` . Dy opsione për një karrige! - TV-SHENJA

Dy opsione për një karrige!

Ahmeti i zhvilloi takimet në selitë e dy partive maqedonase, edhe pse pozicioni i liderit të BDI-është i tillë që ai duhet të pret në zyrën e tij mandatarin Nikolla Gruevski ose liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, e jo të vrapojë në selitë e tyre. Opsioni i koalicionit me VMRO- DPMNE-në do të ishte fatal për BDI-në. BESA, por edhe Aleanca për Shqiptarët, kanë komoditetin e tyre që të qëndrojnë në opozitë dhe të përgatiten për zgjedhjet vendore, por edhe ato të reja parlamentare.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Qytetarët janë në pritje. Kush do ta formojë qeverinë e re? Si do të ecë përpara Maqedonia? Me aktorët e vjetër qeveritarë, VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, apo me ndonjë konfigurim tjetër politik, i reflektuar në pushtetin ekzekutiv? Partia e Gruevskit dhe ajo e Ahmetit në 8 vitet e tyre të funksionimit kanë pasur amplituda të ndryshme, shpesh kanë inskenuar kriza qeveritare, duke prodhuar edhe incidente ndëretnike, por konstantë e përhershme ka qenë ruajtja e marrëdhënieve korrekte qeveritare, që kritikët i quanin raporte tenderore, të cilat demokracinë nga një sistem vlerash, që reflekton vullnetin e popullit, e shndërruan në tenderokraci. Kur kishte kriza, madje edhe të atilla që impononin rishqyrtimin e pozicionit të BDI-së në qeveri, Ali Ahmeti përdorte me zhdërvjelltësi deklaratën e tij “legjendare”: “Nëse dalim nga qeveria, ku do të shkojmë, te shpija”?”, pyeste Ahmeti dhe mbështetej nga bashkëpartiakët, sidomos nga krahu i tenderokratëve. Këtyre ditëve u inaugurua Trump-i, i cili hyri në politikë si miliarder, ndërsa simbolikisht do të paguhet 1 dollarë në vit, pasi ka hequr dorë nga paga e tij presidenciale. Ndërkaq një pjesë e madhe e politikanëve shqiptarë, por edhe maqedonas, hynë në politikë me 1 dollarë në xhep (ndoshta edhe atë s’e kishin) dhe nga politika u bënë milionerë. Kjo është një temë tjetër, por që nuk i shmanget ndërlidhjes së përhershme me aktualitetin politik. Sepse, tenderët shpesh kanë i “kontrabanduar” konceptet, idetë dhe platformat politike shqiptare!

Kush do ta formojë qeverinë e re?

Pas 8 viteve të qeverisjes së përbashkët, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, tashmë i kanë filluar bisedimet për formimin e qeverisë. Pas takimit kokë më kokë midis Ahmetit dhe Gruevskit komunikata për publikun ishte shumë e varfër, pa informacion dhe që nuk linte shumë hapësirë për optimizëm për formatimin e qeverisë së re. Por, asnjëherë nuk duhet përjashtuar këtë koalicion, qoftë edhe në masën 1 %! Megjithatë, qëndrimet rreth qeverisjes dhe kushteve për formimin e qeverisë së re i shprehën përmes mediave, duke përdorur instrumentin e marrëdhënieve me publikun, që është komunikata. Përshtypja është se dy partitë, që morën më shumë vota në kampet politike/etnike, sikur i kanë mbyllur dyert për koalicion. Kjo, sepse kushtëzimet i kanë bërë të tilla në mënyrë të ndërsjellë, që të mos arrihet deri te marrëveshja. VMRO-DPMNE-ja është decide: Prokuroria Speciale Publike nuk do të ekzistojë, ndërsa BDI-ja e mendon të kundërtën. Të paktën deklarativisht! “Pavarësisht se vallë do të formohet qeveria e re dhe kush do ta formojë atë, çfarë do që të ndodhë, VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni ‘Për Maqedoni më të mirë’ nuk do të bëjë koalicion e as që do të lejojë ndryshimin e rregullimit kushtetues, me qëllim që të ketë dygjuhësi në gjithë territorin dhe nuk do ta lejojnë vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatën e partisë së Gruevskit. Për BDI-në, ndërkohë, mandati i vazhduar i Prokurorisë Speciale, dygjuhësia dhe integrimet euroatlantike janë kërkesa thelbësore, nga të cilat nuk do të heqin dorë. Zëdhënësi partiak Bujar Osmani është shprehur se këto tre kërkesa janë parakushtet për vazhdimin e bisedimeve për pikat tjera. “Nuk mendoj se këto kërkesa e cenojnë ndonjërën nga partitë politike maqedonase. Nuk do të heqim dorë nga zbardhja e rasteve të montuara politike, pikë e cila është pjesë e platformës së përbashkët shqiptare”, u shpreh Osmani. Shkaqet se pse VMRO-DPMNE-ja nuk pranon që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare, sipas kësaj partie, bazohen në angazhimin për shtet unitar dhe mbrojtjen e rregullimit kushtetues. Por, nga partia e Ahmetit kanë thënë se kërkojnë që gjuha shqipe, e barabartë me maqedonishten, të rregullohet në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, sepse zyrtarizimi i saj e bashkon shoqërinë”.

BDI-ja mund të pranojë zgjedhje të reja

Ali Ahmeti, duke u shprehur se është në hall të madh ka ofruar 5 opsione, midis të cilëve i pari koalicion me partnerin e deritanishëm qeveritar, VMRO-DPMNE-në. Zëdhënësi Osmani u shpreh: “Bisedimet kanë filluar edhe me partinë fituese për të formuar qeverinë e re, ekzistojnë dilema në partinë tonë se çfarë rruge duhet të zgjedhim, ku ne kemi futur në tavolinë pesë opsione, ku njëra është që të bëjmë koalicione me partinë fituese në kampin maqedonas, është një parim shumë i rëndësishëm që e kemi nënshkruar me marrëveshje edhe me SHBA-në, fituesi te pala maqedonase formon qeveri me fituesin te pala shqiptare dhe në këtë mënyrë respektohet vullneti i dy komuniteteve shumicë në Maqedoni”, u shpreh Osmani në Uashington për Zërin e Amerikës. Me gjithë këtë deklarim të Osmanit, katër nënkryetarët e partisë së Ahmetit: Izet Mexhiti, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Sadulla Duraku, si dhe thuajse e gjithë Kryesia Qendrore e BDI-së, kundërshtojnë koalicionin me VMRO-DPMNE-në, sepse në zgjedhje e paguan çmimin e koalicionit pa kushte me Gruevskin. Në BDI nuk ka ndonjë zë më të artikuluar, i cili angazhohet për koalicion me VMRO-DPMNE-në, por duhet pasur parasysh që çelësi për vendimin përfundimtar është vetëm në dorën e liderit të BDI-së, Ahmeti. Këtë ia mundëson edhe statuti partiak, i cili është me prirje antidemokratike! Nevzat Bejta ishte i pari i cili deklaroi se është shumë pak i mundur koalicioni me VMRO- DPMNE-në. “Nuk kam takuar asnjë shqiptar i cili pajtohet që të ketë koalicion me VMRO-në”, u shpreh Bejta, duke paralajmëruar i pari se BDI-ja definitivisht po e rishqyrton pozicionin e saj. Opsioni i koalicionit me VMRO-DPMNE-në do të ishte fatal për BDI-në, pasi opinioni publik shprehet qartë se nuk është aspak i interesuar për këtë opsion.

Opsioni i dytë është formimi i qeverisë së re me Lidhjen Socialdemokrate. Ende pa përfunduar negociatat me Nikolla Gruevskin, Ahmeti e takoi liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Takimi u tha se ka qenë konstruktiv dhe janë lënë të hapura mundësitë për takime të reja. Më shumë detaje nuk janë dhënë nga LSDM-ja, parti kjo e cila po hesht në mënyrë taktike mbi Platformën shqiptare, ndërsa mediat e pushtetit, VMRO-DPMNE-ja dhe një pjesë e opinionit shqiptar, me ngulm kërkojnë që kjo parti të deklarohet mbi të. Përveç Fërçkovskit, një eksponent i regjur i LSDM-së në elitën intelektuale maqedonase, i cili doli hapur kundër Platformës, të paktën deklarativisht, nuk është dëgjuar ndonjë zë tjetër opozitar maqedonas kundër saj! Takimi u zhvillua në selinë e LSDM-së, ndërsa pozicioni i liderit të BDI-së Ali Ahmeti është i atillë që ai duhet ta presë në zyrën e tij mandatarin për formimin e qeverisë, Nikolla Gruevski ose kandidatin opozitar për mandatar, liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, e jo të vrapojë në selitë e tyre. Ky veprim politik jotaktik, i pamenduar mirë, më tepër mund të interpretohet si një vrap pas pushtetit, gjë që është normale, sepse partitë politike luftojnë për pushtet, megjithatë nuk është hap i arsyeshëm në kuptimin e realizimit të agjendës apo Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare: Me vetë faktin që kjo parti u ofrohet partive maqedonase, qoftë VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, e ul nivelin e kërkesave ose jep sinjale së kompromisi duhet të jetë më i madh.

Opsionet tjera janë qeveria e gjerë teknike ose politike, zgjedhje të reja ose shkuarja e BDI-së në opozitë. Opsioni i formimit të qeverisë së re të gjerë do të ishte jofunksional dhe joefikas, meqë nuk do të mund të kishte mandat të qartë politik. Ngjashëm siç është pak i realizueshëm opsioni i shkuarjes së BDI-së në opozitë, meqë kjo do të thotë që të homogjenizohet VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja, opsion i pamundur, të cilin kategorikisht e hedhin poshtë socialdemokratët. Mbetet opsioni i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nëse përveç VMRO-DPMNE-së, edhe LSDM-ja nuk e pranon Platformën shqiptare, në lojë mbeten zgjedhjet e parakohshme, bashkë me ato lokale, në maj të këtij viti. Opsion i cili do të mund të bëhet më i realizueshëm, nëse del i vërtetë spekulimi se presidenti Ivanov do të dorëhiqet, duke mos e mandatuar liderin opozitar Zoran Zaev!

Opozita shqiptare ka komoditet politik

Përderisa BDI-ja nuk e përjashton koalicionin me VMRO-DPMNE-në, dy grupacionet më të mëdha politike opozitare, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, janë të vendosura që vetëm me VMRO-DPMNE-në dhe Gruevskin nuk pranojnë koalicion qeveritar. Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i BESË-,s ka deklaruar se nëse LSDM-ja tregon gatishmëri për të biseduar për pikat e Platformës, do të ulen të bisedojnë me ta. Të njëjtën e ka deklaruar në emër të Aleancës për Shqiptarët edhe sekretari i përgjithshëm i LR PDSH-së, Arben Taravari.

BESA ka vendosur si kushte për formimin e qeverisë mbylljen e çështjeve etnike, siç janë zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, barazia ekonomike, Prokuroria Speciale, por edhe një Gjykatë Speciale ose një departament në kuadër të Gjykatës Penale dhe integrimin në BE dhe NATO. Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët, përveç këtyre kushteve, vlerëson se edhe decentralizimi më i madh i pushtetit duhet të jetë kusht për pjesëmarrje në qeveri. BESA, por edhe Aleanca për Shqiptarët, e kanë komoditetin e tyre që të qëndrojnë në opozitë dhe të përgatiten për zgjedhjet vendore, por edhe ato parlamentare, meqë jetëgjatësia e qeverisë do të jetë e shkurtër. Kjo, sepse si formacione të reja politike nuk kanë nevojë të marrin përgjegjësinë politike për daljen e vendit nga kriza politike, kur dihet se nuk i kanë kontribuar asaj me asgjë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja gati se 10 vite po e drejtojnë vendin me kriza të njëpasnjëshme.

Postime të Ngjajshme