` . Dy qëndrime kontradiktore amerikane në lidhje me shqiptarët në Versajë 1919 - TV-SHENJA

Dy qëndrime kontradiktore amerikane në lidhje me shqiptarët në Versajë 1919

Më arritjen e presidentit amerikan W. Wilson në Francë për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, miliona njerëz dolën për ta parë duke brohoritur për “Profetin e Paqes”, që promovoi “të drejtën e popujve për vetëvendosjen” dhe rendin e ri botëror me Ligën e Popujve. Por, shumë shpejt, brohoritjen u zbehen dhe shpresat e popujve për liri dhe pavarësi u zbrazën. Megjithatë, Wilson-i mbeti simbol i një “presidenti idealist”, që ende kujtohet me admirim…

Shkruan: Muhamed MUFAKU*

Woodrow Wilson-i konsiderohet deri tani një prej 10 presidentëve më të mirë të SHBA-ve në saj të vizionit të tij për rendin e ri botëror si dhe të reformave të tij në politikën e brendshme gjatë dy mandatave (1913-1921), saqë doli me kohë në përdorim nocioni i ri: Wislonismi.

Wilson-i ishte emër i njohur në botën akademike amerikane si historian dhe profesor i shkencave politike dhe i së drejtës kushtetuese në disa universitete të njohura amerikane (Cornel, New York, John Hopkins, Princeton), madje në fund u bë rektor i universitetit “Princeton” gjatë viteve 1902-1910. Me këtë famë akademike u mirëprit në jetën politike pasi që i fitoi zgjedhjet si guvernator i shtetit New Jersey 1910-1912 si kandidat i Partisë Demokratike, pastaj si kandidat i partisë për zgjedhjet presidenciale më 1913.

Në mandatin e tij të parë (1913-1917) Wilson-i u mor më shumë me politikë të brendshme, duke realizuar disa reforma në ekonomi dhe financat dhe në sistemin zgjedhor e duke ia siguruar femrës të drejtën për votim. Gjatë mandatit të parë shpërtheu Lufta e Parë Botërore, por Wilson-i u distancua prej kësaj lufte, madje ai e siguroi mandatin e tij të dytë (1917-1921) në saj të sloganit në fushatën zgjedhore gjatë 1916 “Mjaft që na shpëtoi prej lufte”. Ai e shikonte Luftën e Parë Botërore si luftë imperialiste midis perandorive rivale për ndarjen e kolonive në botë. Mirëpo, kur u detyrua t’i shpallë luftë Gjermanisë në prill 1917, pas sulmeve gjermane kundër anijeve që qarkullonin midis SHBA-ve dhe Europës, Washington-i mbeti në luftë vetëm me Gjermaninë, duke e ruajtur statusin si “forcë e associuar” në LPB e jo si “forcë aleate”. Më këtë qëndrim Wilson-i, si historian-president, filloi ta formulonte e të shprehtë vizionin e tij për botën e re që do lindte pas LPB-së, pra një botë që do të shprehte të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe të drejtën për shtete nacionale në vend të perandorive që e ndezën LPB-në.

“Paqja shkencore”

Ndonëse ai fitoi përsëri në fushatën zgjedhore më 1916 në saj të sloganit “Mjaft që na shpëtoi prej lufte”, Wilson-i, në fund të vitit 1916 dhe në fillim të vitit 1917 filloi të mendojë për ndërprerjen e luftës dhe vendosjen e paqes stabile në bazë të kritereve të reja për një rend të ri botëror. Kështu së pari kërkoi prej shteteve pjesëmarrëse në luftë që të deklarohen për qëllimet e tyre në luftës rrjedhëse, ndërsa në fund të dhjetorit të vitit 1916 ai, me këshilltarin e tij E.House, filloi ta formulojë bazën e Paqes së re në botë, që do të bazohej në idenë kryesore: “e drejta e gjithë popujve që të zgjedhin qeverisjen që e dëshirojnë”.Në bazë të kësaj ideje filloi të paraqitet gradualisht harta e botës së re: Polonia duhet t’i rifitojë kufijtë e saj si shtet i lirë dhe i pavarur, si edhe Belgjika e Serbia, kurse Perandoria Osmane duhet të shpërbëhet, që popujt atje të gëzojnë të drejtën për vetëvendosje.

Siç shihet këtu, fati i popujve sllavë dhe garantimi i shteteve nacionale për ta, përkatësisht për Poloninë e Serbinë, ishte i theksuar qysh në ditët e para. Kjo mund të lidhet lehtë me praninë e dukshme të sllavëve në SHBA në atë kohë (rreth pesë milionë) dhe ndikimin e tyre në jetën politike e ushtarake.

Pas dy javë diskutimesh me këshilltarin E.House, Wilson-i në janar 1917 u paraqit para Kongresit Amerikan me vizionin e ri për rolin amerikan në botën e re të pasluftës, përkatësisht për detyrimin e SHBA-ve në ndërtimin e Paqes në botë me anë të “Ligës së Paqes” ose “Ligës e Kombeve” siç do të njihet më vonë. Mirëpo, Gjermania u përgjigj më 31 janar 1917 me lëshimin e nëndetëseve për t’i fundosur të gjitha anijet që u afroheshin Britanisë. Kështu, me eskalimin e luftës dhe fundosjen e anijeve civile me udhëtarë amerikanë, Wilson-i ishte detyruar të shkojë në Kongres në prill të 1917-tës për ta arsyetuar shpalljen e luftës kundër Gjermanisë. Megjithatë, vlen të përmendet këtu, se SHBA-të i shpallen luftë vetëm Gjermanisë, pra as Austro-Hungarisë e as Turqisë, që ishin aleate të Gjermanisë. Për këtë arsye, SHBA-ja e mori statusin “shtet i asocuar” e jo “shtet aleat”, me çka Wilson-i kishte hapësirë të lirë për të menduar ndryshe e për ta paraqitur vizionin e ri për botën e re, që nuk përkonte fare me shtetet aleate (Britania, Franca e Rusia). Kjo u pa menjëherë kur erdhi ministri i Jashtë Britanik (A.Balfour) për vizitë zyrtare në Washington në fund të prillit 1917, gjoja që ta falënderojë SHBA-në për hyrjen në luftë. Mirëpo, në darkën e mbajtur më 30 prill 1917 Wilson-i u befasua kur A. Balfour-i ia pezantoi përmbajtjen e konventave sekrete midis Britanisë, Francës e Rusisë (Konventa e Londrës më 1915, Marrëveshja Sykes-Picot 1916), më të cilat i ndanin midis tyre territoret e Ballkanit dhe të Perandorisë Osmane. Wilson-i reagoi menjëherë, duke thënë se këto konvente-marrëveshje sekrete janë në kundërshtim me “të drejtën e popujve në vetëvendosje” dhe se “Paqja e ardhshme bazohet në diplomacinë publike e jo në konventet sekrete”.

Mirëpo, koncepti i Paqes së re, që bazohet në “të drejtën e popujve në vetëvendosje” dhe në “shtetet nacionale” në vend të perandorive, do të duhej – sipas Wilson-it – të mbështetet në shkencë, përkatësisht në njohuri të gjera e të sakta në fushat e historisë, gjuhësisë, etnografisë, ekonomisë, gjeografisë e tjera, për t’i njohur mirë popujt e botës e për të përgatitur harta precize të shteteve të reja nacionale, që mund të formoheshin, gjë që e forcon shumë pozitën amerikane në konferencën e Paqes, që do të pasonte pas përfundimit të luftës

Komisioni kërkimor “The Inquierty”

Në këtë kontekst, Wilson-i mori një memorandum prej ministrit të Jashtëm E. Lansing në gusht 1917 në lidhje me përgatitjen e shteteve tjera për Konferencën e Paqes që do të pasonte pas përfundimit të luftës. Në këtë memorandum, Lansing-u u nis duke theksuar rëndësinë e informacioneve që do t’i kishte negociatori për t’ia propozuar Wilson-it që të formojë një ekip ekspertësh të fushave të ndryshme që t’ia përgatisë delegacionit amerikan të gjitha të dhënat e duhura për të vendosur kufijtë e shteteve të reja e për ta vendosur fatin e kolonive. Lansing-u për kryetar të këtij ekipi e propozoi këshilltarin e besueshëm, E. House.

Wilson-i e mirëpriti propozimin dhe në vjeshtën e vitit 1917 e emëroi E. House përgjegjës për këtë ekip, duke kërkuar prej tij që në krye të këtij ekipi shkencor të jenë njerëz me orientim libral. Kështu, E. House e zgjodhi filozofin dhe ekspertin në historinë ekonomiko-politike S. Mezes si drejtor, ish socialistin W. Lippmann si sekretar, si dhe kryetarin e Shoqatës Gjeografike amerikane I. Bownan si bartës të punës kërkimore. Me ardhjen e I. Bowman-it u forcua tani mendimi se gjeografia fizike dhe demografike është bazë për përgatitjen e hartës e botës së re me shtetet e reja nacionale.

Efekti i punës së këtij ekipi u pa menjëherë pas 3 muajve. Kështu, në fillim të dhjetorit të vitit 1917 Wilson-i kërkoi prej ekipit një draft për parimet e Paqes së re, që Presidenti dëshironte t’ia prezantojë botës. Gati një muaj 4 anëtarët, në krye me I. Bowman-in, e përgatiten një draft me dy faqe në bazë të hartave, statistikave, marrëveshjeve sekrete etj me titull “Qëllimet e luftës dhe kushtet e propozuara për paqë”. Wilson-i e mori atë draft dhe, pasi intervenoi aty-këtu, më 08.01.1918 ia shpalli botës dokumentin me titull “14 Pikat”. Atëherë, shpallja e ” 14 pikave “, që i atribuoheshin Wilson-it, kishin jehonë të madhe në botë.

Me vonë, numri i anëtarëve të këtij ekipi u rrit shpejt deri në 200 gati, duke përfshirë profesorë e ekspertë nga universitetet më të njohura amerikane (Princeton, Yale, Harvard e Colombia). Ekipi u shndërrua në një grup të madh punues me 6 seksione (gjeografia, historia, administrata e politika, e drejta ndërkombëtare, shkencat shoqërore e strategjia). Ekipi mori një karakter sekret me kodin “The Inquirity”, duke mbajtur mbledhjet e diskutimet në selinë e Shoqatës Gjeografike Amerikane në New York, e cila kishte bibliotekë të pasur me burime e harta. Anëtarët paraqisnin rregullisht raporte me 2-3 faqe, por edhe me më shumë faqe, që preknin çështje të ndryshme, kurse ajka e punës së tyre u krye në fund të vitit 1918-të dhe më 21 janar 1919 iu dorëzua presidentit Wilson, që ta këtë me vete në Konferencën e Paqes në Paris. Në fakt, fjala ishte për një raport sekret me 120 faqe, që përmbante analiza, rekomandime dhe harta për shtetet e reja nacionale që duhej të formoheshin. Raporti në fjalë ishte me titull “Outline of tentative report and recomendations prepared by the Intelligence Section, in accordance with instructions, for the President and the plenipotentaries”, por ai më shumë u njoh si “Black Book”, sepse kopjet që iu dhanë Presidentit dhe anëtarëve të delegacionit amerikan u mbulua me lëkurë të zezë. Me kohë u humbën të gjitha kopjat dhe mbeti vetëm një kopje në arkivin e I. Bowman-in në bibliotekën universitare “John Hopkins”, që u shfrytëzuar edhe për këtë punim.

Libri i Zi: rëndësia dhe pasojat

Raporti sekret ose “Libri i Zi” ishte vetëm “rezyme” e punës së madhe të komisionit “Inquierty”, sepse nga selia e Shoqatës Gjeografike Amerikane në New York në dhjetor të vitit 1918 u bartën qindra kuti me raporte e harta për në Paris, pra me delegacionin amerikan, i cili ishte më i madhi në Konferencën e Parisit (gati një mijë vetë).

Vet “Libri i Zi” i kishte vetëm 98 faqe me parime të përgjithshme e rekomandime me 21 harta për secilin rast veç e veç, përkatësisht për “shtetet nacionale” që mund të krijoheshin pas shembjes se 3 perandorive (Gjermane, Austro-Hungareze e Osmane). Në përgjithësi, raporti paraqiti analiza e harta për kufijtë e shteteve që e humbën luftën, si dhe për kufijtë e shteteve të reja nacionale, që u propozuan në katër kategori:

  1. Territoret që gjenden nën okupimin ushtarak e që duhet ta gëzojnë “të drejtën për vetëvendosje” (kufiri lindor i Gjermanisë etj).
  2. Vendet që dëshirojnë të bëhen anëtare në familjen e shteteve të pavarura (Finlanda, Ukraina, Arabia etj).
  3. Shtetet me pakica që kanë nevojë për mbrojtje (Turqia e shtetet ballkanike).
  4. Shtetet që kanë pretendime territoriale ose kërkesa për dalje në det (Polonia etj).

Prania e “Librit të Zi” në duart e Wilson-it (i vetmi president në Konferencën e Paqes) dhe të anëtarëve të delegacionit amerikanë në komisione të ndryshme, e bëri efektin e vet me ato të dhëna dhe harta të reja të “shteteve të reja nacionale”, të propozuara në Evropë dhe në Lindjen e Mesme (në vend të Perandorisë Osmane). Kështu, hartat e propozuara në “Librin e Zi” për “shtetet e reja nacionale” në vend të perandorive të shkatërruara u pranuan me modifikime të vogla, sikurse Austria, Polonia, Çekosllovakia, Jugosllavia, Shqipëria etj.

Megjithëse kriteri kryesor ishte ai gjuhësor-kulturor, e jo ai historik, që nuk e preferonte Wilson-i, në hartat e propozuara për shtetet e reja nacionale u bënë lëshime në interes të shteteve të preferuara e në dëm të popullsisë autoktone, siç ndodhi me hungarezët e shqiptarët në shtetin e ri të propozuar: Jugosllavia.

Rekomandimet e Librit të zi për Shqipërinë Veriore dhe Kosovën

Përkundër kritereve shkencore gjuhësore-kulturore, në Librin e Zi kemi dy qëndrime kontradiktore në lidhje me shqiptarët, përkatësisht më Shqipërinë e Kosovën. Ky qendrim del në rekomandimet për dy “shtetet nacionale” të propozuara: Shqipëria dhe Jugosllavia.

Në rastin e shtetit të ri të propozuar (Yugo-slavia) shkencëtarët amerikanë që i hartuan tezat e rekomandimet në “Librin e Zi” u nisen prej “fakti” se “Lidhjet politike dhe gjuhësore të popullit që propozohet të bashkohet në një shtet janë të njohura dhe nuk kanë nevojë për argument. Por, ky shtet (Yugo-slavia) duhet të jetë federatë e përbërë prej krahinave autonome që do t’i respektojnë dallimet fetare, historike dhe etnike të serbëve, malazezëve, kroatëve dhe sllovenëve”. Me fjalë tjera, këtu pranohen vetëm katër elemente formuese të shtetit të ri: serbët, sllovenët, kroatët dhe malazezët, kurse mohohen boshnjakët, të cilët u paraqiten me identitet të qartë gjatë sundimit austro-hungarez 1878-1918.

Në lidhje me Kosovën hetohet se shkencëtarët amerikanë i kanë anashkaluar kriteret bazë gjuhësore-kulturore, dhe ekonomike ndonjëherë, duke marrë për bazë kriterin historik proserb për përfshirjen e Kosovës brenda “shtetit të ri nacional” të propozuar për Sllavët e Jugut. Mirëpo, duke marrë parasysh praninë shqiptare në Kosovë dhe lidhjet gjuhësore-kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve me Shqipërinë e propozuar si “shtet nacional” për shqiptarët, Libri i Zi u paraqit me një qasje interesante për fatin e Kosovës. Ndonëse bëhet fjalë për një “shtet nacional” për Sllavët e Jugut, të përcjellë me një hartë të qartë për kufijtë e këtij shteti (Harta 1), Rekomandimi nr. 4 i prek në thelb kriteret themelore të Librit të Zi për shtetin nacional të propozuar për shqiptarët (Albania), duke propozuar që malësorët e Shqipërisë veriore të bashkohen me “vëllezërit” e tyre në Serbinë e Malin e Zi, përkatësisht në Jugosllavinë e propozuar. Kështu, në rekomandimin nr. 4 thuhet: “Rekomandohet të merret parasysh propozimi tentativ që të bashkohen malësorët në Shqipërinë veriore me të afërmit e tyre në Serbinë perëndimore dhe në jug të Mait të Zi dhe ky grup homogjen të vendoset në një njësi autonome në Jugosllavinë me mandat të Ligës së Popujve, duke gëzuar të drejtën e qartë për ankesa në Ligën e Kombeve në rast të represionit”. Mirëpo, nëse shikohet mirë, hartën e paraqitur për këtë njësi (Harta 2) del se ajo e përfshinte Dukagjinin, pra Prizrenin, Gjakovën, Pejën etj.

Si në rastin e parë (Yugo-slavia), ashtu edhe në rastin e dytë (Albania) kemi kontradikta të qarta me kriteret themelore të Librit të Zi, pra kriteret gjuhësore-kulturore që i diktojnë kufijtë e “shtetit nacional”. Po ashtu, kemi këtu një tendencë të re në të drejtën ndërkombëtare me propozimin e një mandati të Ligës së Popujve mbi shqiptarët në dy njësi autonome të propozuara në Jugosllavinë e re.

Mirëpo, fati i shqiptarëve me këto propozime nuk varej më prej Wilson-it, por prej Kongresit Amerikan. Gjatë qëndrimit të gjatë të Presidentit Wilson në Paris, opozita republikane e ngriti zërin kundër Wilson-it dhe wilsonizmit, duke apeluar për mosaprovimin e Konventës së Ligës së Popujve në Kongres, duke e konsideruar se ajo cenon sovranitetin e SHBA-ve “në paqe e në luftë”. Në saje të kësaj fushate kundër tij, Wilson-i u detyrua të kthehet në SHBA për një turne të gjatë shtatorit të vitit 1919, duke e promovuar Ligën e Popujve derisa ra i sëmurë dhe u paralizua pjesërisht në tetor të vitit 1919, kurse Kongresi votoi me shumicë kundër aprovimit të Konventës së Ligës së Popujve në mars të vitit 1920.

Me këtë votim u krijua një kontrast në rendin e ri botëror: vetë SHBA-të, që ishin inciatore për formimin e Ligës së Popujve si bartës të rendit të ri botëror mbetën jashtë Ligës së Popujve, kurse fjalën kryesore në Ligën e Popujve e morën po ato shtete (Britania, Franca e Italia), që nënshkruan traktatin sekret të Londrës më 1915, që ishte në dëm të popullit shqiptar.**

*Historian, anëtar i akademive të Sirisë (2000), të Kosovës (2010) dhe të Bosnjës (2018); aktualisht drejtor i Institutit për Studime Orientale në Prishtinë.

**Fragmente nga një punim i gjatë.

Legjendat

Harta e propozuar për shtetin Yugo-slavia

Pjesa e Shqipërisë veriore që u rekomandua t’i bashkohet Jugosllavisë