` . E ditur dhe e pritur... - TV-SHENJA

E ditur dhe e pritur…

Dihet se pa një ndihmë financiare ndërkombëtare pushteti i ri do ta ketë shumë të vështirë që ta realizojë projektin për një “Maqedoni më të mirë”. E nëse nuk e realizon këtë projekt, politikanët lokalë sërish do të fillojnë që të strehohen në mitologji. Kjo mund t’i ndodhë çdo politikani. Dhe, kjo mund t’i ndodhë çdo Gruevski të ardhshëm

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Dihet se po perëndon epoka e Gruevskit, por nuk ka vend për mahnitje.

Dihet se ai, tani e tutje, nuk mund të bëjë asgjë të mirë, por ende ka fuqi për të bërë keq.

Dihet se ai nuk është heroi, edhe pse shumica maqedonase e percepton si të tillë.

Dihet se pas Gruevskit do të mbetet gruevizmi nëpër në kokat e shumë njerëzve.

Dihet se ky sistem shtetëror, i ndërtuar dhe i mbajtur gjallë edhe nga elitat politike para tij, nuk mund të riparohet, as të përshtatet për rrethana të reja, por me urgjencë duhet të nxirret jashtë përdorimit.

Dihet se procesi i dekompozimit të këtij sistemi shtetëror nuk është i lehtë dhe i shpejtë.

Dihet se këtij sistemi nuk mund t’i bëhet kurrfarë reforme, sikurse premtohet, sepse Gruevski ka lënë kurthe me djathë të shijshëm e joshës në çdo institucion të shtetit.

Dihet se, për të qenë i suksesshëm, pushteti i ri duhet të krijojë sistem të ri, krejtësisht të ndryshëm nga i tanishmi. Pushteti i ri, për të qenë i suksesshëm, nuk duhet ta humbë kohën me gropat e krijuara nga regjimi. Çdo kohë e humbur është kohë e gjetur për Gruevskin, i cili e dëshiron shpëtimin e vetvetes nga ndëshkimi i paralajmëruar.

Dihet se Gruevski, tani për tani, nuk e synon pushtetin, të cilin e ëndërron gjithsesi. Pa pushtet ai është askushi, sikurse ishte askushi para se të merrej me politikë.

Dihet se ai ishte vetëm një aktor amator, në rol episodik, që askush nuk e kujton. Apo ishte një boksier amator, i dështuar, që nuk la ndonjë sukses pas vetes.

Dihet se dy pasionet rinore i zbatoi në politikën e tij: aktroi patriotin e madh dhe i boksoi kundërshtarët politikë me grushtin e pushtetit absolut.

Dihet se tani i intereson blerja e lirisë së tij personale, prandaj i duhet pushteti brenda partisë së tij. Mbase mund ta ketë blerë këtë liri personale, sepse disa shenja shihen.

Dihet se ai do të tentojë që të jetë fituesi i zgjedhjeve lokale, për të qenë në lojën politike, e cila i mundëson shpëtim nga ndëshkimi për gjithçka që ka bërë.

Dihet se përralla për “Platformën e Tiranës” ishte “përrallë me mbret”, ashtu sikurse dihet se ai këtë betejë e paketoi qëllimisht si “mbrojtje interesash kombëtare” prej armiqve imagjinarë të Maqedonisë, për ta mbrojtur vetveten dhe klanin e tij të korruptuar, ashtu sikurse kanë vepruar para tij edhe elita të tjera politike.

Dihet se kryetari i Maqedonisë është pengu i tij dhe pa padronin nuk do të bëhej as kryetar i ndonjë komune të harruar, ashtu sikurse dihet se ky kryetar nuk ka pasur asnjëherë potenciale intelektuale për të qenë burrështetasi që di të lexojë shenjat e kohës dhe të marrë vendime autonome.

Dihet se kërkesa e tij për “ruajtje të shtetit unitar” ishte e mirëmenduar nga dirigjuesi i tij, sepse nëse Zaevi është Juda, çfarë garancie mund të jepte për shtetin? Nëse jepte garanci, a mund t’i besohet Judës? Pra, dihet se kryetari kërkoi shkak për ta mbrojtur padronin, sepse atij më shumë i intereson Gruevski, i cili ka vepruar sipas logjikës “shteti jam unë”.

Dihet se partitë politike shqiptare, që lejuan të jepen garanci të këtilla, e hijezuan marrëveshjen e arritur mes tyre.

Dihet se Gruevski, derisa do të jetë në krye të partisë së tij, do t’i grahë kalit të nacionalizmit, sepse është streha e fundit për t’u mobilizuar turma, e cila duhet ta besojë të kundërtën e asaj çka është ai.

Dihet se problemet e brendshme të Maqedonisë nuk janë krijuar, as janë mbartur nga Shqipëria, Kosova, Europa, Amerika, por janë probleme të brendshme, të trashëguara me vite e dekada, sa për shkak të arrogancës së të voglit që dëshiron të hiqet i rëndësishëm, po aq edhe për shkak të robit që di vetëm të shërbejë dhe të përkulet.

Dihet se akuzat kundër Tiranës dhe Prishtinës“për ndërhyrje në punët e brendshme” janë në sinkron me Beogradin, i cili ka lidhje të fuqishme me nëntokat politike të këtushme.

Dihet se në kohën e këtij regjimi ka qenë i madh ndikimi rus e serb në Maqedoni dhe se luajtja me kartën e kinse ndërhyrjes së Tiranës është lojë e nacionalizmit të koordinuar maqedonas, serb dhe rus për ta fshehur “platformën” e përhershme të Beogradit dhe të Moskës, që zbatohet në Maqedoni me dekada dhe, njëkohësisht, për t’i paraqitur shqiptarët si faktor destabilizues në Ballkan, me qëllim që të fshihen prapësitë, që u janë bërë shqiptarëve prej kohësh edhe me ndihmën e shqiptarëve.

Dihet, pra, se e gjithë kjo është më shumë ide serbe sesa maqedonase, ashtu sikurse dihet se elitat politike maqedonase e shndërruan Maqedoninë në filialë serbe.

Dihet, pastaj, se këtij regjimi i ka shërbyer me devotshmëri BDI-ja, e cila ka faj për gjendjen e mjerë ku janë katandisur shqiptarët, pavarësisht se eksponentët e kësaj partie, kohëve të fundit, hiqen si shenjtorë dhe si disidentë kundrejt regjimit të Gruevskit. Madje, kritikuesit e regjimit mund të akuzohen si bashkëpunëtorë të tij, kurse shërbëtorët e deritanishëm të shpallen luftëtarë kundër regjimit ku bënin pjesë.

Dihet se ata që i shërbyen regjimit të egër dhe autoritar nuk mund të jenë reformatorë. Janë vetëm maska të reja mbi fytyrat e vjetra.

Dihet se pjesëmarrja e BDI-së në qeverinë e Zaevit nuk ndodhë për të bërë reforma rrënjësore, por shkaku i numrave të deputetëve që i ka kjo parti.

Dihet, gjithashtu, se shumë eksponentë të BDI-së e ëndërrojnë jaraninë e moçme.

Dihet se pas 27 prillit Maqedonia nuk do të jetë e njëjta, ndonëse nuk e dimë nëse do të ndryshojë për të mirë ose për të keq, sepse nuk jemi orakuj ta parashikojmë të ardhmen dhe se parashikimi nuk është veti e njerëzve të rëndomtë.

Dihet se nëse qeveria e re nuk do t’i realizojë pritjet e qytetarëve, ata, pra qytetarët, do t’u rikthehen kujtimeve dhe do t’u shfaqet sërish fytyra e Gruevskit, si fytyrë shpëtimtari, kurse një shoqëri që jeton vetëm me kujtime, nuk ka të ardhshme të ndritur.

Dihet se qeveria e re do të përballet, tani e tutje, me gropat që i ka krijuar regjimi dhe ia ka lënë si trashëgim. Ashtu sikurse dihet se dekontaminimi i vetëdijes së helmuar me helme të urrejtjes nuk do të bëhet brenda një periudhe të shkurtër.

Dihet gjithashtu se, pa një ndihmë financiare ndërkombëtare, pushteti i ri do ta ketë shumë të vështirë që ta realizojë projektin për një “Maqedoni më të mirë”. E nëse nuk e realizon këtë projekt, politikanët lokalë sërish do të fillojnë të strehohen në mitologji. Kjo mund t’i ndodhë çdo politikani. Dhe, kjo mund t’i ndodhë çdo Gruevski të ardhshëm.

Nuk dihet vetëm qëndrimi i partive shqiptare. Përvoja ka dëshmuar se janë të paparashikueshme dhe të dirigjuara nga nëntokat politike maqedonase.

 

 

Postime të Ngjajshme