”) etj. etj., dhe e gjithë kjo me qëllim të, siç thashë, përçmimit dhe zhvlerësimit të popujve dhe për shkaktim të konflikteve. Paramendoni se sa herë vetëm shqiptarët janëkritikuar e madje edhe ndëshkuar vetëm ngaqëkanë reaguar pse janë thirrur me termin“shiptar”, ose “shiftar”, që shpesh ka qenë shkak për incidente fizike.

Por, në këtë shkrim do të merrem vetëm me njërin nga termet e sipërpërmendur që përdoret shpesh tek ne: anadollak, term ky me të cilin nuk ka nevojë askush të ofendohet ngaqësipas kuptimit të parë në fjalorin e gjuhës shqipe emërton banorët e një hapësire gjeografike (që mbase do të ishte më e përshtatshme të ishte “anadollas”), por që ka edhe konotacion tjetër përçmues, gjithnjë sipas fjalorit, në kuptimin: “i pagdhendur”, “i vrazhdë”, “i prapambetur”. A thua që edhe termi “anadollak”është fabrikim me të njëjtin qëllim të sipërpërmendur!?! Natyrisht se do të ishte gabim nëse kështu do ta kuptonim këtë term, por kemi një realitet që disi dëshmon se ka diçka këtu, diçka shqetësuese.

Për shembull, siç mund të kuptohet edhe nga titulli, në vijim do të flas për botën e informacionit, roli i së cilës pranohet si forcë botërore, globale që ka ndikim të madh në ekonomi, kulturë, shtetformim e kështu me radhë. Megjithatë, këtu dëshiroj ta vë theksin mbi kanalet televizive që sot neve na servirin me apo pa dashje, programe të shumta marramendëse që për fat të keq janë duke pasur një ndikim të veçantënegativ tek shikuesit/popullata. Kur kemi parasysh se ne kemi qenë nën Perandorinë Osmane, dhe duke ditur që ajo ka qenë një fuqi e madhe e shtrirë në një hapësirë të gjerë gjeografike, përfshirë gjithë Ballkanin, e ne jemi ata që sot i ndjekim kanalet e “saj” satelitore, dhe jo vetëm, të llojllojshme dhe të nivelit shumë të lartë profesional, duhet të themi me keqardhje se ka edhe të tilla që me apo pa dëshirën tonë futen nëpër shtëpitë dhe familjet tona, sipas “të drejtës” dhe “lirisë” së tyre,por unë e them me bindje se askush nuk ka të drejtë të thotë: jeni të lirë t’i shikoni apo të mos i shikoni. Ky lloj programesh ma përkujton tamam termin “anadollak”, sepse thua se janë mendime të fabrikuara nga qendrat e “Sllovenisë socialiste”, që me qëllim mundohen dhe këmbëngulin që ne si e si të ngulitemi para televizorëve dhe t’i ndjekim programet që do të lënë pasoja të rënda brenda familjeve tona dhe tek fëmijët tanë. Nuk është e mundur që njerëzit e kulturës dhe të botës së informacionit të mos jenë të vetëdijshëm për impaktin e këtillë negativ, si në Turqi ashtu edhe më gjerë. Kjo çështje nuk ështëçështje lirie apo zgjedhjeje, por e keqpërdorimit të lirisë, e rrezikut të lirisë, qëështë e ngjashme me atë: “Jeni të lirë të bëni gjithçka”, ngaqë liria e këtij lloji ka filluar të shkaktojë edhe vetëvrasjen kulturore mbi kokat e njerëzve dhe kulturat e njerëzve. E gjithë kjo përputhet me kuptimin dytësor në fjalorin e gjuhës shqipe të termit “anadollak”.

Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe këtë se në këtë grackë shpesh herë futen edhe debatet teologjike që zgjasin me orë të tëra e që mundohen t’i shpjegojnë problemet fetare, me ç’rast çdo përfundim i tyre dëshmon një përfundim të pafund dhe nënçmues. Për shembull, kjo vlen për çështjet teologjike që janë shumë të rëndësishme për shoqërinë dhe që nuk i takojnë botës së informacionit, por botës së traditës, dijes, kulturës dhe qetësisë. Të gjitha këto asnjëherë nuk mund t’i zgjidhëvetëm bota e informacionit. Po nëse eventualisht orvatemi ta përshkruajmë në mënyrë faktike se ç’po ndodh, me të vërtetë shpirtin na e zë “ngërçi” dhe sytë mbeten të zgurdulluar nga habia se çka dhe si flitet për fenë. Pothuajse për çdo ramazan na sillet rasti i teologëve “astronautë” muslimanë që dalin me gotë uji në dorë, shëtisin duke kërkuar hënën njëri në një anë e tjetri në anën tjetër, e u thonë besimtarëve ja se çfarë bëj unë duke ua bërë me dije se në atë çast fillon/përfundon agjërimi. Kemi të tjerët që flasin për xhennetin dhe hurijet në formë paradoksale, plot nënçmim dhe humbje kohe. Gëzohem qëinstitucioni zyrtar fetar i Turqisë nuk merr pjesë në gjithë këtë katrahurë, dhe e ruan dinjitetin dhe përgjegjësinë që e ka për shoqërinë. Megjithatë, këtu flas për teologët e llojllojshëm, apo çeshit-çeshit. Të tillë kemi edhe këtu tek ne, ndër shqiptarët, të tillë qa sapo të kthyer nga studimet jashtë vendit krijuan dyshimin se ne muslimanët nuk paskemi ditur as të falemi si duhet dhe që na “treguan” se hallalli dhe harami mjaftojnë për gjithçka, por që faktikisht harruan se për hallallin dhe haramin ka edhe diçka tjetër që e plotëson dhe e bën tamam hallall dhe tamam haram. Edhe harami edhe hallalli pa terbije kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten të rrezikshëm për shoqërinë. Faktikisht të tillët filluan ta tregojnë hallallin dhe haramin duke u bazuar në atë formën mashtrimtare, pa e ditur se çfarë pasoje ka kjo. Që ta përshkruaj këtë konkretisht: dihet botërisht se martesa është hallall dhe kemi të drejtë të kërkojmë dorën e gjithkujt që na lejohet për martesë, por jo edhe t’i drejtohemi prindit drejtpërsëdrejti: a ke vajzë për martesë;nëse po ma jep se dua të martohem, kam “siklet” dhe derte, etj. Ja, a e shihni se sa hallall pa edem është ky?!? Për momentin jemi duke e përjetuar këtë fotografi të hallallit të lodhshëm ne muslimanët, larg vlerave dhe urtësisë, larg kulturës dhe qetësisë. Nuk desha kështu të flas, por jam i detyruar ngaqë jam musliman, teolog dhe natyrisht më takon që ta kritikoj “teologjinë” zyrtare të teologëve tanë.

Por, le t’i kthehemi asaj që fola më sipër për kanalet televizive që angazhimin e tyre e mbështesin mbi atë se jemi të lirë dhe, ç’është më e keqja, se “jemi duke bërë mirë”. Për arsye të asaj se nuk është e mundur të përshkruhet e gjithë ajo që pre

zantohet në kanalet televizive turke (inshaAllah nuk del ndonjë i mençur e të thotë pse nuk flas për kanalet e tjera televizive), megjithatë nuk mund e të mos thuhet diçka për atë që na serviret, sip.sh., programet e çiftëzimit që janë të pranishme gati në të gjitha kanalet. Disa prej tyre, që më ka rënë rasti t’i shoh, ma kanë prezantuar tamam romanin e G. Orwellit “Ferma e kafshëve”, ku çdo kafshë ka të drejtë për gjithçka dhe ka vlerën më të lartë, sepse njeriu e ka humbur rolin dhe pozitën e vet, ngaqë njeriut nuk duhet besuar. Edhe këto programe ma vërtetojnë këtë përmbajtje, ngaqë janë shndërruar dhe vazhdojnë të shndërrohen në një lloj kasaphane të moralit. Paramendoni, njëri dashurohet, e shpreh dashurinë me këngë, me vajtim; por, për njëçast i drejtohet tjetrit: unë e lashë, merre ti; tjetra thotë: dua burrë që do të më mbajë, shëtisë; nuk dua burrë që ka prindër dhe jeton me ta; më intereson e tashmja, nuk më intereson e kaluara; po bezdisem nga kontrolli që ma bën, nuk mund ta duroj një kontroll të këtillë; më pëlqeu djali/vajza sepse të njëjtën gjë e kam përjetuar edhe unë, kam ngelur pa prindër; dua “burrë”, e të mos flas për fjalë dhe shprehje ordinere por, më falni, edhe që janë hallall. E gjithë kjo është e shoqëruar nga banda muzikore që pas çdo shprehjeje ndjenjash bën një “dush”.

Udhëheqësit e këtyre programeve konsiderohen si njerëz që ecin mbi qilimin e kuq dhe që janë me nam në botën e “showbizit”. Si mund ta kuptojmë këtë hallall “të lejuar” që i kapërcen edhe dimensionet e haramit, dimensionet e kulturës, të edukatës, të besimit dhe të besimtarit; me çfarë të drejte nëpërkëmbet tradita e lartë e nënave tona dhe e familjeve tona që janë sjellë me kujdes të veçantë ndaj traditës të martesës; vajzat dhe fëmijët e tyre kanë “vdekur” nga turpi dhe frika se mos bëhen gaz i botës, dhe jo vetëm kaq. Vetë kërkesa dhe dhënia e dorës është praktikuar dhe vazhdon të praktikohet me kujdes të veçantë ndër ata që ia dinë peshën martesës, nderit, gëzimit, jetës dhe vdekjes. E ne, për fat të keq, lejojmë që udhëheqës të programeve të lartpërmendura t’i nëpërkëmbin këto tradita, e në anën tjetër sa e sa gra modeste kanë qenë shkaktare/ndërmjetëse për çiftëzimin e të rinjve e asnjëra nuk ka pretenduar të ecë mbi qilimin e kuq. Pyes: kush u ka dhënë të drejtën këtyre, dhe kush ua ka dhënë të drejtën për t’u dhënë të drejtë këtyre që ta shkelin dhe nënçmojnë martesën, të tallen me nënat, me gratë dhe me bijat tona?!? Më e keqja është se për të qenë sa më të larmishëm, ata kanëtubuar një numër të caktuar personash që të ketë gra edhe pa mbulesë, edhe me mbulesë, edhe me mini-fund, edhe me mini-pafund. Jam i bindur se që të gjithë janë të vetëdijshëm se nëçfarë kazani janë futur, tamam si kazani i “Inek Shabanit”.

Po ashtu programe te kërkimit të të zhdukurve dhe krimeve të shumta; njëri para dite e tjetri pas dite, prapë çeshit-çeshit. E njëjta lojë: me ditë të tëra bëjnë kërkimin e fëmijëve të zhdukur, të dhunuar, kërkimin e vrasësve të ndryshëm. Edhe këta që të mbijetojnë kanë një numër të caktuar shikuesish në studio që pandërprerë duartrokasin; udhëheqësja e rrethuar nga psikologë dhe juristë të cilët, jam i bindur se asnjëherë nuk i lejojnë vetes të ulen para TV ekraneve dhe ta shohin veten se çfarë bëjnë dhe kush janë, sepse një gjë e tillë do të ishte vetëvrasje për mendjen e shëndoshë dhe të edukuar. Tamam ma përkujtojnë rastin e atyre dy vëllezërve me dilemën “do të bijë shi/nuk do bijë shi”, edhe psekëta kanë më tepër opsione, sepse janë 4-5 veta që kanë mundësi të hamendësojnë dhe t’ia “qëllojnë”; për çdo ditë del ndonjë“profetizues” ndërsa harrojnë se djemtë e popullit që janë në shërbimet e tyre përkatëse të ministrive vazhdimisht mundohen ta ruajnë qetësinë dhe stabilitetin; çdo polic, me apo pa gradë, ka meritat më të mëdha, e ne mashtrohemi me programet që ua marrin të drejtën policëve të vendit, vetëm për arsye se kanë mundësi të bëjnëdhe të angazhohen në një program televiziv për ta kapur një diletant kriminel e zullumqar. Me këtë në asnjë mënyrë nuk mëtoj ta mbroj zullumqarin/katilin. Assesi! E kam fjalën për programin që uzurpon, që futet pa leje nëpër shtëpitë tona, i burgos mendjet e fëmijëve, grave tona me programe koti, me hetimet dhe marrjet në pyetje paradoksale. E gjithë kjo makineri është në një mënyrë brumosëse e mendësisë “anadollake”. Një bastardim i gjallë, një nënçmim dhe dëshmi se ne nuk jemi ata që duhet “të jemi”. E kam të domosdoshme ta them edhe këtë se shpeshherë ky çeshit udhëheqësish të programeve aq shumë u hyn në huj vetja, saqë e kanë shumë të vështirë ta ndajnë veten nga personazhi rolin e të cilit e luajnë. Kjo vërehet nga ajo që kudo që paraqiten presin “respekt” dhe “bindje”; për ta nuk vlejnë rregullat dhe parimet.

Programet e këtilla televizive padyshim që janë të dëmshme, sepse shfrytëzojnëkapacitetet e njeriut si arsyeja dhe zemra; ato asnjëherë nuk janë të qeta ndaj fenomeneve të këtilla; ato reagojnë me apo pa dashje; me një rast një informacion në radio-program ka bërë që të arratisen nga shtëpitë e tyre njerëz që kanë dëgjuar lajme për “sulm nga jashtëtokësorët”. Mënyra të këtilla veprimi kanë bërë që sot të dëshmojnë se mendja “anadollake” ekziston dhe është realitet që në bazë të “së drejtës” i shkel të gjitha rregullat; ka bërë që polici tëmos ketë të drejtë ta kryejë punën për arsye se mëhalla dhe rrethi tubohen dhe pengojnë punën e tij, siç ka thënë një shkrimtar shqiptar, Faik Konica: “nuk ka në botë njerëz si shqiptarët që e mbrojnëkriminelin”. Në të njëjtën kohë nuk është e mundshme që të ndodhë diçka e nëçast të mos formohet turmë kureshtarësh. Të gjitha këto kanë qenë dhe mbeten të rrezikshme, ngaqë e prishin imazhin e një kulture të lartë, të një sundimi shumëshekullor me një fe monoteiste dhe me kulturë Ibrahimiane.

Të gjitha këto, dhe më shumë se kaq, bëhen duke e thirrur shpirtin e njeriut, duke e thirrur atë që ta dëgjojë dhe t’i besojë atij që “performon”; që në një çast lëshon lot, duke dëshmuar se preket nga ajo që sheh dhe dëgjon, ndërsa në anën tjetër betohet, ulërin dhe tregon se ka forcë dhe autoritet vetëm dhe vetëm për ta bindur dhe për ta thërritur, ose, të shprehem me gjuhën e mediave, që të ketë shikueshmëri (rejting). E sa i përket shikueshmërisë që tani ju them se vërtet është koha e shikueshmërisë: a e shihni se çfarë ndodh në kulturë, në shkencë, në politikë?!? Jemi dëshmitarë të shkatërrimeve të mëdha dhe lojërave më të mëdha që mund t’i ndodhin njerëzimit. Deri më tani është biseduar dhe bisedohet mbi epërsinë e armëve dhe armatosjen në botë, e kohëve të fundit kemi edhe zërat e diskriminimit dhe përgatitjes së holokausteve të ndryshme e madje deri te Lufta e Tretë Botërore, për të cilën thuhet se nuk do të zgjasë shumë si në të kaluarën. Programet e lartpërmendura janë parapërgatitje për njëardhmëri pa ardhmëri, për një rrezik të madh dhe uzurpim e shkatërrim të tokave dhe shteteve, e deri te zhdukja e njerëzve ose, siç thotë Huntington, të qytetërimeve.

E di se dikush do të ofendohet dhe do të mund të më kritikojë se çfarë dua të them me atë “anadollak”?Dua të them se nuk është mirë të lejoni që kuptimi i këtij termi të prezantohet pikërisht në këtë formë, sepse kjo mendësi “anadollake” e ka prishur edhe Perandorinë Osmane.Të gjithë ne e dimë se një numër i madh i njerëzve tanë me simpati të madhe i shikojnë kanalet e shumta, ndërsa këto kanale nuk janë duke ofruar gjë tjetër, përveç fotografisë së lartshënuar ku niveli i kulturës është përplasur për toke, kinse ajo ështëçështja më e lehtë, se çdokush mund të bëjë kulturë; programe të zbrazëta nga fjalori i edukatës, kulturës së lartë, dashurisë njerëzore; edhe ajo mënyrë që mëton të jetë “e kulturuar” është e pakulturuar, sepse mbështetjen e ka tek fara e keqe, plot zullum dhe pa edukatë, edepssëzllëk i vërtetë.

E thashë edhe më sipër, dhe po e përsëris me bindje të thellë, se përpos këtyre kanaleve dhe programeve kemi edhe të tilla tepër të mira dhe të rëndësishme satelitore të hapësirës së Turqisë, që ua kalojnë shumë programeve të kanaleve botërore, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga cilësia, por harrohet se kjo forcë, kjo fuqi informative është dukeu shfrytëzuar në mënyrë populiste me pretekst se kanë liri dhe kanë të drejtë. Ky lloj i lirisë ose i së drejtës ka qenë dhe mbetet i rrezikshëm dhe pjellë e zyrave të krijuara apostafat që ndjellin armiqësi dhe nënçmim edhe me atë që është e lejuar. Një e lejuar që mbështetet vetëm mbi të lejuarën, ka mundësi të jetë shumë më e rrezikshme se një rrezik i ndaluar; rreziku derisa është individual është një dimension tjetër, kurse ky rrezik i kapërcen përmasat individuale dhe mu për këtë është edhe jo i liruar edhe jo i drejtë.

Liria është e shenjtë dhe e paprekshme, asnjëherë nuk guxon të jetë pjesë e lojërave të ndryshme, sepse ajo as nuk shitet e as nuk blihet; ajo është dhuratë nga Zoti; dhurata e Zotit ka qenë dhe mbetet fuqia më e nevojshme për ndërtimin dhe rindërtimin e kulturës; aty kemi besimin tek Zoti, aty kemi thirrjen e përhershme të dashurisëdhe respektit, aty kemi zërin e qetësisë dhe të harmonisë; aty kemi thirrjen e leximit, shkrimit; aty kemi hallallin e edukuar dhe të disiplinuar; aty kemi haramin e ndaluar dhe të rrezikshëm për njerëzimin; aty kemi urtësinë e lartë dhe dashurinë e parajsës; aty kemi shpëtimin dhe sigurinë. Për të gjitha këto burime të përhershme kanë qenë dhe mbeten Shpallja, arsyeja, urtësia dhe dashuria. Andaj nuk kemi të drejtë t’i lejojmë programet me frymë populiste ta rrezikojnë shpirtin e një populli që mëton një ardhmëri plot siguri, dashuri dhe kulturë.

Postime të Ngjajshme