` . Drejtësi - TV-SHENJA

Drejtësi

Nëse nuk do të kishim padrejtësi, nuk do ta njihnim kurrë drejtësinë. Nuk do ta njihnim kurrë fuqinë që gjendet brenda nesh, për të mposhtur vetjakësinë në altarin e drejtësisë. Nuk do të nxirrnim nga faqet e historisë shembuj që frymëzojnë me qëndrimet e tyre të drejta, edhe kur është dashur të ndëshkojnë padrejtësinë e njerëzve të tyre të afërt.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Ekuilibri mbi të cilin qëndron universi është drejtësia. Themeli mbi të cilin ngrihet bota që na rrethon është drejtësia. Jeta në shoqërinë njerëzore nuk mund të kuptohet pa drejtësinë. Qenia njerëzore nuk mund të ketë paqe pa jetuar në drejtësi.

Nuk ka qenie që nuk e do drejtësinë, përveç të padrejtëve. Drejtësia që sjell paqe dhe harmoni e nuk lë shteg për të hedhur dyshime mbi vlefshmërinë e zbatimit të saj nuk është drejtësia e më të fuqishmit, nuk është drejtësia e më të pushtetshmit mbi sipërfaqen e lëmshit të dheut. Është drejtësia që buron nga morali dhe morali nuk mund të burojë nga sfera materiale ose vetëpërcaktimet njerëzore. Çfarë është e moralshme është kryekëput e drejtë. Vetëm përmes optikës së moralit mund të kthjellohemi mbi të drejtën, duke davaritur mjegullimet vetëpërcaktuese mbi këto çështje.

Qenia njerëzore nuk ka reshtur kurrë së dëshiruari dhe ëndërruari për një bashkësi ose shoqëri ku drejtësia të jetë në apogje. Në sferën e dëshirave dhe të ëndrrave mund të ndërtosh çfarëdolloj gjendje. Jeta reale aty ku jetesa ose mbijetesa godasin pamëshirshëm dëshirat dhe ëndrrat është mejdan ku drejtësia dhe padrejtësia përpiqen për mbizotërim ndaj njëra-tjetrës.

Nëse nuk do të kishim padrejtësi, nuk do ta njihnim kurrë drejtësinë. Nuk do ta njihnim kurrë fuqinë që gjendet brenda nesh, për të mposhtur vetjakësinë në altarin e drejtësisë. Nuk do të nxirrnim nga faqet e historisë shembuj që frymëzojnë me qëndrimet e tyre të drejta, edhe kur është dashur të ndëshkojnë padrejtësinë e njerëzve të tyre të afërt. Nuk do të ndahej shapi nga sheqeri, për të ditur cilët janë të drejtët dhe të padrejtët, të drejtët dhe ata që maskohen si të tillë.

Për aq sa të ketë jetë kundërvënia mes drejtësisë dhe padrejtësisë do të jetë e pandalshme. Në vorbullën e stuhishme të kundërvënies duhet kthjelltësi e zemrës dhe shpirtit për t’u përcaktuar. Çështja nuk është të jesh apo të mos jesh. Çështja është në cilën anë do të jesh. Nëse zgjedh të jesh me të drejtën, para teje shtrihet një stuhi akoma edhe më e fuqishme që duhet përballuar. A do të kesh durim t’i qëndrosh besnik deri në pafundësi zgjedhjes që ke bërë?

Jeta nuk t’i sjell as në pjata të arta dhe as në të argjendta frytet e drejtësisë. Për të mbërritur në këto fryte sakrificat kanë qenë dhe do të jenë nga më të mëdhatë. Nëse do të ishte kaq e thjeshtë sa e thjeshtojnë disa syresh të qenit i drejtë, nuk do të kishte kaq shumë ankesa ndaj padrejtësive të përditshme që shtohen si fara e sinapit. Për shtimin e padrejtësive fajtorët kërkohen gjithmonë diku larg, larg vetvetes, larg fshatit, qytetit ose shtetit, thua se janë të gjithë të kulluar dhe turbullimi na vjen nga larg.

Ankesa. Ankohen. Po kundër kujt? Kundër sistemit? Kundër aksh politike apo politikani? E drejtë e njeriut të ankohet për padrejtësisë që i bëhen. E drejtë e njeriut të kërkojë zgjidhje për padrejtësitë. Por, a nuk janë një shumicë e mirë që qysh kur hapin sytë në mëngjes nuk mendojnë për asgjë tjetër vetëm se t’i maksimizojnë përfitimet pa e çarë kokën për moralin? Në mesin e atyre që ankohen a nuk ka shitës që peshojnë e matin mangët? A nuk ka mjekë që mund edhe të të lënë të vdesësh nëse nuk i paguan? A nuk ka mësues që nuk lëvizin as majën e gishtit për të ngjallur frymën që po fiket? A nuk ka pedagogë të zhytur në batakun korruptiv dhe teorizojnë për të drejtën, moralin, etikën pa jetuar asnjë çast sipas asaj që thonë? A nuk ka njerëz të thjeshtë që mundohen të shtyjnë sinorët në kurriz të fqinjit? A nuk ka njerëz që mendojnë të marrin borxhe e të mos i kthejnë? A nuk ka fqinjë që mundohen ta dëmtojnë fqinjin e tyre për mustaqet e Çelos? A nuk ka njerëz që për një plesht e djegin gjithë jorganin dhe u erren sytë nga vetjakësia e nuk shohin çfarë veprojnë? A nuk ka njerëz që shkelin me të dyja këmbët moralin pa u shqetësuar aspak, sepse vetëm kështu mund të përfitojnë të mira materiale apo favore të tjera?

A mundet kjo masë e molepsur me të tilla sjellje e qëndrime të ngrejë gishtin e akuzës ndaj të tjerëve jashtë saj për padrejtësitë që nuk resht së ankuari ndaj tyre? Përderisa nuk zhbëjnë sjellje e qëndrime të tilla, padrejtësia do të mbizotërojë dhe do t’iu duket se ajo nuk mund të mposhtet. Padrejtësia nuk do të mposhtet për aq sa kjo masë bashkëndan jetën e vet me padrejtësinë dhe për  aq sa nëpërkëmbja e drejtësisë konsiderohet zotësi e zgjuarsi për t’ia hedhur të tjerëve. Është krejt e çuditshme se pse kjo masë e molepsur me padrejtësi beson se do t’i vijë drejtësia pa korrigjuar më parë vetvetet dhe pa qenë më të mirë dhe më të drejtë me njëri – tjetrin.

Edhe në qoftë epoka ku padrejtësia na fanitet e fuqishme dhe e pamposhtur, dielli i drejtësisë as nuk e ka humbur udhën, as nuk e ka përfunduar ciklin e vet. Ai është aty pas errësirës së veteve tona dhe pret të shfaqet në çastin kur ne do të jemi gati për t’i duruar vendimet që duhen marrë, kur ta shohim jetën me drejtësinë e dritës së tij.