` . Dy shtetas të Kosovës të përfshirë në vjedhjen në Rinas - TV-SHENJA

Dy shtetas të Kosovës të përfshirë në vjedhjen në Rinas

Në plaçkitjen në Rinas ishin të përfshirë edhe “Daja” e “Tani”, të dy këta nga Kosova

Zbardhet dëshmia e Alkond Bengasit, bashkëpunëtorit të drejtësisë për grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në 9 prill.

Ai ka thënë se kontaktin e parë e ka pasur me dy kushërinjtë e tij, Klement dhe Eldi Cala.

“Duke qenë se unë punoja në një servil, ata më kërkuan t’i shoqëroja në Kavajë ku do të merrnim një furgon. Fillimisht nuk pranova sepse kam pasur fëmijën sëmurë dhe nuk doja të largohesha nga Elbasani. Por më pas pranova dhe shkuam të tre tek Shkëmbi i Kavajës. Aty na prisnin 3 persona për drekë. Një u prezantua si Admir Murataj, i cili ishte në shoqërinë e 2 personave nga Kosova. Një prej tyre e thërrisnin ‘daja’ ndërsa tjetrin ‘Tani’”, citon “Oranews” të ketë thënë Bengasi.

“Pasi hëngrën drekë, morëm furgonat Chevrolet, të cilët unë më pas i modifikova. Më vonë mësova se mjetet do të përdoreshin për grabitje”, citohet të ketë thënë Alkond Bengasi.

Në bazë të kësaj dëshmie, policia shqiptare po bashkëpunon me kosovarët për identifikimin dhe arrestimin e 2 personave, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në grabitjen e 9 prillit.

Në një përgjigje për Koha.net në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka bashkëpunuar me Policinë e Shqipërisë.

“Policia e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që ka me Policinë Shqiptare, edhe në rastin konkret ka bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacione, në drejtim të zbulimit të këtij rasti dhe autorëve”, ka thënë Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, duke mos zbuluar detaje tjera.

Ngjarja ndodhi rreth dy javë më parë në aeroportin kombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë e me sa duket me kalimin e ditëve, policia po ngushton edhe rrethin e personave që kanë marrë pjesë në grabitje pasi brenda dy ditësh janë arrestuar 5 persona.

Dje u arrestua Elton Pikli, 32 vjeç nga Kruja, teksa tentonte të largohej drejt Bullgarisë, ndërsa përveç tij kanë përfunduar në pranga edhe Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, dhe Saimir Cela. Kujtojmë se gjatë grabitjes mbeti i vrarë Admir Murataj.