` . Dhjetë vjet pas pavarësimit – TV-SHENJA

Dhjetë vjet pas pavarësimit

Në 10 vjet pavarësi Kosova shkatërroi shumëçka në vend se të ndërtonte. Shkatërroi ekonominë, ambientin, kulturën, shëndetësinë, urbanizmin, e mbi të gjitha arsimin, atë çfarë nuk arriti ta bënte as Millosheviqi.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Si qytetarë të një vendi që historinë e kemi mësuar përplot me rrena e në shërbim të një politike katastrofike (enveriste), nuk mund ta imagjinonim që bota do të tregohet aq bujare me Kosovën. Ne kishim mësuar që Fuqitë e Mëdha e kishin copëtuar Shqipërinë në Konferencën e Londrës (1912-1913) dhe nuk kishim përse të prisnim ndonjë të mirë as për Kosovën. Arsimtarët e historisë nuk na e kishin thënë në shkollë të vërtetën, se kishin qenë pikërisht Fuqitë e Mëdha që i kishin angazhuar forcat e tyre diplomatike e ushtarake për ta çliruar nga Serbia, Greqia e Mali i Zi, territorin që këto Fuqi të Mëdha ishin marrë vesh të bëhej shteti shqiptar. Për më tepër, na ishte thënë se ishim çliruar nga Perandoria Osmane (të cilën herë-herë në tekstet tona shkollore e quanin Turqi) dhe nuk na tregohej e vërteta, siç rrëfen Princi Wilhelm Wied në kujtimet e tij, se pikërisht kjo Perandori Osmane paskësh insistuar pranë Fuqive të Mëdha që të krijohet shteti shqiptar. Duke qenë të formësuar me këtë frymë, ne nuk prisnim qe Fuqitë e Mëdha të tregoheshin kaq gjenerozë, që në fund të shekullit të XX ta çlironin edhe një pjesë të Shqipërisë së paçliruar që quhej Kosovë. Jo vetëm kaq, por sikurse edhe në rastin e Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha dhanë miliarda dollarë që të ngrihet edhe një komb i ri me bazë etninë shqiptare.

Por, a është Kosova storie e suksesit? Është dhe nuk është. Varet se për çka. Nëse flasim për çlirimin e saj, Kosova është storie e suksesit. Arriti të çlirohet me afro 13 mijë viktima, që i bie me më pak se 1% të popullsisë. Kjo do të thotë se kosovarët kaluan më keq se kroatët me 0,3% të popullsisë së tyre viktima, por gjithsesi më mirë se sa boshnjakët me 3,3% të popullsisë së tyre viktima. Por, nëse flasim për ndërtimin e Kosovës si shtet e si komb, kjo është një çështje që kërkon shumë debat.

Po t’i analizojmë tipat e kombeve kemi 5 modele. Slogani “Liberte, fraternite, egalite” (Liri, vëllazëri, barazi) i Revolucionit Francez të vitit 1789, kur edhe lindi kombi francez, në të vërtet paraqet formulën e kombit. Pjesëtarët e një kombi janë ata të cilët mes vete konsiderohen vëllezër, të lirë dhe të barabartë. Pra, kombi është komuniteti që krijon vullnetshëm shtetin, që është pronar i shtetit, për dallim nga komunitetet e tjera, që bëhen shtetas të atij shteti pa vullnetin e tyre. Të drejtat e komuniteteve, që përfshihen pavullnetshëm në një shtet, i përcakton gjeneroziteti i kombit (që e ka në pronësi shtetin) ose edhe vet fuqia politike e komuniteteve pakicë. Kështu, pra, u krijuan kombet moderne në 2 shekujt e fundit.

Në njërin rast, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie dhe një religjioni në kuadër të një territori, siç është rasti me serbët, grekët, rumunët, bullgarët, kroatët, boshnjakët, sllovenët, polakët, cekët, sllovakët etj. etj.

Në rastin tjetër, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie në një territor të caktuar, pa marrë parasysh religjionin, siç është rasti me shqiptarët, hungarezët, gjermanët dhe shumë të tjerët.

Në rastin e tretë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një religjioni në territorin e caktuar, pa marrë parasysh në përkatësinë etnike, siç është rasti me turqit, belgët dhe të tjerët.

Ne rastin e katërt, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e disa etnive e të disa religjioneve të caktuara, siç është rasti me zviceranët, ku gjermanët etnikë, francezët etnikë, italianët etnikë dhe retroromanët, përkatësisht protestantët dhe katolikët, përbëjnë një komb të vetëm.

Ne rastin e pestë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e të gjitha etnive të religjioneve të caktuara të një race, siç është rasti me amerikanët, kanadezët, australianët, zelandezët etj.

Kombet e llojit të parë, pra kombet njëetnike e njëfetare, quhen ndryshe edhe kombe të natyrshme, për shkak paragjykohet se janë më homogjene, sepse ato nuk i ndanë as etnia e as feja.

Kombi shqiptar, që siç pamë bën pjesë në kategorinë e dytë (njëetnik e shumëfetar) është pak më i komplikuar. Së këndejmi, i nipi i Naum Veqilharxhit (1797-1854), Jani Cali, i shkruante Naumit se është punë e kotë nisma e tij që të krijonte një komb nga 3 komunitete fetare. Megjithëkëtë, kombi shqiptar u krijua si i tillë dhe johomogjiniteti fetar, pos në fillimet e tij, nuk u paraqit si problem, por arsyet e tjera bënë që ky komb edhe pas 100 vjetësh të mbetet një komb i brishtë.

Kombi kosovar, i përbërë nga shqiptarët e Kosovës, ka po të njëjtën natyrë si edhe kombi shqiptar. Është njëetnik dhe shumëfetar. Kombi kosovar po lëngon nga të njëjtat probleme si edhe kombi shqiptar, me një dallim faze (periudhe historike). Kodi gjenetik i etnisë shqiptare, siç po duket, është dominues në kulturën politike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Atë që Eqrem Bej Vlora (1985-1964) ia vinte në pah publikut gjerman, se te shqiptarët nuk ekziston koncepti “përgatitje”, kjo mund të vërehet në rastin e Kosovës e në çdo hap të saj. Po përmend vetëm dy raste. Në kohën e UNMIK-ut, kur qeveria nuk kishte Ministri të Brendshme e Ministri të Drejtësisë, opinioni publik e figurat publike zienin nga kërkesat drejtuar UNMIK-ut që Qeveria e Kosovës t’i ketë edhe këto ministri. Kur më në fund UNMIK-u dha lejen të formoheshin këto ministri, u desh të humbeshin kot muaj të tërë të pritjeje derisa partitë të merreshin vesh se kush do të jenë ministra dhe ku do të vendosen këto ministri. Po kështu me dekada i vumë kujën UEFA-s e FIFA-s që Kosova të pranohet anëtare dhe kur më në fund u pranua, Kosova nuk e kishte edhe një stadium të vetëm që i plotësonte standardet. Stadiumi në Mitrovicë, që viteve të tetëdhjeta ishte bërë me standarde të larta, ku u luajt edhe ndeshja mes Jugosllavisë e Rumanisë, tashme ishte “destandardizuar”, ngase afër stadiumit ishin bërë lagje të tëra shtëpish pa leje e në pronë të uzurpuar. 10-vjetori i pavarësisë Kosovën e gjen atë pa stadium kombëtar.

Kombi kosovar, pos moskokëçarjes për të ardhmen, njësoj sikurse edhe kombi shqiptar dhe komunitetet e tjera shqiptare ku shqiptarët jetojnë si minoritete etnike (Maqedoni, Mal i Zi, Serbi), lëngon nga grykësia, korrupsioni, pakujdesia për ambientin, pakujdesia për trashëgiminë kulturore e shumë e shumë vese tjera. E trishtueshme për ta pranuar se për pyjet e Kosovës dhe hapësirat e gjelbra nëpër qytetet e Kosovës më mirë është kujdesur pushteti serb i Millosheviqit sesa shteti Kosovës. Shkretimi më i madh i pyjeve të Kosovës sesa në 10 vjetët e pavarësisë së Kosovës ka ndodhur vetëm gjatë sundimit të Maliq Pashës në fund të shekullit XVIII. (Për ta eliminuar problemin e cubërisë në Kosovë, Maliq Pasha kishte urdhëruar t’u vihej flaka gjithë pyjeve të Kosovës).

Sa i përket trashëgimisë kulturore, mjafton të përmendet se në vitet e pavarësisë së Kosovës u rrënuan tërësisht ndërtesat e konsullatave të shekullit XIX të Rusisë e Austro-Hungarisë në Mitrovicë dhe në rrënim e sipër është ndërtesa e konsullatës së shekullit XIX të Serbisë në Prishtinë dhe shtëpia e stilit barok e Xhafer Devës (1904-1978) në Mitrovicë. Kjo e fundit, shyqyr Zotit, është shpallur zyrtarisht monument kulture, por askush nuk kujdeset për të.

Gjatë 9 vjetëve liri e 10 vjetëve të tjera pavarësi, pjesa më e dukshme e dështimit është kaosi urban. Qytetet dhe qytezat janë të ngufatura sikur kosovarët të mos e kishin asnjë arkitekt dhe të mos kishin dëgjuar kurrë për fjalën urbanizëm.

Procesi që e pllakosi për toke ekonominë e Kosovës është sigurisht procesi i privatizimit, i filluar që në kohën e UNMIK-ut dhe i vazhduar me ngulm në 10 vjetët e pavarësisë. Prona të shumta shoqërore dhe objekte më rëndësi u privatizuan, duke shkaktuar dëme të shumëfishta. Biznesmenët kosovarë në një konkurrencë të ashpër mes tyre i bllokuan mjetet në objekte, toka e fabrika që nuk mund t’i vënin në funksion. Këto mjete qëndrojnë akoma të bllokuara jashtë Kosove në respekt të një vendimi të UNMIK-ut. Komunave dhe shtetit të Kosovës nuk u mbeti hapësirë për ndërtimin e objekteve publike (shkollave, çerdheve, shtëpive të shëndetit, kishave, xhamive etj). Për më tepër, shumica e institucioneve publike të Kosovës funksionojnë në objekte të marra me qira. Fjala bie, Gjykata Themelore në Mitrovicë i paguan qira 5.000 EUR në muaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit për një objekt shoqëror (para këto që bllokohen jashtë Kosove), kurse Prokuroria Themelore e Mitrovicës paguan po aq për një objekt privat, sepse edhe ajo nuk ka objekt të vetin, në vend se Qeveria ose Kuvendi i Kosovës të marrin vendim që ndonjë nga objektet shoqërore t’u kalojë në pronësi këtyre institucioneve.

Për nivelin e hajnisë në Kosovën e pavarur është e tepër të flitet. Mjafton të përmendet se për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dy herë radhazi u shpallën fituese llogot me përmbajtje të vjedhura. Për më tepër, plagjiat është edhe vetë flamuri kombëtar i Kosovës. Që flamuri kombëtar i Kosovës ta ketë hartën e Kosovës ngjyrë ari në një sfond të kaltër këtë e kam propozuar që më 1999 kur u zyrtarizua flamuri kombëtar i Kosovës, ndërsa nëntë vite më vonë u shpërblye personi që këtij dizajni ia shtoi 6 yje koti. Gjëja më e pështirë kur e dëgjon në media është tek thonë se ky flamur “u imponue”! Kështu, derisa Shqipëria vodhi himnin kombëtar nga rumunët, Kosova këtë e bëri me flamurin e saj kombëtar.

Në 10 vjet pavarësi, Kosova shkatërroi shumëçka në vend se të ndërtonte. Shkatërroi ekonominë, ambientin, kulturën, shëndetësinë, urbanizmin, e mbi të gjitha arsimin, atë çfarë nuk arriti ta bënte as Millosheviqi.

Për më tepër, kur liderët politikë te Kosovës nevrikosen me qeveritë e vendeve që ndihmuan substancialisht krijimin e shtetit të Kosovës, ata edhe i kërcënojnë qeveritë aleate të Kosovës me shkatërrim të shtetit të Kosovës.

Pikërisht për këtë gjendje, depresioni në Kosovë, sidomos ndër moshat e reja, është më i madh se kurdoherë në histori. Dhashtë Zoti që të mos ndodhë liberalizimi i vizave pa u krijuar një shpresë te të rinjtë, se Kosova është vendi ku mund të ndërtohet e ardhmja. Nëse portat do të hapeshin në këtë gjendje depresioni, kam frikë se 1 milion veta do ta braktisnin Kosovën, ndërsa  pjesa tjetër do ta braktiste vendin nga inercioni i braktisjes së milionit të parë.

Tani lexues të dashur gjykoni vetë se çfarë storie është krijimi i shtetit të Kosovës. Pyetja që shtrohet është se a do të mbijetojë ky shtet. Përgjigjja është PO. Njëri ndër baballarët e kombit shqiptar, Gjergj Fishta, thoshte se Shqipëria do të rrojë për inat të shqiptarëve. Dhe, Shqipëria si shtet mbijetoi pikërisht për inat të shqiptarëve. Sado që ata e shkatërruan e vodhën e e rrjepën, ajo mbijetoi. Edhe Kosova si shtet do të mbijetojë për inat të shqiptarëve të Kosovës, të cilët janë armiqtë më të mëdhenj të saj.

Para ca ditësh takova një prokuror të përkatësisë etnike serbe, që deri vonë ka punuar për strukturat paralele serbe në veri të Kosovës dhe tani është integruar në sistemin e drejtësisë kosovare. A e dini se çfarë më tha? “Kot qenkemi përpjekur me vite të tëra që përmes strukturave paralele ta shkatërrojmë shtetin e Kosovës. Kolegët tanë shqiptarë e kishin shkatërruar 100 herë më shumë shtetin e Kosovës nga brenda institucioneve.”

Por, përpjekjet e shumicës së shqiptarëve të Kosovës që ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës mund vetëm t’ua nxijnë jetën vetes, sepse Republika e Kosovës do të rrojë derisa kombet të shuhen përmbi dhe, mu ashtu siç thotë Asdreni për Shqipërinë në tekstin e himnit kombëtar shqiptar.