` . E lumtur nga lodhja – TV-SHENJA

E lumtur nga lodhja

Shkruna: Lindita KADRIU

Kur u ktheva në punë në TVM pas pushimit të lindjes, instiktivisht fillova me human touch portrete të njerëzve të suksesshëm, duke i incizuar ku punonin dhe jetonin.

Një mësuese fshati e cila kishte ndryshuar jo vetëm klasën e vet, por edhe atmosferën në shkollë. Faktori njeri është superior, ndërsa kushtet e liga merren ose si pengesë ose si sfidë, krejt varet! Ky ishte boshti i emisionit  nga Dobroshti.

Profil për Rauf Ramadanin, drejtor i NPK, i cili për shkurt kohë u bë favorit i qytetit.  Periudha e vetme e mirë në Tetovën demokratike të cilën prefektët shqiptarë, kush më shumë e kush më pak, e çuan në regres. Ramadani ishte plot ide, punonte me pasionin e njeriut që ka vendosur të ketë rezultat dhe rezultatet dukeshin gjithandej. S’kaloi shumë kohë e larguan nga posti pasi në vende të kequdhëhequra uspeh se ne prašta.

Parku rreth Xhamisë së Pashës që mirëmbahej nga pleqtë e xhematit. Heroi i emisionit, axha Abdyl, tërë ditën rrinte në park dhe i vraponte me bastun ata që hedhnin mbeturina. Pas një kohe askush më nuk hidhte anise plaku s’ishte në kondicion të mirë fizik.

Tjetër herë do t’ju flas për ciklin e kronikave për shpëtimin e këtij parku të vetëm në qytetin që dikur ka qenë ndër më të gjelbërit në Jugosllavi. One-man show, me kameramanin Ivan nga zyra e TVM-së në Tetovë. Me javë u mora me të gjitha institucionet e mundshme, mandej anketime, peticion, gjithçka që më kujtohej në ditët më të lodhshme të karrierës. Dhe, siç ndodh shpesh, ditët më të lodhshme janë edhe më të bukurat. Nëna më thoshte “gjithë ajo punë për të fituar dushmanë” kurse T si përherë më përmbante. Në fund ia dola. Nuk ka gjë në këto dy dekada pune me çka mund të mburrem më tepër se sa ajo fushatë.

…Kur erdhi vala e refugjatëve në Maqedoni, më ranë në hise rrëfimet njerëzore për Ditar, me fokus te nënat dhe fëmijët.

Edhe sot mendoj se ajo që u duhet edicioneve informative janë storjet për (nuk e dua këtë fjalë): njerëz të rëndomtë. Tek ne të rëndomtit janë ku e ku më cilësorë, më të arsimuar dhe më të suksesshëm në punën e vet se sa elita, respektivisht protagonistët kryesorë të lajmeve. Pikërisht këtu fshehet e tërë tragjedia e tranzicionit që s’ka të mbaruar. Dhe as që do të përfundojë përderisa ky fakt të mos ndryshojë!.

Si ndryshon?

Ndryshon me Qytetarin që dëgjon ndërgjegjen dhe zemrën me kusht që paraprakisht t’u ketë bërë pak hyzmet ndërgjegjes dhe zemrës.

Ndryshon me njerëz të moshës mbi 18-vjeçare që nuk frikësohen si lepuj.

“Guxim, bijë, guxim” më mësonte T.

Dhe “ëndërro se vetëm ëndërrimtarët sjellin ndryshime”.

Nuk jam e prirur, tamam puna, të mendoj që kam ndryshuar kushedi çfarë.

Por, parkun te Xhamia e Pashës vërtet e shpëtuam në vitin 2003.

Plaku Ivan, kameramani.

Dhe unë vajza e re, e stëlodhur ato javë.

Dhe e lumtur.