` . Dimensioni historik dhe ideologjik i themelimit të NATO-s – TV-SHENJA

Dimensioni historik dhe ideologjik i themelimit të NATO-s

Rritja e agresionit të Bashkimit Sovjetik në bllokadën e Berlinit në vitin 1948 dhe tendencat për ta shtrirë influencën drejt Perëndimit, çoi në krijimin e Traktatit Veri-Atlantik, i cili u nënshkrua në Uashington më 4 prill të vitit 1949

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Ndenja kundër armikut të përbashkët sjell aleanca ndërmjet kombeve dhe shteteve. Në atë mënyrë shtetet, të cilat përballen me një kërcënim të jashtëm, përafrohen me të tjerat për të kundërshtuar shtetin, që paraqet kërcënim. Kësisoj arrihet që të formohet ekuilibri i fuqisë dhe të balancohet fuqia e kundërshtarit. Njëri ndër protagonistët e shkollës së mendimit (neo)realist të marrëdhënieve ndërkombëtare, Stephen Walt, në veprën e tij Origjina e Aleancave, ekuilibrin ose balancën e definon si  …aleancë me të tjerët kundër kërcënimit mbizotërues. Aleanca, pra, është lidhje e dy ose më tepër shteteve (ose subjekteve) që veprojnë së bashku për një qëllim të përbashkët e kundër armikut të përbashkët. Një logjikë e tillë e funksionimit të aleancave ishte e zakonshme që nga koha e Tukiditit – historianit dhe gjeneralit të lashtë grek – por që vlejti edhe për periudhën më të re. Historia politike e botës është e mbushur me shembuj të formimit dhe prishjes së aleancave. Në disa raste, është ideologjia ajo që e determinon ngritjen e aleancës. Ndërkaq ideologjitë e përbashkëta të shteteve shpeshherë karakterizohen nga interesa dhe vlera të përbashkëta (Patrick T. Waren).

Konferencat e Treshes së Madhe – SHBA-së, Britanisë dhe Bashkimit Sovjetik – të cilat u zhvilluan gjatë mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, rezultuan në ndarjen e zonave të influencës dhe, rrjedhimisht, prodhuan një realitet të ri në skenën e historisë botërore, atë të ndarjes së botës ndërmjet dy ideologjive antagoniste në dekadat që do të pasonin!

Rritja e agresionit të Bashkimit Sovjetik në bllokadën e Berlinit në vitin 1948 dhe tendencat për ta shtrirë influencën drejt Perëndimit, çoi në krijimin e Traktatit Veri-Atlantik, i cili u nënshkrua në Uashington më 4 prill të vitit 1949.

Kur jemi në këtë periudhë, është me rëndësi të thuhet se invazioni i Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut pati impakt mbi ecurinë e mëtejshme të Traktatit Veri-Atlantik dhe mbi strukturën organizative të saj, kjo ngase dështimi i Perëndimit në Kore, do t’i zgjonte apetitet e sovjetikëve në Evropë. Pikërisht në vitin 1950 kohezioni i Aleancës u rrit edhe më shumë dhe, si rezultat i kësaj, Traktati Veri-Atlantik  u shndërrua në atë që sot njihet si Organizata e Traktatit Veri-Atlantik, pra NATO. Edhe formimi i Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë është pjesë e këtij episodi historik të NATO-s. Madje, jo vetëm kaq, por në atmosferën e luftës koreane dhe presionit të vazhdueshëm sovjetik, aleanca e NATO-s e inkuadroi në gjirin e vet Turqinë dhe Greqinë (1952).

NATO-ja lindi me qëllim që ta trupëzojë organizimin politik e ushtarak ndërmjet SHBA-së dhe shteteve evropiane, në mënyrë që të pengojë, por edhe ta mposhtë sulmin konvencional nga kërcënimi i vetëm, tanimë jo nga armiku i dikurshëm Hitleri, por pikërisht nga Bashkimi Sovjetik. Krahas kësaj, organizata ushtarake dhe politike e NATO-s arriti një sukses tjetër, të paparë më herët në historinë moderne të Evropës – i ndërpreu luftërat dhe gjakderdhjet që mbretëronin me shekuj në kontinentin e vjetër.

Nisur nga kjo, mund të thuhet se aleanca e NATO-s është produkt i shqetësimit kundër armikut të jashtëm, nevojës për ta ekuilibruar Tjetrin (lexo: Bashkimin Sovjetik ose Paktin e Varshavës), por edhe produkt i ndihmës së shtetit të fuqishëm kundrejt të tjerëve (Plani Marshall i SHBA-së për Evropën, 1948), si edhe i ideologjisë. Që në preambulën e Traktatit të aleancës së NATO-s bëhet e qartë që shtetet anëtare janë të vendosura për ta mbrojtur lirinë, trashëgiminë e përbashkët dhe qytetërimin e popujve të tyre, të bazuara në parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe sundimit të ligjit. Traktati siguroi që palët do të kontribuojnë në zhvillimin e paqes dhe miqësisë, duke i forcuar institucionet e tyre të lira dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik (neni 2), kurse nëse pavarësia politike, territori ose integriteti i ndonjërit është i kërcënuar, palët së bashku do të duhet të konsultohen (neni 4).

Aspekti më i rëndësishëm i aleancës atëherë e sot mbeti përkushtimi për mbrojtjen ushtarake kolektive, përkatësisht neni 5 i Traktatit në të cilin në mënyrë të qartë thuhet se “sulmi ushtarak kundër një ose më shumë anëtarëve në Evropë ose në Amerikën e Veriut do të llogaritet si sulm kundër të gjithëve”.

Në rrethanat kur një pjesë bukur e madhe e shteteve evropiane dolën të dërrmuara nga lufta e madhe, SHBA-të – ajo e cila tradicionalisht ndiqte politikë izolacioniste – e gjeti veten mbrojtëse dhe gardiane të demokracisë liberale kundër përhapjes së ideologjisë komuniste. Andaj zgjerimi i NATO-s dhe futja e anëtarëve të rinj në aleancë – fillimisht me Turqinë dhe Greqinë, e pastaj edhe me Gjermaninë Perëndimore (1955), u ndoq po nga kjo mendësi.

Megjithatë, jo të gjithë shtetet nënshkruese të traktatit themelues të NATO-s e shihnin me dashamirësi rolin e SHBA-së në NATO. Vendimi i presidentit francez Sharll De Goll (Charles de Gaulle) për tërheqjen e Francës nga struktura ushtarake e NATO-s në vitin 1966, si duket e pasqyroi skepticizmin francez rreth dominimit dhe hegjemonisë së SHBA-ve mbi sigurinë evropiane. Shikuar nga aspekti politik, kjo ngjarje brenda aleancës ekuilibrin e fuqisë e zhvendosi drejt anës amerikane, ndërsa si rrjedhojë e rriti edhe më tepër ndikimin e politikës amerikane në Evropë.

Mirëpo, Aleanca e Atlantikut e përforcuar institucionalisht nga NATO-ja, bëri lidhjen e shteteve më të fuqishme evropiane me SHBA-të, madje duke i shndërruar SHBA-të në pjesëmarrësin kyç në çështjet e brendshme të Evropës. Pa aleancën e NATO-s, Evropa jo vetëm që do të bëhej e prekshme, por edhe e fragmentuar politikisht. Ajo (NATO) u bë garanci e sigurisë evropiane. Ky fakt e bëri aleancën e NATO-s aq jetësore për Evropën (Zbignew Berzezinski).

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe intervenimit të NATO-s në Kosovë, aleanca e NATO-s u shndërrua në katalizator sigurie për Ballkanin. Ndërkaq pas Studimit për Zgjerim (1995) në kuadër të NATO-s, u konkludua se zgjerimi i mëtejshëm do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit, integrimit dhe bashkëpunimit më të ngushtë në Evropë.

Sulmet terroriste e nxorën në sipërfaqe faktin se aleanca e NATO-s përballet me aktorët joshtetërore, të cilët e minojnë paqen dhe stabilitetin jo vetëm brenda territorit të NATO-s, por gjithandej nëpër botë. Sfidave dhe problemeve, me të cilat u ballafaqua komuniteti ndërkombëtar viteve të fundit, shtetet duhej që t’u përgjigjeshin në mënyrë kolektive. Edhe kthimi i Francës si një anëtar i plotfuqishëm në strukturat e NATO-s (2009) erdhi pikërisht në suaza të kësaj klime. Ndërkaq përforcimi i krahut lindor të NATO-s, sidomos tanimë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia (2014) dhe zgjerimi i Aleancës, padyshim se e plotëson arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.