` . Dy vjet nga ngjarjet e përgjakshme në Kuvend (Video) - TV-SHENJA

Dy vjet nga ngjarjet e përgjakshme në Kuvend (Video)

Pas disa javëve zvarritje dhe debate maratonike, më 27 prill deputetët e shumicës së re parlamentare kërkuan nga kryesuesi i atëhershëm i seancës plenare, Trajko Veljanovski, që të hap diskutim për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit me arsyetimin se kanë mbështetjen e nevojshme prej 61 deputetëve. Veljanovski refuzonte kërkesën e këtillë edhe pas fjalimit të kryeministrit aktual Zoran Zaev, duke thënë se nuk mund të kalohen në pikën e radhës pa përfunduar diskutimi në pikën paraprake për formimin e komisionit për zgjedhje dhe emërime. Në orët e pasditës, deputetët e shumicës së re parlamentare u ngritën në këmbë dhe nga ulëset e tyre filluan procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Si kundërpërgjigje deputetët e VMRO-DPMNE-së bllokuan foltoren e kryetarit të Kuvendit dhe me brohoritje tentuan që të mbulojnë zërin e deputetëve të shumicës dhe kështu të pengojnë zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të ri të Kuvendit. Ky i fundit poashtu dha betimin nga hapësirat e sallës plenare nën zhurmën e brohoritjeve të shumta të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ndërsa jashtë Kuvendit zhvilloheshin protestat e “Maqedonisë së përbashkët”. Pas kryerjes së kësaj procedure, Talat Xhaferi, Zoran Zaev dhe deputet të shumicës parlamentare u nisën drejt pres qendrës së Kuvendit për të mbajtur një konferencë për media, ndërsa nga jashtë turma e protestuesve, në mesin e të cilëve persona të maskuar, hapën me dhunë dyert e Kuvendit dhe u futën në institucionin më të lartë ligjvënës në vend.

Një pjesë prej tyre ju drejtuan sallës plenare e cila ishte e boshatisur nga deputetët, ndërsa të tjerë ju drejtuan holleve të Kuvendit. Grupi më i dhunshëm i cili shkaktoi edhe incidentet më të rënda ju drejtua pres qendrës ku ndodheshin gazetarët, kryeministri aktual Zoran Zaev, deputet të shumicës dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Me të hyrë në pres qendër, turma filloi të sulmojë fizikisht dhe me gjësende të forta përfaqësuesit e shumicës parlamentare duke përgjakur pjesën më të madhe prej tyre, në mesin e të cilëve edhe vetë kryeministrin aktual Zoran Zaev.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e pësoi më së rëndi pasi u tërhoq nga një grup i personave të dhunshëm të cilët e goditën deri në alivanosje e që siç u dëshmua më pas nga dëshmitare dhe video materialet, kishin menduar se është i vrarë. Për dy orë të plota nuk pati asnjë intervenim policor, ndërsa shefi i atëhershëm i shtabit të krizës i formuar në MPB, Mitko Çavkov kishte qenë i pakapshëm në telefon. Pas dy orëve, në Kuvend futen njësite speciale të policisë, të cilët me forcë dhe me gaz lotsjellës arrijnë të largojnë nga Kuvendi dhunuesit, ndërsa përmes auto ambulancës të dërgojnë në spitalet e vendit depuetët e lënduar. Kjo ishte ngjarja më e rëndë dhe që nuk mbahej mend në historinë e institucioneve më të larta shtetërore të vendit.

Pas kësaj ngjarje, kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi, hyri në kabinetin e tij, ndërsa lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, përfundimisht mori mandatin nga presidenti Gjorgji Ivanov për formimin e Qeverisë së re. Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, Prokuroria filloi hetime dhe ngriti procedurë për vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, ndërsa pati edhe akuza për tentim vrasje ndaj personave të cilët tentuan të likuidojnë kryetarin e Aleancës, Ziadin Sela. Për këtë ngjarje, shumë persona u dënuan me burg, për të dyshuarit si organizatorë po zhvillohet ende procedurë gjyqësore, ndërsa për një kategori ku bënin pjesë drejtues të protestave dhe deputetët të cilët hapën dyert e Kuvendit, u miratua ligj për amnisti. 27 prilli i vitit 2017 është ende temë aktuale në debatet e përditshme politike dhe më gjerë. Arben Zeqiri /SHENJA/