` . Dështon thirrja e dytë për subvencionimin e fluturimeve të lira (Video) – TV-SHENJA

Dështon thirrja e dytë për subvencionimin e fluturimeve të lira (Video)

Dështon edhe thirrja e dytë publike për subvencionim të kompanisë ajrore me buxhet të ulët. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve njoftoi sot se janë të detyruar të shpallin një thirrje të tretë, pasi në thirrjen e dytë ashtu si edhe në rastin e parë nuk janë plotësuar kushtet e vendosura. Konkretisht, aviokompania e cila deri më tani ka shfrytëzuar subvencione për fluturime të lira nga Maqedonia, Vizair, ka qenë e vetmja kompani e paraqitur në konkurs dhe e njëjta nuk ka ofruar dy linjat e reja të cilat do të duhet të startojnë deri në 10 janar të vitit 2019.

GORAN SUGAREVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE

“Në konkurs qartë qëndron se aviokompania ka detyrim që deri më 10 janar 2019 të vendos dy linja të reja nga aeroporti i Ohrit dhe dy të tjera në afat prej një viti nga nënshkrimi i marrëveshjes. Aviokompania Vizair ka ofruar katër destinacionet ti lëshojë nga Gushti i vitit 2019. Për shkak të kësaj komisioni ka konstatuar se kushtet e thirjes publike nuk janë plotësuar dhe ka dhënë rekomandim që kjo thirje të anulohet. Për këtë gjendje faktike nuk na ngelet asnjë mundësi tjetër vetëm se respektim të dispozitës deri në fund dhe ta përsërisim këtë thirrje dhe procedurë publike”

Ministri Sugarevski tha se në thirrjen e tretë nuk do të ndryshojnë kushtet, por do të ngelen të njëjtat. Ai tha se qëllimi është rritja e fluksit të fluturimeve në Aeroportin e Ohrit dhe u shpreh optimist se në sqarimet shtesë me kompanitë, do të gjindet një ofrues që do t’i përmbushë kushtet. Sugarevski ka mohuar të gjitha akuzat dhe dyshimet e ngritura në opinion për kurdisje të shpalljes publike dhe dyshime të ngjashme. Ndërkohë, ai tha se kompania Vizair nuk ka ndërprerë fluturimet nga Maqedonia dhe drejt Maqedonisë, edhe pse ka skaduar marrëveshja e deritanishme për subvencionim. Për vitin e ardhshëm, Qeveria ka paraparë 5 milionë euro për kompaninë që do të fitojë në shpalljen publike. Arben Zeqiri /SHENJA/