` . Dështon Kuvendi i Kosovës, nuk ka rezolutë për Hardinajn – TV SHENJA

Dështon Kuvendi i Kosovës, nuk ka rezolutë për Hardinajn

Pas 11 orë diskutimesh, të cilat ishin plot tonë nacionaliste, Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme, sot nuk ka arritur të miratojë rezolutën për ndalimit të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë.

Dy rezolutat e prezantuara për ndalimin e ish komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, një e sponsorizuar nga AAK dhe e mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma, dhe tjetra e prezantuar nga grupet parlamentare PDK-LDK, nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme.

Pas pauzës së dytë që u mbajt, për harmonizimin e tekstit të rezolutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli theksoi se nuk është arritur pajtueshmëri për një rezolutë të përbashkët për ndalimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë.

Ai njoftoi se do të hidhen në votim tekstet e dy projektrezolutave, ajo e prezantuar nga AAK, e mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma, dhe projektrezoluta e grupeve parlamentare PDK-LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj theksoi se rezoluta e dytë është plagjiaturë e rezolutës së tyre, pasi të tri pikat e para janë marrë nga teksti i tyre, ndërsa është shtuar vetëm teksti për raporte të mira me Francën.

“Ne kemi raporte të mirë ame Francën, por ne nuk mund të jemi argat të kërkujna. Jemi duke e mbrojt një të drejtë universale. Nuk di pse hezitoni që të ndërpriten bisedimet me Serbinë”, tha Lekaj.

E para në votim u hodh rezoluta e prezantuar nga AAK me mbështetje të Vetëvendosjes dhe Nismës, në të cilin votim nuk mori pjesë pozita, votuan 36 deputetë, pro së cilës ishin 28, 3 kundër dhe 5 abstenuan.

Kurse për tekstin e prezantuar nga PDK-LDK, votuan 47 deputetë, pasi opozita e lëshoi sallën, 38 ishin për, 6 kundër dhe 3 abstenime.

Postime të Ngjajshme