` . Dy javë kritike për Sirinë – TV-SHENJA

Dy javë kritike për Sirinë

Procesi diplomatik po përshpejtohet për të gjetur një zgjidhje politike për luftën civile e cila vazhdon që prej gati 7 vitesh në Siri. Fakti që bisedimet në Gjenevë nuk kanë qenë në gjendje të prodhojnë rezultate deri më tani, kjo situatë ka sjellë kthimin e vëmendjes në samitin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, që do të zhvillohet në qytetin e Soçit të Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Armëpushimi, i cili hyri në fuqi në dhjetor të vitit të kaluar me iniciativën e Turqisë dhe Rusisë, pavarësisht shkeljeve të regjimit të Bashar al Asadit mundësoi fillimin e procesit në Astana, i cili pas një viti do të hapte rrugën për negociata të reja në Gjenevë të Zvicrës.

Këtë vit në Gjenevë, përfaqësuesit e regjimit të Asadit dhe të opozitës u takuan katër herë me një numër të madh përfaqësuesish, përfshirë të SHBA-ve, vendeve evropiane, Turqisë, Rusisë dhe Iranit. Në negociatat ku tranzicioni politik në Siri duhet të diskutohet në kuadrin e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), para opozitarëve janë vendosur për diskutim tema të ndryshme, si “lufta kundër terrorizmit”.

Bisedimet në Gjenevë mbetën pa rezultat, pavarësisht faktit se në procesin Astana u vendosën nën kontroll të konsiderueshëm sulmet e regjimit të Asadit dhe konfliktet e grupeve të mbështetura nga Irani. Në Gjenevë më 28 nëntor pritet që palët të zhvillojnë negociatat e tyre të 8-ta. Burimet e OKB-së raportojnë se përqendrimi në negociata do të jetë për hartimin e kushtetutës dhe luftën kundër terrorizmit.

Opozitarët kritikojnë SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore për mosvendosjen e peshës së tyre në procesin në Gjenevë. Mos arritja e ndonjë rezultati në Gjenevë ka sjellë që vëmendja të kthehet në samitin e Soçit.

Samiti i vendeve garantuese në Soçi

Me pjesëmarrjen e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin dhe Presidentit iranian, Hasan Ruhani, në qytetin Soçi do të mbahet nesër një samit trepalësh me temë Sirinë.

Ministrat e jashtëm dhe komisionet teknike të tre vendeve garantuese të procesit në Astana përfunduan javën e kaluar në Antalia përgatitjet paraprake për samitin. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, kishte nënvizuar se ishte e pamundur që të pranonin ftesën e organizatës terroriste PKK/PYD të cilën Rusia e kishte planifikuar për “Kongresin e Popujve të Sirisë”.

Mësohet se në samit pritet që të publikohet një deklaratë e përbashkët. Në samit do të diskutohet për “Kongresin e Popujve të Sirisë” të cilin Rusia për shkak të kundërshtimin nga regjimi i Asadit e ktheu në “Kongresin e Dialogut Kombëtar”, si dhe do të diskutohet për përgatitjet për takimin, i cili pritet të zhvillohet më 3 dhjetor.

Turqia kundërshton përfshirjen e organizatës terroriste PKK/PYD në procesin e “Kongresit të Dialogut Kombëtar”. Në rast të plotësimit të këtij kushti, për Ankaranë do të jetë më e lehtë për mbështetjen e vazhdimësisë politike të procesit Astana dhe mbështetjen për punimet e platformës së “Kongresit të Dialogut Kombëtar”.

Mbështetja e “Kongresit të Dialogut Kombëtar” nga Ankaraja do të jetë e mundur nëse pjesëmarrësit përbëhen nga grupet opozitare që mbrojnë unitetin dhe integritetin e Sirisë. Edhe Irani, ashtu si Turqia, beson se pjesëmarrësit në “Kongresin e Dialogut Kombëtar” duhet të përcaktohen së bashku nga vendet garantuese.

Nga ana tjetër, Ankaraja thekson se në mënyrë që punimet në Gjenevë të mos bëhen krejtësisht jofunksionale, duhet të vazhdojnë në bazë të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Takimi i Riadit dhe përpjekjet për “formësimin” e opozitës

Opozitarët të cilët janë përpjekur të marrin pjesë si një trup i vetëm në negociatat ndërkombëtare, ata në shkurtin e kaluar arritën një unitet me bazë të gjerë në Riad, duke përcaktuar Komitetin e Lartë të Negociatave, i cili pas mori mbështetje të gjerë nga grupet opozitare ushtarake, mori pjesë si përfaqësues legjitim i opozitarëve në negociata.

Së fundmi anëtarët e Koalicionit Kombëtar të Opozitës Siriane dhe Forcave Revolucionare që janë institucioni çati i opozitarëve, grupet e njohura si platformat e Kajros dhe Moskës, disa grupe ushtarake opozitare dhe emra të pavarur kishin planifikuar të mblidheshin në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, më 22-24 nëntor. Por me dorëheqjen ditën e djeshme të koordinatorit të përgjithshëm të Komitetit të Lartë të Negociatave, Rijad Hixhab, në rendin e ditës erdhi shtyrja e takimit.

Burimet opozitare mbrojnë idenë se Hixhab ka mbetur i detyruar të largohet si pasojë e iniciativave të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA). Gjithashtu burimet njoftojnë se Arabia Saudite dhe EBA për shkak se kanë një qëndrime kundër Katarit kohët e fundit, kanë dashur të lënë jashtë funksioni Hixhab-in dhe se kanë dashur të formojnë sipas përparësive të tyre delegacionin që do të marrë pjesë në negociatat ndërkombëtare.

Gjatë bisedimeve të zhvilluara nga ministrat e jashtëm të vendeve garantuese të dielën në Antalia, bëhet e ditur se edhe zyrtarët sauditë kryen takime në Riad me Aleksander Lavrentiyev, përfaqësuesin special për Sirinë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ka tërhequr vëmendjen fakti që takimi u zhvillua pak para takimit në Soçi dhe mbledhjes së “Kongresit të Dialogut Kombëtar”.