` . Diplomati gjerman: Kjo është mundësi historike për Maqedoninë (Video) – TV-SHENJA

Diplomati gjerman: Kjo është mundësi historike për Maqedoninë (Video)

Pas vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel e cila vizitoi vendin javën e kaluar, sot në vend po qëndron ministri shtetëror për Evropë në MPJ-në gjermane, Mihail Rot. Ai në fjalimin e tij gjatë debatit “Maqedonia në rrugën drejt BE-së”, që u mbajt në Ohër, porositi se me marrëveshjen për kontestin e emrit vendi ka mundësi unikate për hapjen e dyerve të BE-së dhe NATO-s. Ai tha se dëshiron ta sheh vendin sa më shpejtë të jetë e mundur në grupin e miqve të bashkuar në dy asociacionet.

Mihail Rot, ministër Shtetëror për Evropë i Gjermanisë
“Do të doja që të inkurajoj qytetarët në vendin tuaj të mrekullueshëm që të pranojnë këtë mundësi historike. Nëse e mbështetni marrëveshjen, ajo do të jetë sinjal i rëndësishëm se qytetarët e Maqedonisë janë të përkushtuar fuqimisht në demokraci, sundimin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, ato do të bëhen pjesë kruciale e Evropës së bashkuar. Duhet ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë, miqësinë tonë, detyrimet e përbashkëta, kështu që jam optimist i madh në atë drejtim”.

Rot ka theksuar se kompanitë gjermane janë të interesuara për investim në Maqedoni, si mënyrë e hapjes së vendeve të reja të punës dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve në vend.

Ndërsa, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, theksoi se referendumi nuk ka të bëjë me çështje politike, por me ardhmërinë e Maqedonisë dhe gjithë qytetarëve të saj. Dimitrov i ka drejtuar kritika partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, për qasjen e kësaj partie ndaj çështjes së referendumit.

Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm i Maqedonisë
“Të flisni dhjetë vite për referendum dhe për çdo çështje të mundshme të thoni se kur të gjeni gjuhë të përbashkët me Greqinë do të pyesim qytetarët, ndërsa pastaj të mos keni qëndrim të qartë ajo është shmangie e përgjegjësisë dhe shmnagie nga ballafaqimi me vullnetin e popullit. Gjë që nuk është e mirë për një parti që shpesh herë merr guximin të flet në emër të popullit. Populli flet përmes votimit”.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë tha se kodet nacioanle të Maqedonisë mbeten MK dhe MKD, ndërkaq në lidhje me brendet tregtare, Dimitrov theksoi se çështja nuk është mbyllur me Marrëveshjen e Prespës, por do të formohet trup i përbashkët me ekspertë ndërkombëtar, i cili do të gjejë zgjidhje se si do të funksionojë kjo çështje. Teuta Buçi /SHENJA/