` . Diskriminimi në kulturë, botuesit kërkojnë departament të kulturës shqiptare - TV SHENJA

Diskriminimi në kulturë, botuesit kërkojnë departament të kulturës shqiptare

Të formohet departament i kulturës shqiptare, si organ i parë i depolitizuar dhe departizuar në Maqedoni, ose të bëhet riorganizimi i Ministrisë së Kulturës me anë të ndarjes së sektorëve të kulturës në  tre departamente, në departamentin e kulturës maqedonase, shqiptare  dhe në departamentin për kulturë të bashkësive etnike. Ishin këto propozimet e shoqatës së botuesve shqiptarë, për pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët, të cilët temë diskutimi e kishin çështjen e kulturës shqiptarëve në Maqedoni.

Profesori Ejup Ajdini, tha se mjetet e pakta të cilat i ndan Qeveria për kulturën shqiptare, më shumë vijnë në shprehje tek botimi i veprave letrare, tek të cilat nuk ka asnjë kontroll vlerash dhe standardesh në të botuarit e tyre dhe në këtë mënyrë bëhen keqpërdorime. Ai shtoi gjithashtu se në projekt-buxhetin e vitit 2016 qasja ndaj kulturës shqiptare është tejet diskriminuese, pasi nga donacionet prej 4.5 milion eurove për komunat në fushën e kulturës, vetëm 50 mijë euro, respektivisht 1.2 për qind janë paraparë për kulturën e vendbanimeve shqiptare.

“Kush ka ndikim në ministrinë e kulturës, që librat, botimet, për anën e librave po flas, jo për pjesën tjetër të kulturës, të ketë një komision një recenzurë prej tre autorëve, me nivel të lartë kulturor, që njerëzit kur ta bëje gati veprën, të shkojë ta botojë, ta dorëzojë aty, le të rrijë konkursi hapur. Për shembull kemi nevojën e romaneve, ne si popull kemi mbet mbrapa, dhe s’kemi. Kemi nevojë edhe për tregime të shkurtra, kemi nevojën e eseut, etj. Për shembull romani ka vlerën 10 mijë euro për shembull, sivjet s’ka roman, vitin tjetër duhet të marrë 20 mijë. Ne duhet ta stimulojmë atë, me qëllim që të vijmë deri te zhvillimi, duhet të krijojmë këto politika të kësaj natyre, ose të fushave të tjera”, tha profesori Ejup Ajdini.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së botuesve shqiptarë, Qamil Rufati, tha se për këto dy iniciativa, ftojnë edhe partitë politike që e përbëjnë Marrëveshjen e Përzhinos, si dhe ndërmjetësit, të formojnë një komision qeveritar, me qëllim të krijimit të mekanizmit mbrojtës të identitetit të shqiptarëve në Maqedoni, në përputhje edhe me Marrëveshjen e Ohrit.

“Përfitimet nga themelimii DKSH-së, apo riorganizimit të Ministrisë së Kulturës janë: Korniza të përhershme të qëndrueshmërisë dhe afirmimin e vlerave kulturore; Zhvillimin institucional të kulturës, e jo zhvillimin incidental të kulturës jomaqedonase; afirmim të institucioneve depolitizuese, si Ministria e Kulturës, Arsimit; Mekanizëm mbrojtës për ndarjen proporcionale të buxhetit shtetëror në bazë të përfshirjes etnike në vend, që do të thotë edhe shpërndarje të drejtë të taksapaguesve që e mbushin buxhetin shtetëror; Përgjegjësi të këtyre organeve dhe institucioneve në avancimin e vlerave”, tha Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Qamil Rufati.

Sipas shoqatës së botuesve shqiptar, Departamenti i kulturës shqiptare, duhet të themelohet me rekomandime nga shoqëria kulturores shqiptare në Maqedoni, si dhe Ministria e Kulturës duhet të disponojë me mjete financiare për shërbimet vetë-promovuese të multikulturalizmit në vend, e cila shumë nuk do të jetë mbi 5% nga shuma e përgjithshme që do të ndahen për kulturë.

Ajnur Bafqari /SHENJA/


Diskriminimi në kulturë, botuesit kërkojnë… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme