` . "Disa shtete ende kundër dhënies së datës për bisedimet" (Video) - TV-SHENJA

“Disa shtete ende kundër dhënies së datës për bisedimet” (Video)

Me afrimin e samitit të Këshillit Evropian, rriten edhe paralajmërimet se vendi nuk do të merr datë për negociata në qershor. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha sot pas takimit me kreun e shtetit, Stevo Pendarovski, në Bruksel se nuk është çështja nëse vendi do të merr datë, por kur do të ndodh ajo. Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka përmbushur kriteret e rekomanduara, megjithatë jo të gjitha vendet janë pro sjelljes së vendimit pozitiv.

Donald Tusk, Këshilli Evropian
“Nuk dua t’i parashikoj vendimet e BE-së, ju keni bërë gjithçka që pritej nga ju. Por, dua të jem i sinqertë me ju, nuk janë të gjitha vendet të gatshme të sjellin vendim për hapjen e negociatave ditëve në vijim. Unë, personalisht, mendoj se do të ketë vetëm një vendim, ndërsa ajo është që të fillojnë negociatat në pajtueshmëri me rekomandimin e Komisionit Evropian edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë. Sot çështja nuk është se a do të ketë negociata, por kur. Nëse jam i kujdesshëm, ajo është sepse e di se ndonjëherë për t’u arritur koncensusi mes vendeve anëtare, duhet më shumë kohë se sa do të doja unë”.

Ndërkohë, Pendarovski deklaroi se vendi meriton që të merr datë për negociata. Ai theksoi se janë të vetëdijshëm se nevojiten akoma reforma dhe se mbetet akoma për t’u bërë, por tha se negociatat për anëtarësim janë instrumenti më i mirë reformues dhe më efikas për realizimin e detyrave konkrete.

Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut
“Këtë qershor, Bashkimi Evropian ka mundësi historike për të dëshmuar lidership dhe vizion për gjithë rajonin tonë, me atë që do t’i jep datë për negociata Maqedonisë së Veriut. Qytetarët tanë nuk kërkojnë datë të pameriuar për negociata, por shancë të merituar për të ndërtuar shtet evropian me shoqëri të drejtë, humane dhe përparimtare”.

Samiti i Këshillit Evropian do të mbahet javën tjetër. Vendi vitin e kaluar mori datë të kushtëzuar për negociata, ndërsa ishte paralajmëruar që këtë vit, gjatë samitit të qershorit, BE të sjell vendim për fillimin e negociatave me  Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Megjithatë, edhe pse raporti i progresit ishte pozitiv për këto dy vende dhe rekomandon fillim të negociata, zgjerimi i BE-së nuk është pjesë e axhendës së këtij samiti. Shumica e vendeve anëtare mbështesin hapjen e negociatave, por Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë shtetet më skeptike sa i përket përmbushjes së kritereve që këto dy vende të kalojnë në këtë fazë të procesit për anëtarësim. Teuta Buçi /SHENJA/