` . Dronët e armatosur sulmuan instalimet e naftës në Arabinë Saudite - TV-SHENJA

Dronët e armatosur sulmuan instalimet e naftës në Arabinë Saudite

Ministri saudit i Energjisë, Khalid al-Falih, ka deklaruar se dronët e armatosur kanë kryer sulme ndaj dy instalimeve të naftës në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia zyrtare e lajmeve SPA raportoi se al-Falih theksoi se sulmet shënjestruan dy pompat e naftës në tubacionin Lindje-Perëndim, që mban naftë saudite nga provinca lindore në portin Yanbu.

Ai tha se sulmet kanë shkaktuar zjarr në një stacion pompimi, i cili përfundimisht është sjellë nën kontroll.

“Aktet e fundit të terrorizmit dhe sabotimit në Gjirin Arab, që shënjestrojnë objektet vitale, nuk shënjestrojnë vetëm Mbretërinë, por shënjestrojnë edhe sigurinë e furnizimeve të naftës në botë dhe ekonominë globale”, tha al-Falih.

“Këto sulme provojnë përsëri se është e rëndësishme që ne të përballemi me subjektet terroriste, duke përfshirë edhe milicinë e Houthit në Jemen”, shtoi ai.

Sot më herët, televizioni Al-Masirah raportoi se grupi Houthi ka thënë se rebelët kishin kryer sulme ndaj instalimeve të naftës në Arabinë Saudite, pa dhënë detaje më të hollësishme.

Dje, Arabia Saudite tha e dy depozita nafte u goditën nga një sulm në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe, një ditë pasi kjo e fundit tha se katër anije tregtare ishin vënë në shënjestër nga sulmet në brigjet e qytetit port Fujairah.