` . Detaje nga aksidenti ku ndërroi jetë emigranti (Video) - TV-SHENJA

Detaje nga aksidenti ku ndërroi jetë emigranti (Video)

Një emigrant 20 vjeçarnga Banglladeshi e ka humbur jetën ndërsa 13 shokët e tij janë lënduar në një aksident komunikacioni në autostradën Demir Kapi- Negotinë. Emigrantët e lënduar janë shtrirë në spital që të gjithë, përveç njërit që e kanë kthyer në kamp pasi lëndimet nuk i ka serioze. Nga reparti kirurgjik i spitalit të përgjithshëm në Kavadar kanë njoftuar se katër prej të lënduarve janë në gjendje kritike dhe janë dërguar në spitalin shtetëror në Shkup ndërsa të tjerët janë duke i mjekuar.Emigrantët janë nga Pakistani dhe Bangladeshi, në moshë prej 20 deri në 25 vjeç.

Spitali i përgjithshëm në Kavadar.

“Nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore Negotinë na kanë sjellë 13 emigrantë. Njëri ishte i vdekur, pesë mbajtëm në këtë spital, ndërsa tre me lëndime më të lehta janë trajtuar në mënyrë ambulante. Njëri nga të lënduarit më rëndë kishte frakturë të vertebrës dhe gjakderdhje në tru, ndërsa tjetri frakturë të brinjëve”

Aksidenti ka ndodhur kur furgoni me emigrantët ka goditur nga pas një makinë tjetër dhe në atë moment makina me emigrantët ka marrë flakë. Shoferi i furgonit është arratisur dhe i ka lënë emigrantën e lënduar në makinë.

Ministria e Punëve të Brendshme

“Në aksident përveç furgonit me emigrantët, kanë marrë pjesë edhe një makinë me rimorkio me targa të Kavadarit që po e drejtonte një 61 vjeçar, dhe një makinë me targa të Serbisë që po e drejtonte një 52-vjeçar serb”

Prokuroria ka bërë ekspertizën në vendin e ngjarjes dhe me ndihmën e policisë thonë se po punojnë në zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Trupi i emigrantit të vdekur është dorëzuar në autopsi.

Lëvizja e madhe e emigrantëve ilegalë që e shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut si shtet tranzitor për të arritur në vendet e BE-së, ka ngritur institucionet në këmbë dhe thuajse çdo ditë policia kap numër të madh emigrantësh ilegal që transportues nga Maqedonia i fshehin në makinat e tyre, pavarësisht se kjo paraqet vepër penale.

Të enjten policia kapi 45 migrantë nga Afganistani dhe Siria në një furgon afër kufirit me Serbinë. Ata dyshohet të kenë hyrë ilegalisht nga Greqia ndërsa si destinacion të fundit kanë pasur ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.Policia gjithashtu ka arrestuar drejtuesit e mjetit nën dyshimin e kontrabandës me njerëz.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti nga Greqia në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë rreth 10 mijë emigrantë ilegal. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/