` . Dëshmitarët Zeqiri dhe Alimi rrëfejnë për tentim-vrasjen ndaj Selës (Video) – TV-SHENJA

Dëshmitarët Zeqiri dhe Alimi rrëfejnë për tentim-vrasjen ndaj Selës (Video)

Ish anëtari i sigurimit të Kuvendit, Fetah Alimi i cili akuzohet për pjesëmarrje në dhunën e 27 prillit,  deputeti i LSDM-së Muhamed Zeqiri, dhe sigurimi i Kuvendit Igor Janakiev, dëshmuan për tentim vrasjen ndaj Zijadin Selës.

Zeqiri tha se Aleksandar Janevski i njohur si Aco Toshta, ka qenë i pari i cili e ka tërhequr Selën në turmë dhe atë e kanë ndihmuar disa të akuzuar për tentim vrasjen. Por Zeqiri ka qenë i kufizuar me pamje pasi siç tregoi, ka qenë i strehuar në një prej kutive të përkthimit në galerinë e sallës së mediave dhe prej aty ka mundur të shohë vetëm zhvillimet deri afër derës kryesore. Zeqiri kishte parë edhe goditjen e parë ndaj Zijadin Selës dhe përgjakjen e tij, por nuk e kishte vërejtur se kush e kishte goditur atë.

MUHAMED ZEQIRI, DËSHMITAR

“Toshta është personi i parë i cili  e ka pi për dore dhe e tërhoqi Zijadin Selën nga grupi i deputetëve dhe pastaj u turrën edhe të tjerët që ishin në afërsi. Pastaj ata supozoj kanë dalur jashtë sallës së mediave. Fatmirësisht unë nuk ju rashë në sy atyre që u futën dhunshëm në Kuvend e që kishin për qëllim të marrin jetët e deputëve”

Zeqiri përveç Toshtës e njohu edhe të akuzuarin Sasho Senkov si pjesëmarrës në dhunën daj Selës.

Ish sigurimi i Kuvendit Fetah Alimi për dallim prej Zeqirit, e kishte parë Selën pasi ishte përgjakur dhe lënë pa vetëdije. Alimi i sjellur nga Burgu i Shutkës ku po qëndron në paraburgim për 27 prillin, shpjegoi se si bashkë me disa persona kanë arritur ta shpëtojnë Zijadin Selën. Alimi tha se po të mos e kishte shpëtuar një kolegë sigurim që e ka paraqitur atë si maqedonas, kishte mundur të pësojë keq nga protestuesit.

ABDULFETAH ALIMI, DËSHMITAR

“Dëgjova të bërtisnin, kërkojmë gjak “Shiptari”. Këto fjalë vinin nga radha e parë e turmës. Ne ishim të ballafaquar me vdekjen gjatë tërë kohës. Kemi pritur të nxirren edhe armë. Zaevit i thonin je  shpirt i shitur, “shiptar”. Shumica kërkonin gjak shqiptari. Nuk mund të tregoj saktë kush e ka goditur Selën por kam parë të hidhen gjësende të forta. E kam parë një njeri afër Selës që luante lojë të dyfishtë. Herë e qetësonte turmën, e herë e nxiste”

Ishte një person me maskë që tregonte me gisht se kush duhet të sulmohet. Kishte hypyr mbi një tavolinë. Ishte me maicë të zezë. Ai me maskë e drejtonte turmën drejtë Ziadin Selës”

Pasi kishte ndodhur rrahja brutale, një prej të punësuarve në Kuvend ju kishte paraqitur Fetah Alimit për ta ndihmuar Selën. Alimi në fillim kishte menduar se Sela ka vdekur, por me të arritur e kishte kuptuar se ai është pa vetëdije dhe kishte gjasa në çdo moment ti vdiste në duar. Por edhe në atë gjendje, e kishte parë një njeri që kishte vazhduar ta godasë me shqelm Selën.

Ish sigurimi shpjegonte se ai rastësisht ishte gjetur në rolin e shpëtuesit pasi që askush nuk kishte patur guximin që ta marrë Selën dhe ta nxjerrë nga shkallët ndihmës deri tek kati i tretë ku do të strehohej.  Nga të akuzuarit në sallë Alimi e njohu Aleksandar Janevskin të njohur si Toshta si dhe Kire Gjorgievskin si pjesëmarrës në dhunën ndaj Selës. Seanca e sotme gjyqësore ka vazhduar me dëshminë edhe të sigurimit aktual të Kuvendit Igor Janakiev.

Sigurimi aktual i Kuvendit Igor Janakiev e kishte parë se si e kanë goditur Selën me shqelma në kokë, kushdo që ka ardhur brenda dhe kanë qenë të kota tentativat e tij të paktën tia shpëtojë kokën nga sulmet.

IGOR JANAKIEV, PJESËTAR I SIGURIMIT

“Sapo dola të pijë ujë. Kur u ktheva e pashë se si disa persona po e tërhiqnin Selën. Ai ishte ende në këmbë por meqë po e tërhiqnin zvarrë më nuk mundi të durojë. Ra në tokë me bark. Rreth tij u mblodhën rreth 15 persona që e godisnin me shqelma në kokë. Vinin e shkonin duke e goditur. Atë moment ende ishte i vetëdijshëm pasi e mbronte kokën me duar. Unë tentova tia mbrojë  kokën dhe ti zmbraps sulmuesit, por ishte e kotë pasi vetëm vinin grupe të ndryshme”

Dëshmitari tha se ai ishte i bindur se Sela kishte vdekur pasi që pas rrahjes brutale ai më as nuk mbrohej e as nuk lëvizte gjymtyrët. Shkaku i rrëmujës dhe fokusit të tij për të mbrojtur Selën nga goditjet, dëshmitari nuk arriti të identifikojë ndonjë prej sulmuesve. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/