` . DOLLARI APO EUROJA?...KJO ËSHTË ÇËSHTJA - TV-SHENJA

DOLLARI APO EUROJA?…KJO ËSHTË ÇËSHTJA

Shkruan: Driton Demiri

Ekonomia globale në dollar apo në euro? Kjo është çështja:
Javën që lam pas, tregjet përjetuan gati se ekuacion të vlerës së dollarit amerikan me euron. Këmbimi valutor mes tyre arriti përafërsisht raportin 1 me 1, përkatësisht 1 euro për 1,04 dollarë. Kjo ekuivalencë që po ndodh pas 14 viteve të plota pason si rezultat, i zbatimit, të masave, të politikave monetare, matanë atlantikut, respektivisht të SHBA-ve për një rritje të normave bazë të interesit për 0,25%, nga 0,5% në 0,75%. Ndërsa masat e politikave monetare të BE-së në vazhdimësi jo vetëm gjatë këtij viti porse edhe viteve të fundit çojnë në kahje të kundërt, drejt likuiditetit të tregjeve për të nxitur ekonominë në eurozonë. Kjo divergjencë në sensin e politikave monetare në mes rezervave federale të SHBA-ve dhe bankës qëndrore europiane solli deri tek forcimi i dollarit kundrejt euros.
Ky trend i fluktuimeve të politikave monetare të Uashingtonit për eksportuesit europian në një far forme qartazi sjell lajm të mirë për çmime më të volitshme kur është në pyetje eskporti t.e shitja e mallrave dhe shërbimeve të tyre. Për eksportuesit amerikan lajm dhe jo aq i mirë, për të mos thënë i keq. Madje në një këndvështrim tjetër ky fluktuim, ky fakt, afatmesëm, ekuilibron, rritjen e përshpejtuar ekonomike të SHBA-ve dhe stagnimin e ekonomisë europiane.
Është vallë forcimi i dollarit, de facto dobësimi i euros? Mbase, në të vërtetë periudha e turbulencave të eventeve të shumta politike në Europë më së shumti ka reflektuar në kursin valutor të dobësimit të euros se sa kursi në vete apo nga e gjitha ajo që po ndodh aktualisht në politikat monetare të SHBA-ve. Kjo periudhë shumë e vështirë si pasojë e eventeve si Brexit nga mesi i këtij viti, ashtu edhe kërcënimi politik për një Italexit dhe Frexit që po aktualizohet nga akterë të politikëbërjes opozitare në vendet përkatëse kanë sjellë në probleme edhe të këtij lloji brendapërbrenda BE-së. Ato janë shkaku më i madh që në mënyrë imanente pasqyrojnë krizën e thellë politike me impakt të drejtëpërdrejtë në ekonominë europiane përmes kursit valutor të dobësimit të euros jo vetëm në raport ndaj dollarit amerikan por edhe ndaj funtës britaneze si dhe juanit kinez.
Forcimi i dollarit amerikan do vazhdojë të ketë trendin vetanak. Dukshëm vërehet ecuria në drejtim të forcimit të dollarit të paktën në një të ardhme të afërt. Ekspertët më me renome poashtu pohojnë të njëjtën. Pritshmëritë për vitin e ardhshëm tregojnë me siguri madje edhe tre rritje me rradhë të normave të interesit nga ana e rezervave federale.
Ndërkaq, poashtu ajo që mund të presim, supozoj, rritje të normave të interesit edhe në eurozonë në periudhën që vjen. Pa marrë parasysh që ekonomia amerikane rritet në mënyrë të përshpejtuar, ekonomia europiane ka përjetuar përafërsisht rritje të lartë për 1,9 % në krahasim me atë se ku ka qenë para 5-6 viteve. Edhe pse normat bazë të interesit janë në minimum të minimumit prej 0,05%, edhe pse program-paketa nga marsi i vitit 2015 e injektimit praktik të bankës qendrore europiane të rreth 60 miliardë eurove të hedhur në treg për çdo muaj për blerje bono të thesarit vazhdon të zbatohet, gjasat për rritje të normës së interesit janë të pritshme. Norma referencë e interesit e bankës qendrore europiane aktualisht tregon katër pikë nën zero (-0,4%), ndërkohë në 2017-n pritet që ai kufi të lëviz drejt zeros. Dollari apo euroja, le të shohim!
Situatat aktuele gjeopolitike, botërore, që do kenë impakt në ekonominë globale në tërësi, si zgjedhja e Donald Trumpit për president të SHBA-ve, marrëdhëniet ngrohtë-ftohtë e të pazgjidhura në mes Uashingonit dhe Pekinit, përgatitjet për një “exit” përfundimtar të Britanisë së Madhe nga BE-ja, rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike e eurozonës, terrorizmi, konfliktet në lindjen e mesme si dhe kriza e pazgjidhur e migrantëve, janë sfida me të cilët futemi në vitin 2017.

Postime të Ngjajshme