` . I duhej 1 pikë për titullin, PSG turpërohet nga Lille - TV-SHENJA

I duhej 1 pikë për titullin, PSG turpërohet nga Lille

Paris Saint Germain i nevojitej vetëm një pikë në ndeshje e javës së 31-të të Ligue 1 për të siguruar matematikisht titullin kampion, por pikërisht përballë ndjekëses më të afërt, Lille, pësoi një nga humbjet më të rënda të dekadës së fundit.

Pavarësisht se luajti me një lojtar më pak për më shumë se 60 minuta lojë, për kampionen në fuqi të Francës është e pajustifikueshme disfata e thellë me shifrat 5-1.

Sfida nisi keq për Parisin, teksa në minutën e 7-të Meunier devijoi drejt portës së tij një top lehtësisht i kontrollueshëm nga mbrojtja. Gjithsesi, parizienët reaguan shpejt duke barazuar me Bernat.

Episodi të ndryshoi rrjedhën e lojës ishte ai i minutës së 36-të me protagonist Bernat, që u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje të gabuar si lojtari i fundit.

Në pjesën e dytë Lille e shfrytëzoi në mënyrë perfekte epërsinë numerike dhe nervozizmin e PSG-së, duke shënuar 4 gola të njëpasnjëshëm me autorë Pepe, Bamba, Gabriel dhe Fonte.

Një disfatë e turpshme kjo për një skuadër ka diferencë të frikshme në cilësi me ekipet e tjera të Ligue 1. /SS/