` . E XHUMAJA E DATËS 17 SHKURT 2017 - TV-SHENJA

E XHUMAJA E DATËS 17 SHKURT 2017

Ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe të Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.

(El-Maide, 78-79)

Dje isha në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, ku e fala namazin e Xhumasë, si zakonisht. Pas namazit biseduam me disa shokë, duke përsëritur një fjalë që, fatkeqësisht, thuajse e përsërisim pas çdo xhumaje: “Zot, çfarë po ndodh me interpretimet tona të fesë? Zot, a thua je duke na e marrë forcën e Xhumasë? Ç’është puna me këta ‘hoxhallarë’, ‘imamë’, ‘hatibë’, për shkak të të cilëve falësit nuk dëshirojnë të falen brenda në xhami, por jashtë saj?!?”. Dhe përpos atij isharetit të kijametit që flasim teksa mbahet hutbeja, mezi presim t’i falim dy rekate. Arsyeja?!? Hutbeja e zbrazët, edhe pse plot fjalë, që është duke na trishtuar; jo pse nuk e dëgjojmë, por për arsye se edhe atë që e dëgjojmë dëshmon gjithçka, përpos hutbes që i drejtohet zemrës me qëllim të plotësimit të imanit, ose përtëritjes së imanit. Ah, sikur të mos ishte kështu, por të ishte nga momentet e hutbeve që janë ligjëruar edhe në kohën e fillimit të fesë…

Nëse eventualisht mendojmë se thëniet, fjalët me gramatikë e pa gramatikë, me stil të veçantë e specifik do të jenë si peshë e asaj se Islami që interpretohet është Islam, kjo nuk qëndron, sepse në këto interpretime natyrisht se recitohen ajete të Kur’anit, por këto recitime prapë nuk e dëshmojnë frymën e Shpalljes, frymën e hutbes. Pse? Sepse, si duket, hoxhallarët janë “prishur”, nuk mendojnë të rregullohen, nuk mendojnë të edukohen me frymën e fesë, me atë që është shpëtimtare dhe kënaqësi familjare. Kur e them këtë e kam parasysh jetën tonë faktike: plot padrejtësi ndodhin e hoxhallarët heshtin, disa herë edhe e përkrahin padrejtësinë, shkatërrimin dhe humbjen, harrojnë përgjegjësinë që kanë marrë para Zotit dhe para besimtarëve. Kjo ngase institucionet e fesë që ata i përfaqësojnë dëshmojnë diçka të tillë, sipas thënies shumë të “cituar”: “bëni si themi ne, e mos bëni si bëjmë ne”. Ata heshtin para të pavërtetës, ata lejojnë keqpërdorimin e fesë brenda institucioneve në dimensionet fetare, kulturore e financiare, heshtin dhe i përkrahin ato; marrin pjesë nëpër varrime edhe kur të vdekurit as që kanë dashur për së gjalli ta deklarojnë fenë e tyre. E të mos flas për atë se si hoxhallarët financohen, si harxhojnë dhe harxhohen, e besimtarëve u thuhet se neve na ndihmon Zoti!?! Pasqyrë më e mirë për këtë janë fotografitë e “krietarit” të shtrirë për toke të rrethuar me ibreti alema, dhe drekat e darkat ku festohet mashtrimi në emër të “shkencës” dhe diplomës.

A nuk dëshmon kjo se pse njerëzit kanë frikë dhe mezi presin që hoxha ta mbyllë gojën e t’i japë fund edhe hutbes? Më kujtohet thënia jo vetëm e prindërve të mi që të kemi kujdes dhe ta kemi frikë Zotin, se Zoti na sheh dhe na turpëron nëse mundohemi ta tradhtojmë me shpirt dhe mendje duke heshtur për të vërtetën. E megjithatë, sikur kjo të mos mjaftojë, por shkohet edhe më larg, dhe disa mundohen që ta prezantojnë fenë duke e prezantuar veten e jo Kur’anin dhe fenë; duke u munduar të tregojnë se kanë njohuri dhe dituri, se janë të mençur, se kanë “tituj” shkencorë. Kjo është një temë e veçantë për t’u analizuar, ngaqë nuk është e mundur që Islami të bëhet i padurueshëm për njerëzit që presin t’i luten Zotit, pa marrë parasysh munafikët dhe spiunët që gjenden rreth dhe mes nesh. Kjo nuk përputhet me natyrshmërinë e Islamit.

Shpeshherë në bisedë me hoxhallarë, interpretues të fesë që ligjërojnë, por edhe studentë, më thonë: “Çka të bëjmë? Ç’të themi? Pavarësisht se çfarë flasim e shohim se asgjë “nuk ndryshon”. Një herë dikush madje më tha: “në një rast në shaka e kritikuam atë “zvarranikun” dhe për në çast në lokal erdhën nga sigurimi dhe me pyetën çfarë kemi folur?… U detyruam t’ua tregonim vetëm formën e jashtme të fjalës, se nuk kemi thënë asgjë të keqe përpos se asaj se duam të porosisim për të ngrënë, atë që e porosit ai!?!” Edhe nga kjo vërehet “mençuria” jonë alla hoxhallarçe.

A thua është aq vështirë ta kuptojmë se ne nuk kemi nevojë ta prezantojmë Islamin “tonë”, por Islamin e Zotit? Muslimanët, besimtarët kanë nevojë ta dëgjojnë, ta praktikojnë Islamin e Kur’anit dhe të Sunnetit i cili i kënaq, siç thuhet në Kur’anin Famëlartë: kur lexohen ajetet e Zotit dridhet zemra nga kënaqësia, lotojnë sytë nga dashuria. Kjo, fatkeqësisht, nuk ndodh me ne: falësit mezi presin të përfundojë hutbeja dhe namazi, madje edhe gjatë hutbes flitet dhe “surfohet” nëpër celularë. Pse?!

Një herë pata rastin që të jem i pranishëm në një tubim shkencor të mbajtur në një universitet në Shkup, me ç’rast një sociolog i religjionit tha: “A e dini se të krishterët nuk janë të kënaqur me priftërinjtë, për arsye se shumica e tyre zbukurohen me ar dhe vozisin vetura të shtrenjta; këta nuk mund të jenë të krishterë të vërtetë”. Vërejtje me vend. A nuk është e qartë se diçka e ngjashme shihet edhe në mesin tonë? InshaAllah nuk më akuzon dikush pse i marr si shembull “ata”, sepse te e vërteta nuk ka “ata” dhe “ne: e vërteta është një për të gjithë. Këtë na e mëson Kur’ani. E ç’të flasim ne kur dihet se në mesin tonë kemi të tillë hoxhallarë që mburren se janë shërbëtorë të shërbimeve sekrete. Në kohën e Jugosllavisë kishim njëfarë A. Hukiq, sekretar i Rijasetit të atëhershëm, për të cilin flitej se ishte në shërbim të tre shërbimeve të njohura. Po sot, kur vendi ynë, por jo vetëm, gëlon nga shërbime sekrete?!? Paramendoni se çfarë konkurrence është krijuar. Do të ishte vërtet qesharake, sikur të mos ishte e dhimbshme.

Tani t’i kthehem asaj që më detyroi ta shkruaj këtë shkrim: hutbeja e xhumasë që kishte për qëllim të na e përkujtojë tmerrin nga Dita e Kijametit, por që ishte kijamet në vete, e ligjëruar nga një “sluzhbenik” fetar, një “katundar” i pagdhendur, i cili mundohej ta tregojë fenë duke ulëritur “Kini frikë Kijametin” (diçka që e përsëriti “x” herë). Sikur të mos mjaftonte kjo, kulmi ishte falja e namazit me një kiraet thua si të ndonjë fillestari në mësimin e Kur’anit, karakteristikë e çuditshme e së cilës ishte edhe shqiptimi i emrit të Pejgamberit a.s. Muhammed (me një “h” arabe që nuk e ka vendin aty).

Dhe ta përsëris: a thua Zoti është duke na e marrë xhumanë; a thua Zoti është duke ia hequr kuptimin, peshën xhumasë? Nuk është e mundur që Zoti isharetet e Veta t’i bëjë pa kuptim, pa përjetim, tamam t’i shndërrojë në një formë plastike, sintetike. Hutbet kanë shndritur me dritën e lartë të Zotit; shpeshherë jomuslimanët janë bërë muslimanë kur kanë parë se muslimanët me çfarë kujdesi kanë dëgjuar hutben e Kur’anit dhe të Islamit. Dihet mirëfilli se në fikhun e fesë vetë çështja e namazit të xhumasë është mjaft e diskutueshme, ngaqë për të kërkohen kushte të veçanta që e xhumaja të jetë e plotësuar, duke qenë disa nga kushtet që njeriu të jetë i lirë, i shëndoshë, i mençur.

Derisa ne do të heshtim para të pavërtetës, derisa ne të Vërtetën nuk do ta mësojmë nga Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit a.s., ne nuk do të kemi asgjë tjetër, veç asaj që Kur’ani u thotë popujve të mëparshëm: “Lutja e tyre pranë shtëpisë (Qabes) nuk ishte tjetër veçse fishkëllima dhe duartrokitje…” (el-Enfal, 35). Ne duhet të lirohemi nga ajo mendësi se kinse ne e mbrojmë Islamin: përkundrazi, kështu siç jemi duke vepruar ne vetëm jemi duke e dëmtuar Islamin; ne duhet gjithsesi të ndërgjegjësohemi për atë që po ndodh në mesin tonë dhe të pyesim veten se si është e mundur që të gjitha të zezat sillen vërdallë nesh: mashtrues, uzurpatorë, mercenarë pa pikë turpi, e lëre më islam dhe iman, shpeshherë të rrethuar nga hoxhallarë? Çfarë mospërputhjeje  midis nijeteve dhe fjalëve që i flasim: shpeshherë nijetet tona “të mira” i prezantojmë vetëm e vetëm për përfitime. Shikoni vetëm fotografinë e muslimanëve në Lindje, a dëshmon kjo se është manipuluar me fenë?!? Dhe kjo për arsye se gjithçka që “bëhet”, bëhet në emër të Islamit. E ku është Islami e ku janë muslimanët…!?! Islami nuk ka ardhur që të jetë i bukur në ligjërim dhe në art, por ka ardhur që të krijojë qetësi, udhëzim dhe shpëtim, duke u mbështetur mbi vlerat me karakter universal.

M.A.S.

Postime të Ngjajshme