` . Djathtizmat, probatodiabolica dhe apologjia e krimit - TV SHENJA

Djathtizmat, probatodiabolica dhe apologjia e krimit

Priftërinj, studentë, bujq, artistë, nxjerrin zjarr nga goja, me probationdiabolico, me një argumentim djallëzor mundohen që ta mbrojnë kriminogjenitetin e dukshëm nga regjistrimet dhe bombat Zaev, nga hetimet e Prokurorisë Speciale, deri te raportet ndërkombëtare. Është e çuditshme se si platforma ultra-nacionaliste “Të bashkuar për Maqedoni” dëshiron ta mbrojë këtë vend si unitar, kur gjuha e urrejtjes është shumë “transparente”, kur duan Maqedoni të pastër, pa të tjerët, në veçanti pa shqiptarët në të.

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Para disa muajve, në fillim të nëntorit 2016, bota binte e ngrihej me ethet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Trump apo Hillary (Clinton) ishte dilema, që u përmbyll me fitoren e një figure kontroverse, të një njeriu me para, kapital, karrierë biznesi, por pa një CV politikani ose diplomati, të një “aktori politik” me një ligjëratë shumë të ashpër, ksenofobe, si-raciste, islamofobe, me shumë skandale e gafe. Debatet mediatike flisnin për të si një determinant e defetist i ardhmërisë së shtetit më të fuqishëm të globit dhe të zhvillimeve të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke e pasur parasysh faktin se gjuha e mprehtë dhe arsyeja e pagdhendur politike e Trump-it mund të shkaktonte edhe lëkundje trishtuese, madje skenarë apokaliptikë, në kohën kur kemi një Rusi putiniste të riformatuar dhe të rikthyer në arenën ndërkombëtare, me një impakt të dukshëm në Lindjen e Mesme dhe te vendet sllave, një kuçedër ekonomike kineze që dalëngadalë po luan edhe në ligën e parë të politikës botërore, ndonëse thuhet se ka një filozofi politike introverte.

Në Britani, pas referendumit të shumëpërfolur të qershorit 2016, më 29 mars të këtij viti ndodhi vendimi për fillimin e BREXIT-it, tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni Europian, që shkaktoi shok te juristët ndërkombëtarë të Londrës dhe Brukselit. I ashpër (hard) apo i butë (soft), BREXIT-i e tronditi Europën dhe po e sfidon ardhmërinë e një entiteti relevant të Europës moderne, ku synojnë anëtarësimin edhe vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë edhe shtetet shqiptare dhe Maqedoninë. Ekstremi i djathtë gjithnjë e më tepër po forcohet në Europë. Pas referendumit të 16 prillit në Turqi, Wiljders-i tha se duhet t’u hiqet nënshtetësia holandeze të gjithë turqve që kanë votuar pro ndryshimeve kushtetuese në shtetin e tyre amë.

Këtyre ditëve po diskutohen zgjedhjet presidenciale në Francë ndërmjet Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Nacional, një femër e fuqishme, pasardhëse e atit ultra-radikal dhe Emannuel Macron, njeri pa përvojë, centrist, pa post paraprak politik, as i majtë e as i djathtë, me partinë e tij “EnMarche” (Përpara). Nacionalizmi kundër populizmit kryengritës, në një kontekst kur sipas Cristophe Guilly-t pas përçarjes mes fituesve dhe humbësve të tregut global sërish shfaqet dialogu mes të djathtës dhe të majtës. Nëse fiton Le Pen-i, që shkoi në balotazh, frikërat janë se Europa do të elektrizohet edhe më tepër, do të tensionohet për shkak të radikalizmave djathtiste thuajse në pjesën dërrmuese të Europës, nga Pegida te Lega Nord, AfD, Jobbik, “Agimi i Artë” e të ngjashme. Toleranca, demokracia, barazia, vlerat evropiane për herë të parë vihen në pikëpyetje që nga Lufta e Dytë Botërore. Kriza e brendshme ekonomike, euroskepticizmi, kriza morale dhe tezat për identitetin e rrezikuar, nxisin kërkimin e fajtorit dhe ky kërkohet te “tjetri”, ardhacakët, të zinjtë, myslimanët, turqit, ndërsa e vërteta është që duhet bërë vetëllogari. Diversiteti dhe multikulturalizmi, që ishin vlera të Europës, gjithnjë e më tepër po vihen në pikëpyetje.

Edhe Ballkani po lëkundet nga frymët e nacionalizmit, nga i cili besohej se do të shpëtonte pas viteve 1990-të. Bosnja – që nga themelimi si shtet i pavarur një shtet i copëtuar, luftë, gjenocid, ndarje e padrejtë në baza etnike dhe fetare, dy entitet, tre popuj, një “Republikë e gjakut” (Sërpska), që me sa duket po këndellet si rrjedhim i djathtizmave gjithandej. Serbia provokon Kosovën, uroi Trump-in, zgjodhi Vuçiqin për president, që sipas gjermanes DPA, dje ishte një ekstremist (vojvodë, gazetar i Karaxhiqit dhe Shesheljit), sot demokrat dhe superyll, mini-idolindividual te maqedonasit etnikë ekstremë, siç e kanë Serbinë si shtet model (përfshirë edhe vijën e Millosheviqit).

Dhe, natyrisht, në kohën e mondializimit, këto erëra të djathtizmave ekstreme ndikojnë edhe në Maqedoni. Partia në pushtet që nga viti 2006, VMRO-DPMNE, “komitaxhinjtë e rilindur” në kohë të re, pasi në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016 kërkuan 63 deputetë dhe s’i arritën, pasi partitë e reja (në veçanti “Lëvizja Besa”) ua prishën hesapin dhe komoditetin e quajtur “bashkëqeverisje në krim” me BDI-në. Pas kësaj date kjo parti filloi ta nuhasë humbjen e pushtetit, rrezikun e përgjegjësisë për krimet e bëra nga ato ekonomike, deri te rastet e montuara. Mafia e shtetëzuar, e hyrë në palcë të shtetit ose që e ka grabitur aparatin shtetëror, që ka në mënyrë indirekte ka detyruar të emigrojnë rreth 450 mijë qytetarë (kryesisht të rinj) dhe rreth 6 miliardë dollarë para të vjedhura, që ka krijuar partinë me buxhetin më të madh në Europë në këtë “shtet xhuxh”, që nga fundi i janarit, përmes një presidenti pedagog universitar me vokacion, palaço në politikëbërie, pa kurrfarë kredibiliteti politik (për fat të keq, tërthorazi i kurorëzuar nga strategjia BDI), po i mban peng institucionet, bllokon parlamentin, nuk lejon formimin e qeverisë dhe shpërfill vullnetin e qytetarëve. Përveç kësaj, qe tre muaj nxjerr në rrugë qytetarë të shumtë, që me repertorin e vet fashizoid fyejnë shqiptarët për shkak të Platformës Politike Shqiptare, që synon barazinë, që “për ta ekzagjeruar rrezikun”, falanga e VMRO-së e quan “Platforma e Tiranës”, që sinjalizon “ndërhyrjen e një shteti të huaj në punët e brendshme të Maqedonisë”. Priftërinj, studentë, bujq, artistë, nxjerrin zjarr nga goja, me probationdiabolico, me një argumentim djallëzor mundohen që ta mbrojnë kriminogjenitetin e dukshëm nga regjistrimet dhe bombat Zaev, nga hetimet e Prokurorisë Speciale, deri te raportet ndërkombëtare. Është e çuditshme se si platforma ultra-nacionaliste “Të bashkuar për Maqedoni” dëshiron ta mbrojë këtë vend si unitar, kur gjuha e urrejtjes është shumë “transparente”, kur duan Maqedoni të pastër, pa të tjerët, në veçanti pa shqiptarët në të.

“Jemi tubuar në këtë vend të shenjtë që të fillojmë një vepër të madhe, kthimin e  Maqedonisë maqedonasve. Shpëtoji Zot njerëzit e tu, bekoje trashëgiminë…. Beso në popullin tonë ortodoks. Ngadhënje ndaj armikut! Dhe, ruaje me kryqin tënd jetëdhënës. Amin!” Këto janë sekuenca nga lutja fetare mobilizuese e bërë më 24 shkurt  para Tempullit kyç të Kishës Ortodokse Maqedonase në Shkup, ritual ky religjioz në kuadër të protestave “Amaneti i Maqedonisë”, pjesë e organizatës “Të palëkundurit”. Pjesë e propagandës së këtij grupimi ekscentrik mes tjerash është parulla  “Jepe betimin për Maqedoni!”, grafitet si “Revolveri dhe kamata!”, brohoritjet “Erdhi koha, erdhi çasti…”, “S’duam tre, s’duam dy, e dua vetëm një gjuhë unë!” Ligjërata e mësipërme, shikuar sociologjikisht, hyn në kategorinë e klero-nacionalizmit, që nënkupton një nacionalizëm të shtytur nga kleri, një primitivizëm të mendësisë (Grahovac) që implikon nxitje për dëbim dhe vrasje, një botëkuptim shpërfaqjet e të cilit tanimë i kemi parë në trojet e ish Jugosllavisë, një pikëpamje të ngurtë plot urrejtje dhe ultrakonservatore. Ky mentalitet ngjyroset gjithnjë me çmenduri, radikalizëm, kompleksitet, frikë (Ivanković, 2010). Lutja e klerikut para popullatës së tubuar është një shembull tipik i thirrjes për luftë të shenjtë, për kryqëzatë, është një formë e terrorizmit verbal. Në këtë drejtim shfrytëzohet edhe atmosfera globale “anitislamike” e kohës, disponimi perëndimor kundër radikalizmave islamikë, narracioni për “terrorizmin islamik”, islamofobia formale që vërehet në gojët e politikanëve dhe intelektualëve perëndimorë me nam. Një nga elementët e fuqishëm të kampanjës antishqiptare është kleronacionalizmi, një produkt i fesë, të cilin satiristi i njohur anglez Jonathan Swift e ka karakterizuar si antintelektualizëm dhe antifetari: „Kemi aq fe sa na duhet për t’u urryer, por pamjaftueshëm për ta dashur njëri-tjetrin“. Sot këto fuqi  të marrëzisë fetaro-ideologjike, ngjashëm sikurse edhe dje, janë qarqe që frikësohen nga mendimi, liria dhe individualizmi.

Nga buron ky guxim për një diskurs të këtillë. VMRO-DPMNE-ja e filloi me një stil trumpian. Amerikanët janë të lidhur fort me religjiozitetin, qoftë edhe vetëm formale ose si çimento e moralitetit  (Los Angeles Times, 19 prill). “Zoti e bekoftë Amerikën!” është sentenca që sjell vota atje. Religjioziteti, Maqedonia kristiane, platforma për desoroizim, luftë kundër organizatave joqeveritare, kundër manjatëve kapitalistë, që kanë interesa konspiracioniste, që nuk ia duan të mirën Maqedonisë, ishin elementet më virulente të fushatës së VMRO-së. Në këtë drejtim, çarjes brendamaqedonase iu shtua edhe kompleksi i vjetër, që nga pavarësia – shqiptarët, si fajtorë kujdestarë për çdo dhembje të këtij shteti jostabil. Me sa duket, të gjithë erërat e djathtizmit që janë in në Perëndim i japin kurajë partisë nacionaliste maqedonase të luajë lojën e vet të pakompromistë dhe makiaveliste, pa nuhatur mirë kontekstin, pa perceptuar faktin se ky shtet qëndron në këmbë të qelqta, se është vend thellë i ndarë (torn country), me bashkëjetesë të shkatërruar (Grçev, Kanal 5), që do të thotë pa ardhmëri. Ndërkohë faktor tjetër këndellës i frymës konservatore, që e ka monopolizuar shtetin dhe gjoja se e mbron atë nga dygjuhësia, kantonizimi, ndarja, është edhe fryma pansllaviste, panorthodokse me në krye Rusinë e Putinit, tek e cila i lidhin shpresat, mes tjerash edhe në bazë të komikes malazeze “Ne dhe vëllezërit rusë, 144.1 milionë!” (malazezët në total vetëm 350 mijë). Dhe, gjithë ky teatër shpie edhe në pretendime absurde tejmitike, si një publikim i paradoditshëm që fliste për histori maqedonase katërqindmijëvjeçare (!)

Të gjitha këto akrobacione e kanë vetëm një qëllim: shpëtimin e klikës kriminogjene që është në gjendje të shkojë deri në fund, madje edhe ta përmbysë anijen, që do të ishte skenari më irracional, me gjasë i palejueshëm nga bashkësia ndërkombëtare.  Durkheim-i në teorinë e vet shënon rëndësinë e përfaqësimeve-simboleve kolektive dhe solidaritetit organik. Në Maqedoni nuk ka as përfaqësime, as ndërgjegje kolektive, as solidaritet mekanik, e lëre më organik, mes përbërësve të strukturës sociale. Si do bëhet puna me këtë vend? Siç thoshte kënga e Karolina Goçevës në Eurosong 2002: “Varet prej nesh!” (Од нас зависи!) Në veçanti prej atyre që pretendojnë se e duan sa vetja shtetin, ndërsa nga ana tjetër ia gërryejnë dheun nën këmbë. Shqiptarët kërkojnë gjërat që s’cenojnë askënd, gjuhë, simbole  shtetërore inkluzive, trajtim të barabartë, të mira kolektive të distribuuara drejt. Elitat që synojnë monoetnicitet dhe monokulturësi, s’ia duan të mirën as vetes, as shtetit, as rajonit. Është çasti i fundit për të kapur trenin e botës së civilizuar. Kërcënimet presidenciale me gjendje lufte dhe me “tunele të Titos” s’janë mesazhe burrështetasish me vizion, janë reflekse të miopisë politike. Shteti s’bëhet kurban i krimit. Këtë më së miri duhet ta dijë prijësi i shtetit. Dhe, probato diabiloca, provat djallëzore, që shpesh i përdor ky politolog i vetëharruar në aksion, shpien drejt ferrit social.

Postime të Ngjajshme