` . Detaje për grabitjen e bankës në Çair (Video) - TV-SHENJA

Detaje për grabitjen e bankës në Çair (Video)

Akoma mbetet e panjohur sasia e të hollave të vjedhura, ndërkaq  sipas policisë personi i sulmuar fizikisht është 26 vjeçari E.E , i cili ka punuar si pjesëtarë i sigurimit në bankë.

Policia po kërkon 4 persona, ndërkohë që dy orë pas grabitjes së armatosur te varrezat e Butelit policia ka gjetur një veturë të djegur të markës, “Golf 5” për të cilën besohet se është e grabitësve.

Ministria e Punëve të Brendshme
Në orën 10.36 është paraqitur grabitje nga ana e disa personave me armë në bankën në rrugën ‘Ferid Bajram’ ku kanë marrë para. Nga ana e kryerësve të veprës është sulmuar personi me iniciale E.E (26) i cili është i punësuar si pjestarë i sigurimit në bankë. Persona të lënduar nga armët nuk ka. Menjëherë pas marrjes së paraqitjes, janë marrë masat dhe aktivitetet nga shërbimi policor.”

As kryetari i bordit ekzekutiv të NLB Tutunska Bankës, Antonio Argir nuk e tregoi shumën e parave që është vjedhur, ndërkohë nënvizoi se gjëja më e rëndësishme është që në këtë rast nuk ka viktima.

Antonio Argir, kryetar i bordit ekzekutiv të NLB Bankës
“Policia do të jep raport. Nuk mund ta themi tani, sa para janë vjedhur . Mirë janë, më e rëndësishmja është se nuk ka viktima, ka pak të lënduar, por do të jetë gjithçka në rregull”

Shërbimet e NLB Tutunska Bankës nëpërmjet një komunikate kanë njoftuar për grabitjen. Ata konfirmojnë se në kohën e grabitjes brenda ka pasur edhe klientë. Nga kjo bankë theksojnë se edhe klientët edhe të punësuarit e bankës janë të sigurtë dhe në gjendje të mirë. Nga NLB njoftojnë klientët e tyre se mjetet e tyre janë të sigurta, pasi banka ka sigurim të të gjithë pronës dhe mjeteve.

NLB Tutunska Banka
“Në këtë moment banka po bashkëpunon me organet kompetente me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë dhe në mënyrë efikase të rastit. Mjetet e klientëve tanë janë të sigurta, sepse banka ka sigurim të të gjithë pronës dhe mjeteve. Paralelisht, ne punojmë me autoritetet hetuese për të përcaktuar sasinë e dëmit të bërë, për të cilën do ta informojmë publikun në mënyrë shtesë shtesë.”

Nga Ministria e Punëve të Brendshme po punojnë për zbardhjen e rastit, ndërkohë kanë njoftuar se do të ketë më tepër detaje lidhur me këtë rast. Ajnur Bafqari /SHENJA/