` . Distribuimi i ri i fuqisë - TV-SHENJA

Distribuimi i ri i fuqisë

Nëse dikur për çështjet të karakterit ekonomik, ekologjik, tregtar, e financiar, diskutohej në G8 ose G7, tanimë tematikat e tilla gjithnjë e më shumë shtjellohen në takimet e G20-tës. Ish presidenti i Brazilit, Lulo Da Silva, vite më parë tha: “G8 nuk ka asnjë arsye për të ekzistuar”. Edhe lufta në Siri, si dhe konflikti në zonat lindore të Ukrainës, zunë vend në samitet e grupit të shteteve më të industrializuara të globit.

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Njerëzimi gjatë historisë përjetoi transformime të ndryshme. Civilizimet, por më vonë edhe shtetet, iu nënshtruan detyrimisht ciklit të rënies dhe ngritjes. Ai është një rregull i pashkruar në historinë e strukturës së marrëdhënieve ndërqytetërimore e ndërshtetërore.

Farid Zakaria (Fareed Zaqaria) në librin e tij, bestseller, “The post-American world –Bota post-Amerikane”, botuar para disa vitesh, pohon se transformimet e tilla janë të natyrshme. Në të kaluarën dhe të tashmen shtete të ndryshme nga të qenurit objekt u shndërruan në aktorë dhe lojtarë të rëndësishëm të skenës politike botërore. Në këtë mjedis të ndërvarësisë (interdependence) ngritja e fuqive të reja vazhdimisht sjell një realitet të ri gjeopolitik në arenën ndërkombëtare. Debatet e tilla nuk zhvillohen vetëm nëpër qendrat politike vendimmarrëse, por edhe në qarqet akademike e intelektuale.

Në librin e autorit Çarls Kapshan (Charles Kupchan) “No One’s World..-Bota e Askujt..” botuar nga prestigjiozja Oxford University Press, ndër të tjerash thuhet: “Perëndimi po humb jo vetëm përparësinë materiale si shkak i ngritjes së fuqive të reja, por edhe dominimin ideologjik. Shekulli XXI nuk do të jetë i Amerikës, Kinës ose Azisë, por ai nuk do t’i takojë askujt. Sistemi ndërkombëtar do të popullohet me disa qendra të fuqisë, si dhe me versione të shumëfishta të modernitetit”.

Nëse dikur për çështjet të karakterit ekonomik, ekologjik, tregtar, e financiar, diskutohej në G8 ose G7, tanimë tematikat e tilla gjithnjë e më shumë shtjellohen në takimet e G20-tës. Ish presidenti i Brazilit, Lulo Da Silva, vite më parë tha: “G8 nuk ka asnjë arsye për të ekzistuar”. Edhe lufta në Siri, si edhe konflikti në zonat lindore të Ukrainës, zunë vend në samitet e grupit të shteteve më të industrializuara të globit. Vendet e G20-tës realisht përbëjnë 2/3 e popullsisë botërore, si dhe përafërsisht 80% të tregtisë ndërkombëtare.

Duket se i në të ardhmen Perëndim vendet e rëndësishme në zhvillim do të duhet t’i trajtojë si partnerë të barabartë. Shefi i diplomacisë kineze vitin e kaluar në lidhje me samitin e G20-tës, i cili zhvilloi punimet në Kinë (shtator 2016) deklaroi: “Këtu vendet e zhvilluara, si dhe vendet në zhvillim, do të ulen në një tryezë si partnerë të barabartë dhe do të vendosin për çështje ekonomike ndërkombëtare në mënyrë të barabartë”. Gjatë punimeve të Forumit Botëror Ekonomik në Davos (janar 2017) të Zvicrës u diskutua mbi botën multipolare. Bota multipolare u bë realitet global (Foreign Policy). Bota rrëshqet drejt rendit multipolar (Amitai Etzioni).

Robert Kagani (Robert Kagan) përmend se “kur shumica e njerëzve mendojnë për botën post-amerikane, ata mendojnë për kthimin e multipolaritetit”. Ndoshta Kagani me këtë konstatim kishte për qëllim tezën e F. Zakarias!

Botëkuptimi se vetëm shtetet janë aktorë të sistemit politik botëror është zbehur. Sistemi ndërkombëtar sot është më kaotik, pasi që nuk përbëhet vetëm nga një grumbull i shteteve, siç kuptohej dikur rendi global, por në skenë kemi edhe praninë e aktorëve joshtetërorë, që minojnë paqen dhe stabilitetin, siç janë grupet terroriste të shpërndara nëpër botë ose kartelet e drogës. Ndërkaq sot operojnë edhe korporatat shumëkombëshe, të cilat me një fuqi marramendëse e transferojnë kapitalin nga një vend në një vend tjetër. Shtetet, sado që të jenë të fuqishme në aspektin ushtarak e teknologjik, ato ballafaqohen me luftëra asimetrike. Në një mjedis të tillë aplikimi tradicional i fuqisë nacionale është bërë më pak efektiv.

Ndërkaq hapësira gjeografike, e cila fillon nga Afrika Veriore e që zgjatet deri në kufijtë verior të Indisë, thuajse është e mbërthyer në kasaphane dhe luftë civile. Në këtë pjesë të globit mungon rendi i qëndrueshëm politik dhe institucionet stabile. Shkallë e paparë e paqëndrueshmërisë në botë (Francis Fukuyama). Çrregullim në gjithë botën (Zbignew Berzezinski).

Marrëdhëniet politike e ekonomike ndërkombëtare karakterizohen me ngritjen ekonomike të Kinës, dinamizimin e Indisë, një Rusi e cila i shqetëson fqinjët e saj, një Evropë me forcat euroskeptike brenda vetes dhe SHBA-të më një president, i cili gjatë fushatës kishte një retorikë izolacioniste.

India, Brazili, Afrika e Jugut ose Turqia janë shtete që përjetojnë rritje ekonomike, mirëpo rritja e tyre, thotë Kagani, është e parëndësishme për pozicionin strategjik të SHBA-së ose në dobi të vet saj. Vetëm rritja ekonomike e Kinës i kërcënon interesat e SHBA-së dhe fuqinë amerikane në të ardhmen.

Viteve të fundit pikërisht Kina u bë iniciatore e disa institucioneve ekonomike e financiare, që garojnë me institucionet, të cilat i kishte themeluar Perëndimi dekada më parë. Banka Aziatike për Infrastrukturë dhe Investim (AIIB),  si dhe Banka e Re për Zhvillim (NDB), kjo e fundit e formuar nga shtete e BRICS-it, përbëjnë shembuj të cilët shfaqin ngritjen ekonomike dhe financiare të Kinës. Në fakt, këto dy institucione financiare, njëra me qendër në Pekin e tjetra në Shangai, tanimë si konkurrentë e shohin Bankën Botërore (World Bank), Fondin Monetar Ndërkombëtar (IMF), por edhe Bankën Aziatike për Zhvillim (ADB). Kina, përmes këtyre institucioneve financiare, rivalizon SHBA-në në tryezën e ekonomisë globale.

Me një kapital prej 100 miliardë $ AIIB synon promovimin dhe investimin në sferën infrastrukturore, kryesisht në kontinentin aziatik, mirëpo këtij institucioni më pas u bashkëngjiten edhe disa shtete të tjera evropiane, ndër ta Gjermania, Franca dhe Britania. Oponentët e AIIB-së shqetësohen për faktin se kjo bankë e rrit edhe më tepër sferën e influencës ekonomike, financiare ose politike të Kinës dhe i ndryshon rregullat e lojës.

Vendimi i Presidentit Trump (janar 2017) për t’u tërhequr nga marrëveshje tregtare e Partneritetit të Trans-Paqësorit (TPP) e inkurajon edhe më tepër Kinën për të vazhduar me projektin tjetër  alternativ në rajonin e Paqësorit, atë të Partneritetit Regjional Ekonomik Gjithëpërfshirës (RCEP). Në këtë projekt, i cili ka për qëllim uljen e tarifave ndërmjet vendeve anëtare, nuk përfshihen vetëm Kina dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore, por aty bëjnë pjesë edhe India, Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, pra mbi 3 miliardë banorë. Presidenti kinez Xi Jinping rëndësinë e projektit në fjalë e theksoi edhe gjatë fjalimit të tij në Davos, madje edhe për rolin pozitiv që luan globalizimi ekonomik. Kësisoj, Kina konsiderohet shtytëse e globalizimit dhe integrimit ekonomik.

Nëse gjatë periudhës së luftës së ftohtë SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik përbënin dy shtete më të fuqishme të globit, sot SHBA-ja dhe Kina llogariten vendet më të fuqishme në arenën globale. Andaj në të ardhmen bashkëpunimi mes tyre në sfera të ndryshme është i pashmangshëm, aq më shumë, se që të dyja shtetet siç pohon Berzezinski, janë të rëndësishme në stabilitetin botëror.

Marrë në përgjithësi, në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe një rendi të ri global, ku do të dominojë bashkëjetesa ndërmjet popujve të ndryshëm dhe mirëqenia ekonomike, kontribuues pa dyshim se janë edhe shtete të tjera me peshë ekonomike dhe politike. Që të gjithë mund të luajnë rol konstruktiv. Përgjegjësinë në vendosjen e paqes dhe rendit në botë më së shumti e bartin ata të cilët janë më të fuqishëm.

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të të tjerëve (The rise of the rest) ose, në këtë rast, të Kinës, SHBA-ja edhe më tej mbetet aktori kryesor falë aspektit ushtarak e teknologjik, SHBA-ja edhe në dekadat e ardhshme, ashtu edhe siç thuhet në studimet e Këshillit Nacional të Inteligjencës (Amerikane), do të mbetet Primus Inter Pares – “të parët ndërmjet të barabartëve”.

Postime të Ngjajshme