` . Dy fjalë vetes mund t’ia themi - TV-SHENJA
Dy fjalë vetes mund t’ia themi

Dy fjalë vetes mund t’ia themi

Një natë të largët, një lot u rrokullis. Rrëshqiti mbi faqe, mbi buzë u qëndis. Vinte era myshk. Ishte krejt i pastër. Në thellësi të natës, sytë seç m’i dogji. Një e bardh’ e ndezur, fort më përpoqi. Fuqinë ma mpaku, si lis u këputa. Kërkova strehë, nuk pashë ku u futa.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Për aq sa qëndron në përkohësi, t’u jepet përparësi çështjeve më të rëndësishme duhet. Nëse gdhihesh plot energji, rend, lodhu! Hijen mos e përdor punën për të anashkaluar, por për të marrë fuqi. Bluaje ditën në mullirin e punës, pa ia ndarë vetes energjinë e stuhisë dhe furtunës. Ditën mbylle i djersitur. Quaje fitore edhe nëse ndihesh i drobitur. Buka që do ta hash me zemër do të thotë: – Eja! Ulu në sofrën e përgatitur.

Ngadalë vjen gjumi, të merr në pëqi. E ndjen se je lodhur. Kërkon të pushosh. Do vetëm të flesh e të mos çohesh. Gjëma, habere të hidhura të mos dëgjosh. Mallkimeve me pa të drejtë sa më larg t’u qëndrosh. Nga eshkë e dëshirave të mos mposhtesh. Kujdes të mos digjesh, duhet të tregosh. Zjarri eshkës është më i keqi zjarr. Digjet krejt ngadalë. As frymë nuk të lë të marrësh. Gjithë kohën mushkërinë ta shpon me erën e zdralët. Kongjill në përfundofsh, nuk dihet se çfarë më pas duhet të durosh.

Kështu mbyll një natë. Të nesërmen rend me vrap. Kap diellin pa gdhirë, që stomaku mos të të bëjë zap. Ndërkohë që sakrifikon, moralin me nofullat çelik kurrë të mos e lëshosh. Nëse nofullat lëviz sadopak nga uri e stomakut, humbet aq shumë, sa nuk e merr me mend sa i bëhet qejfi qoftëlargut.

Shpirti lëngon e ngadalë trupi tretet. Mes dhimbjesh dorën zgjat pasqyrën për të marrë. Me krahun hollak, të rëndë e ndjen pasqyrën e vogël, që të vërtetën e madhe të tregon. Sytë kërkon të shohësh dhe përmes tyre vragat poshtë syve të kundrosh. Rëndohesh. Tmerrohesh. Veten nis e pyet. Kështu si u katandisa? Moralin pse e quajta punë plakash dhe e braktisa? Plaga, thellë në shpirt, kullon. Ditë pas dite mahiset. Trupin e mundon.

Shpirti ndizet zjarr. Balli me djersë mbulohet. Dhimbjet e zemrës ngadalë mëkoji. Ushqeje zemrën me dituri e urtësi. Në ditsh mjekim tjetër që e këndell, na thuaj o njeri!

A e kujton kur për herë të fundit zemra ka lotuar? Shenjë e dhimbjes së thellë për të ligën që ke vepruar. Sytë çeli ngadalë. Gjumin hidhe tutje. Shtratin e butë braktise. Zemrën me ëmbëlsi gostite. Kujdesu për të se është shpirti vetë. Ndryshe do ta humbësh, siç vdes dimrit një bletë.

Nëse një botë të re kërkon të ndërtosh, moralin pse kërkon ta zbosh?

Pa të suksesin kam të garantuar. Pasuria, fama, nami më pret. Të gjithë për mua do brohorasin. Do më nderojnë e përulen kur të hyj si princ kaluar. Nuk do kem nevojë t’i përulem kujt. Rrëshqanthi do vijnë për të më takuar. Ngado do më rrethojnë, me lavde mbuluar. Urdhrat do m’i dëgjojnë. Do vrapojnë si era për t’i zbatuar. Kështu rrohet e gëzohet jeta. Pasuri kur fiton e plot mbushet kuleta.

Këto më thoshte nefsi një natë kur plagët e varfërisë me shponin ndë jatak. Të hidhura janë këto plagë, por shumë nuk do rrojnë. Ditët rrjedhin. Ilaç do sjellin. Plagët do t’i shërojnë. Këtu asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Sekush plotëson kohën e vet dhe çasti kur vjen, ikën e të lë e më nuk e gjen.

Do ngrihet shpirti. Po ashtu dhe trupi. Anekënd botës si zog i dalë prej kafazi do të fluturojë. Në degët e blirit, në oborrin e shtëpisë së kahershme, do kthehet të këndojë. Hareja dhe gëzimi gjithçka rreth e rrotull do mbulojë.

Nefsi do mbetet krejt i shushatur. Si u dokundisai ziu kështu? A nuk jam i fortë njeriun të mund?Ta kap për ballukesh, ta vendos përfund? Nuk di ç’më pengon, përpara ç’më del. Sa herë dua ta përbalt, fuqitë më lënë, kthehem në dembel.

Një natë të largët, një lot u rrokullis. Rrëshqiti mbi faqe, mbi buzë u qëndis. Vinte era myshk. Ishte krejt i pastër. Në thellësi të natës, sytë seç m’i dogji. Një e bardh’ e ndezur, fort më përpoqi. Fuqinë ma mpaku, si lis u këputa. Kërkova strehë, nuk pashë ku u futa.

Ishte lot i pastër, plot sinqeritet. Vetëm një i tillë më bëri ibret. Ah, sinqeritet! Më bëre të vuaj. Ma more njeriun, ma nxore nga duart. Djepin thatë ma le. Ma preve vrullin, më përplase në dhe. Fort më hidhërove. Larg do të shkoj. Prapë do të kthehem, kur njeriu sinqeritetin të harrojë.

Morali, etika, drejtësia, e gjithë të mirat ç’janë?! Janë pemë me fryte, veç sinqeritetin rrënjë kur kanë. Në e do veten ta shohësh lëvduar, mëkoje me sinqeritet. Lart do të ngjitesh, më lart se retë. Atje dielli nuk errësohet. As stuhitë e ngricat nuk mund të afrohen. Ti qëndron në fron, veshur e praruar. Shkëlqen porsi hëna me skeptrin ndër duar. Tani e kuptove kush është mbret në jetë. Ai që vesh rrobat e reja prej tjetërkujt, apo ai që me duart e tij i mat e i pret?

Në do të mos e humbësh këtë bukuri, stolise me thjeshtësi. Asgjë nuk e mpak. Asgjë nuk e përbalt. Gjithmonë shkëlqen e vezullon. Kështu mbetet dhe në përjetësi.