` . Dorëshkrimet orientale të iluminuara në Arkivin e Kosovës – TV-SHENJA

Dorëshkrimet orientale të iluminuara në Arkivin e Kosovës

Është një e arritur e madhe e Arkivit të Kosovës fakti që në vitin 2014, në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre”nga Turqia, ka bërë digjitalizimin e këtyre dorëshkrimeve (dhe të dokumenteve në gjuhën osmane që ruhen në këtë arkiv), me çka këto materiale, edhe ashtu jo shumë të ruajtura dhe në gjendje jo shumë të mirë, do të ruhen në një masë të madhe nga dëmtimi i tyre i mëtutjeshëm, kurse përdorimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë

Sadik Mehmeti, Prishtinë

Në Arkivin e Kosovës, sikurse e kemi thënë edhe herë të tjera, ruhet edhe koleksioni i dorëshkrimeve orientale në formën e veprave të plota të pabotuara, me gjuhë bazë arabishten, turqishten, persishten dhe gjuhën shqipe, me grafi arabe. Këto dorëshkrime përbëjnë një fond antikuar dhe me vlera kulturo historike, sepse tri prej tyre janë dorëshkrime të rralla dhe pasurojnë listën botërore të dorëshkrimeve orientale.

Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve orientale, që ruhen në Arkivin e Kosovës, arrin në 65 kodekse ose në 96 vepra dorëshkrim, kurse kronologjikisht përfshijnë pesë shekuj XV- XX.

Në mesin e këtyre dorëshkrimeve, që i ruan Arkivi i Kosovës, nëntë (9) prej tyre dallohen për iluminimet e veçanta, për kaligrafinë e bukur, për arabeskat origjinale me koloritin e gërshetimeve të florës, për ornamentet me motive të ndryshme në kapakët e dorëshkrimeve, si dhe për “unvânet” (dekorimet) e shkruar me bojëra të ndryshme, pa harruar këtu ngjyrën e arit, që këtyre dorëshkrimeve u jep një bukuri të rrallë. Kështu, këto dorëshkrime, të punuara nga artistë edhe vendorë dhe me kronologji të ndryshme, paraqesin shembuj të shkëlqyeshëm të kaligrafisë e të artit islam, në veçanti, dhe të artit botëror, në përgjithësi.

Duhet thënë që në fillim se të gjitha dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës janë të shkruara vetëm në letër, ndërsa llojet e letrës janë nga më të ndryshmet, që nga më e thjeshta, e vrazhdë dhe më pak rezistuese, e deri te më cilësorja – e lëmuar, shkëlqyese dhe rezistuese ndaj kohës. Shumica e dorëshkrimeve e kanë ruajtur pothuajse të pa ndryshuar pamjen dhe ngjyrën e letrës mbi të cilën janë shkruar, si dhe qartësinë dhe lexueshmërinë e shkrimit.

Për sa i takon bojës, në shumicën e dorëshkrimeve është përdorur boja e zezë (myreqep), e cila i përgjigjet cilësisë së tushit të sotëm. Kjo lloj boje e ka ruajtur shkëlqimin e saj gjatë shumë shekujve. Për zbukurimin e shkrimit, për titujt dhe nëntitujt në dorëshkrime, për kryeradhët, për të theksuar ajetet, hadithet, vendet e rëndësishme në tekst ose për të kornizuar tekstin, është përdorur edhe boja e kuqe. Ndërkaq unvânet (dekorimet) në hyrje të tekstit janë shkruar me bojëra të ndryshme, sipas ngjyrës së kuqe, rozë, të bardhë, të kaltër etj.

Shumica e dorëshkrimeve dallohen për kaligrafinë e tyre të jashtëzakonshme dhe për ornamentet në kopertona. Një pjesë e tyre janë të iluminuara. Kështu, vetëm dorëshkrimi i enciklopedisë “Ma’rifatnâme-i Hakkı” ka dhjetëra ilustrime jashtëzakonisht të bukura, kurse disa të tjera janë të lidhura dhe të zbukuruara në mënyrë artistike dhe me ornamente të mrekullueshme.

Kapakët me ornamente të dorëshkrimit “Mir’âtel-UsûlfîsherhMirkâtel-Vusûl”

Kapakët me ornamente me ngjyrë ari të dorëshkrimit “Anvâru at-tanzîlwaasrâru at-tavîl”

Duke pasur parasysh se deri në vitin 1727 në Perandorinë Osmane libri shpërndahej në formën e kulturës dorëshkrimore, pra duke u kopjuar dorë pas dore dhe tek në këtë vit, kur u hap shtypshkronja e parë shtetërore osmane, libri filloi të shtypej. Kjo ka bërë që nga ajo kohë edhe në trojet shqiptare të shkruheshin shumë dorëshkrime, një pjesë e të cilave ka arritur deri në ditët tona. Ndonëse futja e shtypshkronjës së parë erdhi me vonesë, kjo pati edhe një të mirë, sepse ndikoi në shkrimin dhe kopjimin në formë dorëshkrimore të mijëra e mijëra veprave.

Në anën tjetër, meqë përgatitja e një dorëshkrimi në formën e librit përbënte një proces të vështirë dhe kompleks, sepse duhej të kalonte nëpër disa faza, për këtë arsye në përgatitjen e një dorëshkrimi merrnin pjesë disa profesionistë, siç janë bukurshkruesi (hattâti), dekoruesi artistik dhe miniaturisti i dorëshkrimit (ressâmi), si dhe libralidhësi (mucellidi). Këto tri profesione i kanë pasur edhe esnafët e tyre, që kanë luajtur një rol të veçantë në jetën kulturore të shqiptarëve myslimanë. Këto tri zanate kanë pasur një traditë të aftësimit profesional nga mjeshtër të specializuar në zanatin e bukurshkrimit dhe të iluminimit të dorëshkrimeve. Ndërkaq studentëve, që aftësoheshin  profesionalisht  në këto fusha, u jepej  edhe diploma nga mjeshtri i tyre. Secili nga këto tri zanate ka pasur lidhje bashkëpunimi të ngushtë me ndonjërin nga esnafët e mëdha. Bukurshkruesit (hattati) kanë bashkëpunuar me divitçinjtë dhe me kujuxhinjtë (për ngjyrën e arit) dhe me bojaxhinjtë (për myreqepin)ndërsa libralidhësit kishin bashkëpunim me tabakët, sepse kopertinat e librave, respektivisht të dorëshkrimeve, i bënin tërësisht ose pjesërisht nga lëkura. Ndër shqiptarët dhe nëpër kohë janë dalluar mjaftë kaligrafistë dhe libralidhës, që kanë vepruar dhe që kanë lënë dorëshkrime të tyre.

Ndër dorëshkrimet e iluminuara që ruhen në Arkivin e Kosovës, është edhe një kopje e Kuranit, që është i shkruar me shkrimin arab nes’h të trashë e shumë të bukur, i kornizuar me ngjyra të përziera me ar dhe me zbukurime, por me ngjyrë të arit. Në fillimin e kaptinës së dytë ka një iluminim të mrekullueshëm me lule të imëta të fushës, me ngjyrë të kaltër dhe të arit. Ai ka kopertina të dëmtuara, por të pasura me dekorime dhe ornamente me ar, ndërsa është kopjuar në vitin 1840. Duhet thënë se librit të shenjtë të myslimanëve dhe librave që kanë të bëjnë me biografinë e profetit Muhamed gjithmonë u është kushtuar kujdes më i madh dhe veprat e tilla rëndom përmbajnë iluminime. Por, edhe komenteve të Kuranit u është kushtuar mjaftë kujdes, siç është ky që ruhet në Arkivin e Kosovës me titull “Anvâru at-tanzîlwaasrâru at-tavîl” dhe i cili dallohet për kaligrafinë dhe dekorimet artistike me ngjyrë ari, ndërsa daton nga viti 1665.

Faksimile faqes së parë të iluminuar të dorëshkrimit “Anvâru at-tanzîlwaasrâru at-tavîl”

Një dorëshkrim tjetër që ruhet në Arkivin e Kosovës është edhe vepra “Al-Vasîlatual-Ahmediyya va adh-Dharî’atu as-sarmediyya fîsharhi at-Tarîkatial-Muhammadiyya”, e shkruar me shumë elegancë, përsosmëri stilistike dhe korrektësi me shkrimin nes’h të imët. Ai është shkruar nga një kaligraf i rryer. Në fillim të faqes së parë e ka një unvân të mrekullueshëm me lule të imëta fushe me ngjyrë të kaltër dhe të bardhë të praruar me ar, bërë nga një artist i spikatur. Edhe kopertinat i ka me ornamente të praruara me ar. Ai i takon vitit 1790.

Faksimile faqes së parë të iluminuar të dorëshkrimit “al-Vasîlatual-Ahmadiyya va adh-Dharî’atu as-sarmadiyya fîsharhi at-Tarîkatial-Muhammadiyya”

Po ashtu janë mjaft të bukura edhe dy “Kânunnâm”-et e vetme që ruhen në këtë arkiv, njëra e vitit 1673 dhe tjetra e vitit 1756, që po ashtu kanë iluminime mjaft të bukura.

Faksimile faqes së parë të iluminuar të dorëshkrimit të veprës “Kânunnâma”

Nga sa u tha më sipër, mund të përfundojmë se dorëshkrimet orientale, në përgjithësi, dhe ato të iluminuara, në veçanti, që ruhen në Arkivin e Kosovës, përmbajnë një lëndë tejet të vlefshme për studime albanologjike. Në këtë trashëgimi, përveç të dhënave të tjera të rëndësishme për dijet albanologjike, gjenden të dhëna me interes edhe për kopjuesit, pronarët, kaligrafët, libërlidhësit, si dhe për përgatitësit artistik të këtyre dorëshkrimeve. Por, meqë këto dorëshkrime janë kaq të rëndësishme, atyre duhet siguruar vend/depo të sigurta me temperaturë dhe lagështi optimale. Për të fat të keq, vendi ku ruhet aktualisht koleksioni i dorëshkrimeve në Arkivin e Kosovës është shumë larg kushteve dhe standardeve bashkëkohore që kërkohen. E pakta që mund të bëhet në këtë fazë është sigurimi i kutive nga letra kimikisht e përshtatshme, respektivisht nga letra e deaciduar për ruajtjen e dorëshkrimeve.

Është një e arritur e madhe e Arkivit të Kosovës fakti që në vitin 2014, në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre”nga Turqia, ka bërë digjitalizimin e këtyre dorëshkrimeve (dhe të dokumenteve në gjuhën osmane që ruhen në këtë arkiv), me çka këto materiale, edhe ashtu jo shumë të ruajtura dhe në gjendje jo shumë të mirë, do të ruhen në një masë të madhe nga dëmtimi i tyre i mëtutjeshëm, kurse përdorimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë.

Dhe, në fund fare, duhet thënë se dokumentet dhe dorëshkrimet orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës, me tërë kompleksivitetin e tyre, për historianët, orientalistët, ekspertët e paleografisë arabe, të kaligrafisë dhe të artit aplikativ, paraqesin dokumentacion hulumtues të dorës të parë dhe përbëjnë një fond të çmueshëm dhe antikuar.