` . Ditët e letërsisë suedeze në Shkup, “Shkupi” promovon “Anabelën” (VIDEO) - TV-SHENJA

Ditët e letërsisë suedeze në Shkup, “Shkupi” promovon “Anabelën” (VIDEO)

Për të tretën herë me radhë, shtëpia botuese “Shkupi” nga Shkupi në bashkëpunim me shoqatën kulturore “ Migjeni” nga Suedia, organizon ngjarjen kulturore letrare”Ditët e letërsisë suedeze” në Shkup. Këtë vit ky manifestim filloi me promovimin e librit “ ANABELLA” të shkrimtares suedeze Lena Bengtsdotter, të përkthyer në shqip nga kryetari i shoqatës “Migjeni” Sokol Demaku.

Azam Dauti, kryetar I shtëpisë botuese “ Shkupi” tha që ky aktivitet po I sjell dobi të shumta vendit tone, duke iu dhënë mundësi të rinjve tanë që të njihen me kultura të huaja.

AZAM DAUTI, KRYETAR I SHTËPISË BOTUESE “SHKUPI: Ky aktivitet për të tretin vit me radhë është kurorë bashkëpunimi e shtëpisë botuese “ Shkupi” dhe shoqatës kulturore “Migjeni” nga qyteti Boras i Suedisë. Si rezultat I këtij bashkëpunimi të frytshëm Brenda 3 viteve, kemi sjellë për lexuesit tone 9 vepra të autorëve të shquar suedezë, kemi organizuar ditët e letërsisë suedeze me lexime letrare dhe vizita nëpër shkolla fillore dhe të mesme, ku kanë lexuar mbi 20 autorë nga Suedia dhe vendi ynë” .

Kryetari I shoqatës “ Migjeni” nga Suedia, Sokol Demaku tha për TV SHENJA, se qëllimi I këtij aktiviteti është që ta inspirojë të riun shqipëtar të lexojë më shumë. Sipas tij, vendet shqiptare duhet ti përvishen leximit më shumë.

SOKOL DEMAKU, KRYETAR I SHOQATËS “MIGJENI”: Ajo që është më kryesorja dhe më pozitive për ne është që tek shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të krijojmë një mundësi që të rinjtë të lexojnë sa më shumë, të kenë librin në dorë, për arsye se ne këtu në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri jemi larguar shumë nga libri, në Suedi libri është primar. Qëllimi ynë është që të shpërndajmë edhe literaturën suedeze në trojet shqiptare në Ballkan”.

Shkrimtarja suedeze Ana Degerman, mysafire nderi, deklaroi që ardhja në Shkup, po I sjell përfitime të shumta. Ajo tha që më pare nuk e ka njohur letërsinë shqiptare, andaj me ardhjen këtu po mëson gjëra të bukura për letërsinë shqipe.

ANA DEGERMAN, SHKRIMTARE NGA SUEDIA: Është  hera e dytë që unë vijë këtu, të dy herët janë positive. Jam shumë e impresionuar, vitin e kaluar takuam këtu shkrimtar, poet, krijues, me të cilët ndamë momente të mira dhe ndanim me ato përjetimet tona. Edhe dje ishim në Kosovë, takuam nxënës poet dhe të dy vitet për mua janë dobiprurëse. Çdoherë që jam me ju dhe me krijues shqiptarë unë mësoj nga pak”

Manifestimi “Ditët e letërsisë suedeze” vazhdon me aktivitete të ndryshme ditët në vijim.

Medina Ajeti /SHENJA/