` . Dritëhijet e demokracisë shqiptare - TV-SHENJA

Dritëhijet e demokracisë shqiptare

Në Shqipëri kanë ndodhur gjëra si në diktaturat më të vrazhda: janë vrarë gazetarë (Ali Ukaj) e veprimtarë (Ahmet Krasniqi, Azem Hajdari, Remzi Hoxha…), biznesmenë (pa numër) e banditë ordinerë, që lindën në krahët e mosfunksionimit të forcës së shtetit (kush i numëron më ata!), janë bërë përpjekje për rrëzim nga pushteti me forcë (1997, 1998), janë rrahur oponentë politikë, janë vrarë protestues, janë zënë në flagrancë pushtetarë në vepra korruptive dhe kanë dalë të pastër…

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Ne, do gjenerata të disa dekadave të kaluara, kemi pasur ëndërr ta shohim Shqipërinë, kur e dinim se sa vështirë ishte të shkosh atje. Për të parë atë Shqipëri të mistifikuar dhe sistem të idealizuar si parajsa e komunizmit. Për atë besim, shumëkush, ishte në gjendje të kalbet në burg. Për dashurinë ndaj Xhaxhit (Enver), por më shumë për “nënën Shqipëri”. Viteve të ‘80-ta, pasi Juga mori teposhtëzën pas ngjarjeve të Kosovës, kur shihej edhe fundi i komunizmit, u rritën shpresat se në Shqipëri do të hiqet perdja e hekurt. Dhe, e prisnin atë ditë gjenerata të tëra. Në shaka u kisha thënë shokëve të mi se kur të vijë ajo ditë, do të shkoj me biçikletë në tokën e ndaluar të ëndrrave…

Edhe pse tashmë kishte vdekur Xhaxhi, Shqipëria mbeti e mbyllur, por – me rënien e shumë regjimeve komuniste – gjërat nisën të ndryshojnë. Do t’i vinte radha edhe atij të Shqipërisë. Por, megjithatë, dëshira për ta parë Shqipërinë si komuniste, m’u plotësua në vjeshtën e 1990-tës, kjo pas një rastësie. Atë verë isha pjesëmarrës i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, ku mori pjesë edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, poezitë e të cilit i kisha lexuar nga një libër që e kisha marrë dhuratë si nxënës i shkëlqyeshëm në fillore. Një poet i ri me poetin e adhuruar në një manifestim letrar. Shoqërimi me të atyre ditëve të gushtit bëri që as pas dy muajsh t’më vijë ftesa për të shkuar në një manifestim kulturor kushtuar Naim Frashërit në tetor në Tiranë, në kuadër të një delegacioni të Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë (Mateja Matevski, Todor Çallovski, Nijazi Muhamedi dhe unë). Më dukej ëndërr. Më dukej magji. Si shumë herë kur na ndodh diçka e rastit dhe e papritur, për mua ishte kjo vizitë, e cila ma prishi ëndrrën për të shkuar me biçikletë! Në kufi na priti vetura e Shoqatës së Shkrimtarëve në një mbrëmje, nga terri i së cilës nuk mundja ta shihja dhe ta shijoja tokën shqiptare.

Kjo ishte vizita e parë në një kohë udhëkryqi për Shqipërinë. Pas asaj vizite më nuk do të ishte e njëjta. Ato ditë shpalli azilin politik Ismail Kadareja. Akuza e tij, edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve, ishte e flashkët, sa për të thënë, sepse gjithkush e dinte se pas kësaj gjërat do të lëviznin më shpejt. Atyre ditëve, ndër gazetarët që kishin ardhur në atë manifestim, përmendej edhe dr. Sali Berisha, si një person që mund ta sillte pluralizmin. Disa gazetarëve iu mundësua një takim me të, por unë isha pjesë e delegacionit të shkrimtarëve dhe mbeta larg, edhe pse kisha kureshtjen të dija pse përmendej na atë kontekst. Përmendej edhe Fatos Nano, si reformator jo vetëm i Partisë së Punës (ishte Sekretar i Përgjithshëm), por dhe si prijës i reformave që i prisnin shqiptarët… Tirana e atyre ditëve, ai qytet pa shumë vetura, ishte një qytet i qetësisë, i amullisë së komunizmit e i njerëzve mikpritës, të cilët në bisedë me mysafirët u qëndronin larg muhabeteve të guximshme. Qëndroja një ditë në ëmbëltore te Pallati i Kulturës. Një shkrimtar ma dhuroi librin e tij dhe, midis rreshtash, deshi t’më japë një porosi. “Nuk duket ashtu si duket”, më tha disi duke shikuar anash që mos ta dëgjojë dikush. Edhe unë shikova anësh, sepse edhe unë nuk isha i sigurt nëse ai donte të më provokonte, donte të ndante një shqetësim ose të më jepte një porosi për ne që e kishim adhuruar aq shumë komunizmin “më të drejtë” në botë. Në po atë pastiçeri, prej dritareve të së cilës dukej busti markant i Xhaxhit Enver, mora guximin e marrë t’i thosha një miku sa shumë po “rrezatojnë” sytë e tij… Ai buzëqeshi, por nuk komentoi. Ndër ata që pak më tepër mori guximin të thoshte diçka ishte një djalosh kosovar që kishte ikur nga Kosova (sot është në Perëndim), i cili ato ditë shoqërohej me ne nga Maqedonia. “Nuk mund ta dish se çfarë gjërash kanë ndodhur! Gjëra të tmerrshme… Po do t’i dalë tymi së shpejti”, tha ai.

Dhe, vërtet gjërat lëvizën më shpejt pastaj. Erdhi lëvizja studentore e dhjetorit dhe përmbysja e komunizmit me më pak viktima se në shumë vende tjera. Komunistët e Ramiz Alisë dhe ai vetë e kishin marrë leksionin e Çausheskut dhe nuk bënë shumë dramë para kërkesave për ndryshime. Vitin tjetër tashmë ishte lejuar pluralizmi dhe përsëri rastisa ta vizitoj Shqipërinë, tash me një delegacion gazetarësh… Ajo që na habiste tek shkonim në disa qytete ishte ajo pamja e paharrueshme e fëmijëve tek shikonin të huaj, duke na u drejtuar me dy gishta të mbledhur e duke na kërkuar çamçakëza. Ëndrra e një fëmije për një çamçakëz ishte kudo njësoj, në Korçë, në Elbasan, në Durrës a Tiranë, nga na ra të ecim. Ai çamçakëz poshtërues, që unë për vete në jetë nuk i kisha përtypur as 2-3 herë, sepse asnjëherë nuk i kisha bërë shprehi, do të kishte qenë një lajtmotiv i Migjenit po të kishte qenë gjallë. Por, ishte ai haraçi i varfërisë që e kishte mbjellë komunizmi. Atyre ditëve, kur po mbahej kongresi i Partisë së Punës dhe kur në Korçë, ku fjetëm një natë bashkë me disa kolegë (Kim Mehmeti dhe Zhaneta Skerleva nga gazeta “NovaMakedonija”), ishte rivendosur busti i Enverit, ndërsa u fotografuam “për kujtim” me Xhaxhin. Këtë foto na e bëri polici që e ruante bustin, që të mos e hiqte kush ditëve të kongresit. I thamë koleges që të fliste anglisht, kur e luti policin të na fotografojë, që të mos dinte se ishim shqiptarë.

Atyre ditëve në Tiranë flitej se s’ka ushqim më shumë se për një javë. Hall se si do ta kalonte Shqipëria këtë gjendje. (Siç dihet, nga Evropa u dërguan shumë ndihma, për të cilat, disa vite më vonë, qe akuzuar Fatos Nano, të cilin e futi në burg presidenti Berisha…)

Hera tjetër kur shkova në Shqipëri ishin zgjedhjet e dyta parlamentare më 1992 (të parat, në vitin 1991, i kishin fituar socialistët e reformuar). Nga gazeta “Flaka e vëllazërimit” na dërguan dy raportues specialë (mua dhe Hajri Shaqirin). Shkruanim gjerë e gjatë për të gjitha zhvillimet dhe raportet i dërgonim nga një teleks i hotel “Arbërisë”. Raportet tona i dërgonim paksa vonë, por pa ditur se redaktorët kujdestarë në desk nuk kishin pasur kohë t’i presin ato dhe kishin improvizuar raporte agjencish në emrin tonë! Këtë e morëm vesh pasi qemë kthyer në Shkup, për çka u befasuam shumë si kanë mundur të mos i prisnin raportet tona! Por, ne, me gjithë këtë lëshim, pas atyre zgjedhjeve arritëm të bënim intervistë me liderin e partisë fituese, me Sali Berishën. Që mbrëmjen e së dielës, kur vinin rezultatet dhe kumtoheshin para selisë së Partisë Demokratike, ne i kërkuam një djaloshi flokëverdhë, që ishte përgjegjës për shtyp, që të na caktojë një takim për intervistë me Sali Berishën. Ishte ky Genc Pollo, i cili na caktoi një termin për të nesërmen, kah ora 10 nëse nuk gaboj. Ajo ditë ishte e veçantë për Partinë Demokratike, që e kishte mundur socialistët, andaj në selinë e partisë vinin përplot diplomatë dhe mysafirë të tjerë dhe termini i caktuar gjithsesi ishte joreal. Por, ne nuk hiqnim dorë. Pritëm derisasa na erdhi radha, diku pas orës 13. Pikërisht në atë kohë Sali Berisha duhej të shkonte në një solemnitet për fituesin në ambasadën amerikane. Por, ai “harroi” e këtë dhe na pranoi, sepse Genci i kishte thënë se jemi gazetarë nga Maqedonia që duam intervistë patjetër. Por, as ai nuk hiqte dorë nga ajo që na kishte premtuar “me vëllezërit matanë kufirit”. Këtë e bëri duke flijuar nga koha protokollare, që e priste pas intervistës sonë, e që tashmë ishte kaluar. Dhe, e bëmë intervistën ekskluzive, me të cilën pastaj e lamë veten. Si e do “adeti”, shkuam edhe në selinë e Partisë Socialiste, ku sekretari i atëhershëm i saj, Spiro Dede, na dha intervistën, në të cilën e pranonte humbjen.

Ajo fitore ishte fitore e shpresës së madhe të qytetarëve të Shqipërisë. Shpresë se gjërat do të ndryshonin shpejt, se standardi i tyre do të rritej brenda nate… Një shpresë që pas tri dekadash duket sikur është në fillim. Kohë e bredhjeve, kohë e paaftësisë për t’u dalë për karshi pritjeve dhe premtimeve, kohë zënkash, e ndonjëherë kohë absurdesh…

Eh, Shqipëri e gjorë… e shqiptarë të mjerë. Shqipëria dhe shqiptarët, pas tri dekadash pluralizëm, janë më shumë jashtë sesa brenda shtetit. Nëse shifrat e regjistrimit mund të jenë të sakta, shqiptarët e migruar jashtë dhe shqiptarët e mbetur brenda me shpresa ende të gjalla, sikur janë barazuar!

Në këto tri dekada, vazhdimisht, do të kemi përplasje politike të vijës kritike. Gjithnjë në emër të ndonjë drejtësie, e në fakt, në stilin e barsoletës boshnjake “Zbrit Haso, të hipë Husa”! Kjo ka kaluar edhe në situata si ajo fjala popullore “për inat të nuses, le t’më vdesë djali!”.

Viti 1997 – njolla më e madhe e demokracisë. Atëherë revolta sociale nga përmbysja e kursimoreve piramidale u shndërrua në një manipulim të madh për të ardhur në pushtet. Populli i dëshpëruar kërkonte paratë e humbura, ndërsa partitë politikë në opozitë dhe elementet kriminale bënë një pakt të fshehtë e të heshtur kundër qeverisjes së Sali Berishës, secila me kalkulimet e veta. Partitë opozitare i dolën në “ndihmë” popullit me premtime se do t’ia kthejnë paratë kur të vijnë në pushtet. Elementet kriminale (bandat e jugut) të futura në komitetet e shpëtimit (nga kush do ta shpëtonin popullin dhe si?), kurse shteti ishte i paaftë më për ta rrezikuar këdo qoftë, kur sistemi përjetoi kolaps dhe komitetet e shpëtimit i binte që të mbronin popullin nga anarkia që vetë e kishin nxitur!

Një përpjekje e Berishës, as dy vite të plota më pas, ishte një përpjekje për të marrë hak për ’97-tën, për të vazhduar më tutje me logjikën e mërive edhe në vitet e ardhshme. Veprimi parlamentar do të kombinohet me demokraci rruge, pa pasur periudha të gjata normaliteti. Zënkat, madje dhe qërimet fizike të hesapeve, deri në vrasje, si akte individuale, janë rezultat i asaj filozofie të trajtimit të rivalit politik si armik e jo si konkurrent politik. Aktorët, që kanë qenë në lojë, janë ndërruar, por filozofia ka mbetur e njëjtë.

Në Shqipëri kanë ndodhur gjëra si në diktaturat më të vrazhda: janë vrarë gazetarë (Ali Ukaj) e veprimtarë (Ahmet Krasniqi, Azem Hajdari, Remzi Hoxha…), biznesmenë (pa numër) e banditë ordinerë, që lindën në krahët e mosfunksionimit të forcës së shtetit (kush i numëron më ata!), janë bërë përpjekje për rrëzim nga pushteti me forcë (1997, 1998), janë rrahur oponentë politikë, janë vrarë protestues, janë zënë në flagrancë pushtetarë në vepra korruptive dhe kanë dalë të pastër… Deri në mbyllje të gazetës “Flaka e vëllazërimit”, si gazetar, ndiqja shumicën e këtyre fenomeneve nga afër, si raportues special për ngjarje të ndryshme. Kam intervistuar me dhjetëra përfaqësues politikë (që nga Sali Berisha, e shumë ministra të tij, e deri te Pandeli Majko, Rexhep Mejdani, Paskal Milo, Sabri Godo, Ilir Meta, Azem Hajdari….) dhe përherë krijoja bindjen se ata ishin luftëtarë të devotshëm për idetë e tyre, se u besojnë fjalëve që i thonë, por fjalët me veprat e tyre shpesh kanë qenë në shpërputhje. Dhe, më e çuditshmja, përkundër shumë demagogjive, që i kanë shitur ndër vite, ata kanë mbetur “lojtarët” që nuk kanë pasur zëvendësues. Por, asnjëherë, nuk e kam kuptuar përse shpesh kanë qenë në gjendje ta flijojnë edhe Shqipërinë për hir të karrierave të tyre politike.

Në fund, ta kujtoj episodin përmbyllës të “heroizmit” tim që të jem raportues nga ngjarjet e vitit 1997. Pas disa javësh anarki, kur asgjë nga institucionet nuk funksiononte, kur anekënd Shqipërisë vriteshin njerëz pa shkas, shfrytëzova aeroplanin e parë që fluturoi nga Rinasi, që të ikja nga ajo çmenduri kolektive. Në aeroportin e Sofjes, ku zbrita (nuk kishte fluturim për Shkup), ne udhëtarëve na pritën plot kamera për të na pyetur për gjendjen në Shqipëri. Nuk do ta harroj kurrë. Sikur ta dinin se jam gazetar, kamerat dhe mikrofonat m’u drejtuan pikërisht mua me pyetjen “Çka po ndodh në Shqipëri?”. Dhe, unë, i lehtësuar që kisha lënë kaosin prapa dhe kisha shpëtuar kokën, u përgjigja me gjuhë diplomatike: “Vërtet nuk e di çka po ndodh!”.

Edhe tash Shqipëria është në një udhëkryq, kur karrierat politike të pushtetarëve dhe opozitarëve janë më të rëndësishme sesa vetë fati i vendit.