` . Dilema - TV-SHENJA

Dilema

EDITORIAL

Shkruan: Latif Mustafa

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, këto ditë ka marrë dy vendime të rëndësishme. Njëri prej tyre është mbështetja e plotë e formimit të ushtrisë së Kosovës njëkohësisht përshpejtimi i marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, dhe vendimi për tërheqjen e menjëhershme ushtarake nga Siria. Mbështetja e pakushtëzuar e formimit të Ushtrisë së Kosovës kundruall skepticizmit të BE-së dhe NATO-s në opinionin publik shqiptar ka shfaqur debatin dhe dilemën e orientimit tanimë brenda-perëndimor. Një rreshtim dhe diskurs ky, edhe pse i vështirë, e që shpesh manifestohet me shfryrje histerike dhe shpesh është evident në ngatërrimin e BE-së me Europën dhe konsiderimi i normave për vlera.

SHBA-të gjithmonë e kanë qenë mbështetësja më zëshme e Kosovës. Mirëpo, në fillim administrata e presidentit Trump, meqë ishte e fokusuar në çështje dhe rajone të tjera të botës, u dha hapësirë burokratëve të Unionit Europian t’i diktojnë negociatat Kosovë-Serbi në favor të Serbisë, duke futur kështu Kosovën nën presion të rëndë politik, në kompleks inferioriteti dhe në barrikadë mentale izolimi. Ky “favor” mund të themi se ndërtohet mbi efikasitetin konstitucional të Serbisë, perceptimin e shtetit i cili është faktor stabiliteti në Ballkan dhe përafrinë e saj vëllazërore që e ka me Rusinë. Mund të numërohen edhe faktorë të tjerë, por mbase ndër më të rëndësishmit, edhe pse është hipotetik në vete, është faktori i thelbit hegjemon të shtetit-komb, mbi të cilin janë ndërtuar shtetet europiane, formën e së cilës tashmë e ka dëshmuar edhe Serbia në 100 vjetët e fundit. Rrjedhimisht, refuzimi i për liberalizimin e vizave ishte kapaku i krejt këtij marifeti të brishtësisë burokratike të Bashkimit Europian.

Në anën tjetër, rikthimi aktiv i SHBA-ve në skenën politike të Ballkanit, e sidomos mbështetja e parezervë e formimit të ushtrisë së Kosovës, ua ktheu kosovarëve vetëbesimin, gjë që u pa edhe gjatë fjalimit të presidentit të Kosovës gjatë diskutimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Deklarimi i SHBA-ve për tërheqje nga Siria drejt Irakut duket të jetë pjesë e së njëjtës kornizë politike, kjo ngaqë koalicioni ndërmjet Damaskut, Iranit dhe Rusisë është më i natyrshëm se raporti fragjil ndërmjet Turqisë dhe Rusisë. Tërheqja e SHBA-ve do ta dobësojë pozicionin e Turqisë si aleat i NATO-s, gjë që mund të shtyjë Turqinë drejt një qorrsokaku politik dhe ushtarak, ku mund të ndeshet direkt me Rusinë. Në rast të dëmtimit të relacioneve Turqi-Rusi, SHBA-të mendohet se do ta shfrytëzojnë rastin për rishfaqjen vendimtare dhe trimufaliste të saj në dizajnimin e Sirisë.

Dinamikat e brendshme në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme bashkërendojnë dhe konvergjojnë brenda një trajektore dhe, si të tilla, kanë ndikim në njëra-tjetrën. Në këtë kontekst të ri gjeopolitik, Turqia dhe Rusia do të kenë pozicione tjetërfare në Ballkan, nëse përfshihet këtu edhe admirimi që do ta kenë serbët për Trumpi-n, që tashmë sa kohë e pengon Izraelin në shitjen e aeroplanëve F-16 Kroacisë, në të cilën mesele ishte i përfshirë e ish Sekretari i Mbrojtjes James Mattis. Nxitimi për t’i përmbyllur kapitujt e Ballkanit dhe të Lindjes së Mesme japin sinjalin se SHBA-të tashmë përgatiten për një fazë të re në diplomacinë globale.

Përtej presupozimeve, prejudikimeve hipotetike në kontekstin diplomatik, opinioni publik shqiptar, aktorët e rëndësishëm politikë, përkatësisht individët me ndikim social dhe kulturor, përmes debatit publik duhet ta qartësojnë çështjen e dallimit të normave të BE-së dhe vlerave të Europës; aspirimin drejt BE-së si projekt politiko-strategjik dhe ambicien drejt Europës si projekt gjeneratash duke filluar që nga Rilindja Kombëtare. Me BE-në synohet tregu ekonomik, bashkërendimi i qëllimeve strategjike dhe adaptimi i normave ligjore. Me Europën synohet përfshirja brenda një sfondi të përbashkët epistemik dhe kulturor, ku respektohet fuqishëm individi dhe diversiteti shoqëror. Qytetërimin europian e lindën kulturat kombëtare të shteteve-kombe të Europës, kurse BE-në marrëveshjet ekonomike ndërmjet këtyre shteteve.

Nëse SHBA-të janë garantuesit e stabilitetit politik të Ballkanit, në anën tjetër rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i rajonit varet nga BE-ja. Shqiptarët duhet të aspirojnë fuqishëm në artikulimin e vlerave të tyre në kontekst të qytetërimit europian, kurse SHBA-të do ta ndihmojnë ridizajnimin politik të kufijve, me qëllim të organizimit të ekonomive kombëtare, pjesë e së cilës është edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Dhe, vetëm si i tillë, Ballkani mund të krijoj mirëqenie ekonomike dhe stabilitet politik, përbri të cilave, me shumë lehtësi, do t’i përmbushë standardet dhe normat për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.