` . “Duhet shpjeguar mirë lojërat që luhen në Lindjen e Mesme” – TV-SHENJA

“Duhet shpjeguar mirë lojërat që luhen në Lindjen e Mesme”

Zëvendëskryetari i Partisë opozitare Republikane Popullore (CHP) në Turqi, Öztürk Yılmaz, tha se Izraeli është projektuesi politik i ngjarjeve në Lindjen e Mesme, duke shtuar se Turqia duhet t’u shpjegojë popujve të këtij rajoni lojërat që luhen atje.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Yılmaz tha se ligji prej 11 nenesh i miratuar dje në Parlamentin izraelit i cili e definon Izraelin si shtet-komb hebraik përmban elemente që do të vështirësojnë më tepër gjendjen e palestinezëve në Izrael dhe mund të shkaktojnë efekte rajonale.

Sipas Yılmaz, ligji në fjalë ka legjitimuar trajtimin e deritanishëm izraelit. Ai shton se ligji u jep të drejtën ekskluzive për të vendosur për të ardhmen e vendit vetëm hebrenjve, ndërsa palestinezët privohen nga kjo e drejtë.

“Palestinezëve u merret e drejta për të vendosur për të ardhmen e tyre. Së dyti, statusi i Kudsit përcaktohet në kuadër të ligjeve izraelite, në vend se të vendoset me marrëveshje mes izraelitëve dhe palestinezëvë, ndërsa Kudsi definohet si kryeqyteti i bashkuar i Izraelit”, tha Yılmaz duke folur për nenet e ligjit.

“Pra, ai llogaritet kryeqytet i plotë dhe i pandashëm i Izraelit, pa marrë në konsideratë ndarjen mes Kudsit Lindor dhe Kudsit Perëndimor, ndërsa kjo gjë saboton përpjekjet për zgjidhje”, shtoi Yılmaz.

Përmes ligjit të miratuar dje, gjuhë zyrtare u definua vetëm hebraishtja, ndërsa gjuhës arabe iu dha status i veçantë, konkretisht u hodh në plan të dytë, tha Yılmaz.

“Ndërkaq, arabishtja ishte gjuhë shtetërore më parë sikurse hebraishtja”, theksoi Yılmaz.

Ai tha se ligji shtyp palestinezët dhe zhduk vullnetin e tyre, edhe pse pa Bregun Perëndimor dhe Gazën përbëjnë 20 për qind të popullsisë 9 milionëshe të Izraelit.

“Mund të cilësohet si ligj që prej përpara ndërpret bisedimet e mundshme të paqes dhe përpjekje për zgjidhjen e njëanshme të çështjeve që në njëfarë mënyre janë pjesë e bisedimeve”, tha Yılmaz, duke e krahasuar gjendjen e palestinezëve në Izrael pas miratimit të ligjit me aparteidin e Afrikës së Jugut.

“Ligji do të ketë reflektime rajonale”

Duke folur edhe për reflektimet rajonale të ligjit, Öztürk Yılmaz kritikoi disa shtete arabe të rajonit.

Sipas Yılmaz, Izraeli ka arritur të mos konsiderohet armik duke bërë që disa vende arabe ta konsiderojnë të tillë Iranin.

“Në këtë mënyrë, mes arabëve ndodhi ndarje. Sipas disa shteteve arabe, Irani është më i rrezikshëm se Izraeli. Duke qenë kështu, kauza palestineze mbeti e braktisur. Në këtë mënyrë, Izraeli nisi përpjekjet për ta forcuar pozicionin e tij duke sjellë ligj mbi ligje. Më herët debatohej për çështjet e vendbanimeve kolone të Izraelit, ndërsa me këtë ligj ato fitojnë legjitimitet”, theksoi Yılmaz.

“Më e rëndësishme, ligji saboton perspektivën për gjetjen e një zgjidhjeje me dy shtete. Ai natyrisht do të ketë reflektime rajonale”, vlerësoi Yılmaz.

Me metodën e Izraelit për t’u “gjetur një armik tjetër”, shtetet arabe nuk reaguan ndaj ligjit të djeshëm, tha Yılmaz, sipas të cilit Izraeli luan me rajonin si të dëshirojë duke përdorur edhe forcën e SHBA-ve.

Yılmaz po ashtu tha se me zhvillimet që ndodhin, palestinezët do të kenë madje status më të ulët se të qenit pakicë.

“Nëse kjo vazhdon në këtë mënyrë, atëherë palestinezëve do t’u ngelet vetëm emri, ndërsa ata do të jenë popull i diskriminuar i klasës së dytë dhe tretë që shesin pemë dhe perime në rrugë.

“Izraeli projektuesi politik”

Duke folur edhe për rekomandimet për zgjidhje, Yılmaz është i mendimit se Turqia fillimisht duhet të shpjegojë se Izraeli është prodhuesi i sentimentit ndarës të Lindjes së Mesme dhe se këtë e bën me ndihmën e SHBA-ve.

“Braktisja e Irakut dhe Sirisë në këtë mënyrë, ngjarjet në Jemen, llogaritja e Iranit si kërcënim tejet serioz nga ana e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, projektuesi politik i të gjitha këtyre është Izraeli. Turqia duhet t’ua shpjegojë këtë popujve të Lindjes së Mesme”, vlerësoi Yılmaz.

“Nëse nuk duam që kauza palestineze të hidhet në kosh plehrash, atëherë duhet shpjeguar mirë këto lojëra që luhen veçanërisht në Lindjen e Mesme, e më pas, shtetet arabe që shprehin ndjeshmëri në këtë çështje dhe Organizata e Konferencës Islame duhet të bëhen më aktive. Kjo gjendje duhet shpjeguar përmes një konference”, konsideron Yılmaz, i cili thotë se duhet krijuar sensibilizim në lidhje me atë se çfarë e kërcënon Lindjen e Mesme dhe cila është forca që ndan këto shtete dhe se gjendja nuk mund të tejkalohet vetëm me reagime, por duke krijuar platforma të përbashkëta. /AA/