` . Dëshmon Janeva: Nuk jam fajtore, tregova gjithçka (Video) - TV-SHENJA

Dëshmon Janeva: Nuk jam fajtore, tregova gjithçka (Video)

Për dallim prej dëshmitarëve të tjerë që vijnë në prokurori për tu marrë në pyetje vetë, prokurorja Speciale në largim Katica Janeva erdhi tek shefja e repartit për krim të organizuar Villma Ruskovska me avokat. Madje erdhi me avokatin Stevan Pavlevski, avokatin e njërit prej të dyshuarve në rastin “Perandoria”, Cvetan Pandeleski, edhe pse insistonte se ajo ka ardhur në prokurori në cilësinë e dëshmitarit…

Janeva qëndroi në prokurori afro pesë orë, dhe përsëri doli e shoqëruar nga avokati i saj, por edhe kësaj radhe ishte e rezervuar gjatë komentimit të bisedës që e kanë zhvilluar me prokuroren Villma Ruskovska. Vetëm siguroi se ka folur gjithçka që ka ditur rreth ngjarjeve.

Katica Janeva, prokurore

“Isha dëshmitare. Nuk është e ndaluar të vijë me avokat. Unë kam konsulentë juridik gjithë kohës. Nuk guxoj të tregoj asnjë informacion se ky është hetim. Gjatë hetimit nuk ndahen informacione. Besoj se do të ketë gjykim dhe aty ju do të merrni vesh gjithçka”

E pyetur deri ku është hetimi dhe nëse ajo ka mundësi që të bëhet pjesë e të dyshuarve, Janeva tha se për këtë duhet ta pyesim prokuroren Villma Ruskovska, ndërsa për celularët u arsyetuar se nuk i ka fshirë para se t’i dorëzojë për ekspertizë siç flitej në opinion.

Katica Janeva, prokurore

“Nuk e kam formatuar telefonin. Jo, asesi. Mi kanë marrë dy telefona që i kam përdorur. Të dytë po analizohen. Telefoni i humbur është telefoni i tretë. Unë nuk ndjej faj”

Janeva nuk e dinte as se ku ndodhet i dyshuari kryesor në rastin “Perandoria”, Orce Kamçev, që supozohet se është personi që ia ka dhënë materialet komprometuese për Janevën gazetës italiane “La Verita”. Por e dinte se ku janë paratë e ryshfetit. Por nuk tregoi asnjë detaj shtesë për këtë gjë.

Katica Janeva është personi i pestë në PSP që u mor në pyetje për rastin “Zhvatja”. Deri më tani në Prokurorinë për luftimin e krimit dhe korrupsionit kanë dhënë deklaratë prokurorja Lile Stefanova, emri i së cilës përmendet në një prej bisedave të lëshuara nga gazeta italiane “La Verita”. Deklaratë ka dhënë edhe prokurorja e PSP-së Elizabeta Josifovska e cila është prokurorja që ka nënshkruar vendimin për të hedhur poshtë paraburgimin e Orce Kamçevit.  Deklaratë ka dhënë edhe shefja e kabinetit të Katica Janevës, si dhe prokurori i lëndës “Banka Postare” Burim Rrustemi. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/