` . Dimri i ikjes së Agron Tufës - TV-SHENJA

Dimri i ikjes së Agron Tufës

Nuk më dhanë leje dhe ika. Të shoh nënën në grahmat e fundit. Ky qe fundi: më dënuan me varje. Javën para varjes nuk shtiva gjë në gojë. Doja të vdisja i pastër. Gusht. Më varën në sheshin e qytetit. Urrejtja e mllefi i tyre u derdh në episodin e fundit. Tashmë përtej vdekjes. Në formën e varrit. Më varrosën vertikalisht, në një vrimë shtylle, diku, në një shkarrëzinë të humbur. Kokën ma lanë jashtë. Për bishat e egra, sigurisht. Kështu më gjetën, pas pesë vitesh: në këmbë. Pa kokë…” (“Agron Tufa, “Kur këndonin gjelat e tretë”, Onufri 2019, f. 118)

Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë

…Është vetëm një fragment nga muzeu i thurur përmes fjalës për shumë nga ata që për shkak të fjalës, për shkak të bindjeve politike, për shkak se dëshironin që të mos hiqnin dorë nga besimi i tyre në Zot, shkuan drejt litarit ose pushkatimit. Janë pengje që duket sikur Agron Tufa i ka rikthyer përmes portreteve artistike që shumëkush nga ne të kthejë, të paktën, një herë kokën pas e të shohë rrethin e ferrit ku janë rrotulluar qindra e qindra qytetarë shqiptarë. Shpesh ata as nuk e dinin pse ishin aty, pse po dënoheshin, sepse askush nuk ua shpjegoi. Ata donin, të paktën, të kuptonin përse ishin armiku. Por, dikush apo disa të tjerë kishin vendosur që ata të quhen të tillë. Për disa mund edhe të vihej bast për ta se sa kanë fuqi të mbijetojnë…

Ky mozaik historish, i ardhur si një akuarel, ku ngjyrat i përzien Vdekja nuk dukej se kishte nevojë për një epilog, ku në fund të shënohej ikja e atij që i shkroi. Por, përse vallë Agron Tufa të largohej nga Shqipëria pasi na la një të tillë muze fjalësh në mesin tonë? A ishin ato kërcënime aq detyruese për largim, për ta braktisur këtë vend? A kishte mundësi të qëndronte ende dhe ta vijonte betejën këtu, mes nesh? A mund ta drejtonte ende një betejë ligjore kundrejt ish shefit të dikurshëm të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, që edhe ne të kishim më në fund një gjyq ligjor dhe moral për ata që në emër të ideologjisë komuniste shfarosën për gati 50 vite pa gjyq apo me palogjyqe bashkëqytetarët e vet sikur t’i kishin hasmër më të mëdhenj në shekuj?

Por, ndërkohë që bëjmë pyetje për ikjen e Agronit, kemi harruar të bëjmë disa pyetje për veten tonë: a kemi mundur ne të bëjmë diçka që e shkuara kriminale të zbardhet me të gjithë të vërtetat e saj? A kemi guxuar ne të jemi së bashku në këtë betejë që Agroni të mos ndihej as vetëm e as i kërcënuar?

Natyrisht, Agroni nuk ishte vetëm. Kolegë të tij dhe politikanë, shkrimtarë, gazetarë, pedagogë ose drejtues universitetesh u vunë në krah të betejës së tij dhe Institutit për Studimet e Pasojave të Krimeve të Komunizmit për të zbardhur të shkuarën. Por, sërish, muri i indiferencës ose kundërshtimit përballë këtyre zërave mbështetës vijoi të ishte shumë i lartë dhe i fortë. Vetë z. Tufa i bëri të ditur në një intervistë për radion Deutsche Welle, pak ditë pas largimit të tij, se asnjë organ i akuzës në vend e as organizmat ndërkombëtarë, si OSBE apo BE, nuk kishin pasur asnjë reagim as ndaj denoncimit të tij lidhur me ish-shefin e dikurshëm të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, e as ndaj kërcënimeve të njëpasnjëshme, herë me fytyrë e herë ilegale, që iu bënë për muaj me radhë nga deputetë, historianë, ish politikanë të lartë, me mbështetje të hapur politike ose edhe kërcënues që flenë ende me ëndrrat e dikurshme të hetuesive.

Por, edhe pa këto denoncime ndaj z. Tufa, shoqëria ka pasur fatin e saj të keq të ndeshet me praninë dhe fuqinë e përditshme të ish pjesëtarëve të hetuesisë dhe ish sigurimit famëkeq të diktaturës, të cilët janë në institucione drejtuese të politikës apo dhe institucione ligjzbatuese, e tashmë edhe deri në institucionet më të reja të drejtësisë të bekuara edhe nga ndërkombëtarët. Madje, edhe një nga institucionet ku besohet rivendosja e shpresës për drejtësi ka në krye një ish hetues, që e bën edhe më trishtuese gjithë skenografinë, pasi duket se kjo heshtje e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare tashmë ka edhe një sy të shkelur nga ndërkombëtarët. E pas kësaj, kushdo që ka menduar t’i bëjë z. Tufa edhe pyetje të tjera në lidhje me ikjen e tij, duket se duhet të rimendohet shumë përpara se t’ia shtrojë atij. Sepse, që ta pyesim Tufën, duhet që më parë të jemi përgjigjur për mundësitë që ai kishte për të parë të ndëshkuar ata që ai kishte denoncuar.

Natyrisht, pavarësisht situatës së rëndë morale që ndodh me gjuhën, jo vetëm nostalgjike, por edhe kërcënuese dhe fyese, as unë e as shumë shqiptarë të tjerë nuk i kanë marrë aq seriozisht kërcënimet ndaj Tufës as nga deputeti Spartak Braho, as nga ish-deputeti Brokaj, as nga nostalgjikët baba e bir, Tarifa. Madje, as çmenduritë e tipit “Osman Murati”, që shprehu ëndrrën e tij për të vrarë ende me pistoletë në dorë ata që duan të zbardhin krimet e së shkuarës ose “krimet e komunistëve në luftë”. Por, guximi i tyre për të mos fshehur nostalgjinë për një regjim aq kriminal do të duhej të ishte alarm i madh. Jo një alarm vetëm për Agron Tufën, por për të gjithë ne që kemi lejuar në këto 30 vite që ish-përfaqësuesit kriminalë të diktaturës së Enver Hoxhës të ndihen kaq krenarë dhe kaq fanatikë në ruajtjen e pushtetit.

Por, ne sot jemi ende pa një gjyq moral për atë të shkuar. Sepse Edmond Caja, duke guxuar të flasë sikur ka qenë falës e jo ndëshkues, ose Braho kur flet sikur ka qenë shpëtues e jo dënues i kohës së Enverit, na bëjnë të besojmë se ata, në vend të pendesës kanë zgjedhur krenarinë për atë që ka ndodhur në burgun famëkeq të Qafë-Barit ose në gjyqet e montuara të asaj kohe, kur Tarifa i shërbente në paradhomë udhëzuesit të torturave dhe ndëshkimeve.

Kurajo e tyre për t’u krenuar me atë të shkuar kriminale është pjesa publike e dështimit tonë si shoqëri, për të bërë të mundur që të shkuarën ta ndëshkojmë për natyrën e saj kriminale. Ndërkohë duhet t’u themi me zë të lartë atyre që mbijetuan se kjo shoqëri u përulet dhe u detyrohet për sakrificën e tyre në mbrojtje të vlerave njerëzore, që zgjodhën rrugën e ferrit për të mos shitur njeriun brenda tyre. Ashtu siç ka ndodhur në shumë vende ish-komuniste, në Gjermani, Çeki ose Hungari, ku ish-komunistët nuk dolën kurrë në publik të shprehnin krenarinë e tyre për krimet gjatë kohës së tyre në pushtet. Në Shqipëri as kjo nuk ndodhi.

Përballë guximit të tyre për të mos u penduar për krimet e kryera, Agron Tufa na solli pengjet e asaj kohe, përmes zërit të Vdekjes, si i vetmi zë që kumbonte. Por, përballë atij muzeu të mbijetesës njerëzore, “Brahot”, “Brokajt”, “Cajët”, “Tarifat”, “Muratët” e shumë të tjerë zgjodhën të krenohen, të buzëqeshin. Buzëqeshjes së tyre iu shtua indiferenca jonë dhe e atyre institucioneve ndërkombëtare të cilëve ne u besuam se nuk do të lejonin kurrë që zëri i asaj të shkuare të ishte sërish mes asaj që duam të ndërtojmë për të pasur një vend ku e drejta dhe e vërteta mund të bashkëjetojnë.

Pas guximit të tyre për t’u krenuar me të shkuarën e tyre dhe indiferencës së shoqërisë, duket se shanset për t’i kërkuar Agron Tufës të jetojë këtu qetësisht janë të vogla. Zëri i pengjeve të së shkuarës brenda Tufës e mundin thirrjen tonë. Në vend të pikëpyetjeve, ne bëjmë mirë ta rilexojmë librin e të besojmë se rrugët drejt së vërtetës për atë të shkuar nuk janë mbyllur ende. Do të mjaftonte për të na bërë gjatë të mendojmë pyetjet ndaj Tufës, qoftë edhe një fragment i vetëm i shkëputur nga tregimi “Tarti”, qenit që ishte bërë pjesë e përditshme e të burgosurve politikë të Spaçit, që u pushkatua siç u pushkatuan pa gjyq edhe pjesëtarët e revoltës së vitit 1973. “Ditën e tretë revolta u shtyp. Katër u pushkatuan me vendim gjyqi. Kurse mua të pestin, më dënuan me vdekje, pa letra. Si burracakë! Unë u ndesha ballas me ta. Në radhët e para. Kurse ata më kanë lidhur pas një shtylle me dy palë zinxhirë. Katër policë po më godasin me bishta lopate në kokë….”.

Apo epilogu i tregimit tjetër: “Nuk ka se ç’të zbulojë prej meje. Vendimi me vdekje është dhënë dhe ai e di këtë. Pushkatimi bëhet sonte. Por prapë më torturon. Ndoshta i vjen inat nga që vdekja ime ia heq mundësinë për të shfryrë mllefin në ditët në vazhdim? A ndoshta më torturon , që të mos përqendrohem në lutjet e mia për t’u përgatitur për vdekjen? Si kanë mundur të mbledhin përbrenda një mllef kaq të madh komunistët? Secili prej tyre është një fuçi e madhe e errët, cit me mllef. Megjithëse trupin ma kanë ënjtur e sakatuar dhe dhimbjet po më luajnë menç, prapëseprapë truri im në ethe kërkon të dijë, nëse e ka një fund mllefi i tyre. Kujt do t’ia shkarkojnë? Apo do të hanë kokën e njëri-tjetrit. Se pa mllef, u pa puna, ata nuk rrënojnë dot… (Po aty, f. 98)

Pyetje për Agronin mund të kemi ende. Por, zërat e pengjeve që ia solli si muze fjalës kanë jehonën për të lënë pyetjet tona në dimrin e vet…