` . Disa shtete të Gjirit premtojnë 3 miliardë dollarë për rindërtimin e Irakut – TV-SHENJA

Disa shtete të Gjirit premtojnë 3 miliardë dollarë për rindërtimin e Irakut

Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bashkërisht premtuan 3 miliardë dollarë për rindërtimin e Irakut pas pastrimit nga terroristët e DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha se vendi i tij do të kontribuojë me kredi dhe investime në vlerë prej 1 miliard dollarë për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës që është dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës 3-vjeçare të Irakut me grupin terrorist DEASH.

Duke folur në një konferencë të donatorëve ndërkombëtarë të organizuar nga Kuvajti, Al Thani afirmoi angazhimin e vendit të tij për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit të Irakut. “Përpjekjet e Katarit për rindërtimin do të përqendrohen kryesisht në projektet e infrastrukturës”, tha Al Thani.

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, tha se vendi i tij do të ndajë 1.5 miliardë dollarë për iniciativat e rindërtimit në Irak.

Duke folur para pjesëmarrësve të konferencës, al-Jubeir tha se formimi i një “këshilli koordinues” midis Arabisë Saudite dhe Irakut është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme nga të dy vendet për të rritur marrëdhëniet dypalëshe.

Ndërkaq, ministri shtetëror i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, i cili gjithashtu foli në konferencë, tha se vendi i tij do të kontribuojë me 500 milionë dollarë për përpjekjet e planifikuara të rindërtimit.

Rreth 2.300 kompani nga 70 vende marrin pjesë në konferencën e cila filloi të hënën.

Pas luftës 3-vjeçare kundër DEASH-it, që në vitin 2014 pushtoi pjesën më të madhe të vendit, Iraku tani shpreson të sigurojë 100 miliardë dollarë investime për të rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar ose të shkatërruar gjatë konfliktit.

Iraku gjatë drejtimit nga ish-presidenti Saddam Hussein pushtoi Kuvajtin e pasur me naftë në vitin 1990, para se të detyrohej të tërhiqet nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA-të.

Hussein, më vonë u rrëzua pas pushtimit të Irakut nga SHBA-të në vitin 2003.