` . Dëshmi: Si derdhte lot Enver Hoxha për “vëllezërit rusë dhe jugosllavë” - TV-SHENJA
Dëshmi: Si derdhte lot Enver Hoxha për “vëllezërit rusë dhe jugosllavë”

Dëshmi: Si derdhte lot Enver Hoxha për “vëllezërit rusë dhe jugosllavë”

Është me rëndësi të thuhet se këto bisedime zhvilloheshin në periudhën kur udhëheqja komuniste jugosllave, zbatonte një politikë të dhunshme ndaj popullsisë shqiptare, e cila për synim pati shpërnguljen e tyre për në Turqi.Rrjedhimisht, nga viti 1953, me urdhër të Aleksandër Rankoviqit, në Kosovë u kryen ndryshime radikale të strukturës udhëheqëse të sigurimit shtetëror.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

 

Në pjesën e dytë të muajit maj të vitit 1955 në Beograd filluan bisedimet midis udhëheqjes komuniste sovjetike dhe asaj jugosllave për normalizimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike, të cilat – siç dihej – qenë prishur pas shpalljes së Rezolutës së Informbyrosë (1 korrik 1948). Këto bisedime u përcollën me një kujdes të veçantë nga ana e udhëheqjes komuniste shqiptare, e cila ishte dorë e zgjatur, përkatësisht satelite, e udhëheqjes komuniste sovjetike. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Popullor, punimet e së cilës u zhvilluan më 28 maj 1955, Enver Hoxha, ndër të tjera shprehet: “…Jemi të bindur se bisedimet të cilat këtyre ditëve po zhvillohen në Beograd midis udhëheqjes sovjetike dhe asaj jugosllave do të kontribuuoj për përforcimin edhe më të madh të miqësisë së popujve të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve tona të demokracisë popullore me popujt vëllezër të Jugosllavisë dhe do të jetë edhe një faktor tjetër për përforcimin e luftës për mbrojtjen e paqes në Europë e Botë. Populli shqiptar vazhdimisht ka aspiruar dhe aspiron miqësi të sinqertë ndaj popujve vëllezër jugosllav me të cilët së bashku ka luftuar dhe ka derdh gjak në territorin jugosllav… Populli shqiptar, Partia e Punës dhe Qeveria e Republikës e përshëndet shkuarjen e delegacionit sovjetik në Beograd dhe solidarizohet në tërësi me qëllimet e larta të PK-së dhe Qeverisë sovjetike…”.

Në atë mbledhje, krahas E. Hoxhës, foli edhe Mehmet Shehu, fjalimi i të cilit u përqendrua rreth normalizimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, që sipas tij ishin arritur rezultate të kënaqshme: “…Ne deri më tash kemi arritur rezultate të kënaqshme në zhvillimin e marrëdhënieve normale me RFPJ-në. Sot janë krijuar kushte që në interesin e të dy popujve të cilët gjatë luftës së Dytë Botërore luftuan krah për krahu kundër armikut të përbashkët dhe këto kushte ende po zhvillohen në interes të sigurimit të paqës në Ballkan dhe në Evropë. Populli ynë dhe të gjithë popujt e taborit të paqës (mendon për taborin socialist në krye me Bashkimin Sovjetik – Q. L.) sikurse edhe populli jugosllav presin rezultate nga negociatat që po zhvillohen në Beograd midis delegacioneve qeveritare të BRSS-së dhe Jugosllavisë. Bisedimet që po zhvillohen në Beograd janë në interes të popullit tonë, në interes të paqes dhe miqësisë midis popujve. Populli shqiptar është i interesuar drejtpërdrejti për përfundimin esuksesshëm të bisedimeve në Beograd…”.

Është me rëndësi të thuhet se këto bisedime zhvilloheshin në periudhën kur udhëheqja komuniste jugosllave zbatonte një politikë të dhunshme ndaj popullsisë shqiptare, e cila për synim pati shpërnguljen e tyre për në Turqi. Rrjedhimisht, nga viti 1953, me urdhër të Aleksandër Rankoviqit, në Kosovë u kryen ndryshime radikale të strukturës udhëheqëse të sigurimit shtetëror. Nga Beogradi u soll një ekip i tërë, të cilit iu dha për detyrë: të zhvillojë fushatë të gjithanshme në diskreditimin e personaliteteve të shquara kulturore-arsimore shqiptare, të nxisë politikën shoviniste serbo-madhe, të ndikojë drejtpërdrejti në shpërnguljen e popullsisë shqiptare për në Turqi, të zhvillojë luftë sistematike në krijimin e mosbesimit ndaj shqiptarëve etj. Ekipi udhëhiqej nga Çedo Mijoviq, sekretar Krahinor të SPB-së, ndërsa bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin: Gjoko Medenica, Budo Gajiq, Stanisllav Gërkoviq, Rajko Vidaçiq etj. Dokumentet e kohës nxjerrin në pah një numër të madh të krimeve të rënda, të kryera në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me porosi të asaj strukture udhëheqëse të UDB-së, si: vrasje apo “vetëvrasje”, përdhunime, lëndime të rënda trupore, përndjekje dhe përgjime masive të inteligjencës shqiptare, inskenime të proceseve kundër shqiptarëve etj. Komisioni për riorganizimin e shërbimit të sigurimit shtetëror në Kosovë, i themeluar menjëherë pas mbledhjes së Brioneve, më 9 shtator 1966 i raportonte Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, për një numër të madh të deformimeve dhe keqpërdorimeve të kryera në Kosovë nga ana e këtij shërbimi, të cilat veçmas kishin ardhur në shprehje pas vitit 1953: “..Përderisa në periudhën e mëhershme – thuhej në raport – ky shërbim qe orientuar nga armiku klasor, pa marrë parasysh se cilës kombësi i përket, më vonë, nga viti 1953 e këndej, orientimi i tij u përqendrua kah kombësia shqiptare, sidomos ndaj kuadrit politik dhe kuadrit arsimor nga radhët e shqiptarëve…”.

Situata edhe më e rëndë asaj kohe paraqitej në trevat shqiptare brenda territorit të atëhershëm të RP të Maqedonisë, ku siç është e njohur botërisht, ajo qe shpallur si qendër tranzitore nga ku do të shpërngulej popullsia shqiptare myslimane për në Republikën e Turqisë. Për këtë qëllim, udhëheqja komuniste maqedonase në krye me Llazar Kolishevskin dhe Kërste Cërvenkovskin, gjatë viteve 1953-1955, zbatoi një politikë tejet të vrazhdë kundër popullsisë shqiptare, në radhë të parë kundër inteligjencës së saj, e cila asaj kohe bënte çmos që t’i kundërvihej politikës së turqizimit të dhunshëm të popullsisë shqiptare, që ishte parakusht për shpërnguljen e tyre për në Republikën e Turqisë. Komisioni për pakicat nacionale pranë KQ të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, që udhëhiqej nga Mito Haxhivasilev-Jasmin, raportonte se inteligjenca shqiptare, në bashkëpunim me hoxhallarët “zhvillon fushatë në frymën e shqiptarisë”, duke proklamuar që të mos e ndryshojnë identitetin nacional dhe të mos i lëshojnë vatrat e tyre. Një aktivitet i tillë, sipas Komisionit, përbënte “përpjekje për përfitimin e masës për qëllime nacionaliste”, aq më tepër kur, siç bëhej me dije, “tashmë është e qartë se në viset ku regjistrimi i popullsisë nxori pak turq, numri i tyre rritet nëpërmjet deklarimit të mëvonshëm, në dëm të shqiptarëve…”.

Tërë kjo gjendje, nuk e brengoste fare Hoxhën dhe klikën e tij komuniste, të cilët tashmë udhëheqjen komuniste jugosllave nuk e konsideronin si “trockiste” ose dorë e zgjatur e “imperializmit amerikan”, por si një udhëheqje socialiste, ndërsa popujt e saj si “popuj vëllezër”. Kjo shihet edhe në deklaratën që E. Hoxha e dha më datë 5 qershor 1955, me rastin e nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët, të nënshkruar tre ditë më parë, përkatësisht më 2 qershor 1955 në Beograd nga ana e delegacionit qeveritar sovjetik dhe atij jugosllav: “…Në mesin e vëllezërve – shprehet Hoxha – mund të ndodhin moskuptime dhe kontestime mirëpo vëllezërit më herët apo më vonë do ta gjejnë rrugën e pajtimit. Një fatkeqësi e tillë ndodhi në mesin e popujve të vendeve socialiste dhe vëllezërve jugosllav. Mosmarrëveshjet zgjatën disa vite dhe kjo i vështirësoi marrëdhëniet tona. Nga e tërë kjo mund të përfitonin vetëm imperialistët dhe shërbëtorët e tyre të cilët gjithmonë përpiqen ti robërojnë popujt tanë të lirë e të pavarur. Mirëpo, një situatë e tillë ishte e domosdoshme të përfundoj, që edhe ndodhi pas negociatave të suksesshme sovjetiko-jugosllave… Deklarata e cila u nënshkrua më 2 qershor të vitit 1955 në Beograd përbën faktin e rëndësishëm në historinë e popujve tanë për normalizimin e marrëdhënieve me popujt e Jugosllavisë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore midis popujve tanë me popujt e Jugosllavisë tashmë janë shpallur dhe popujt tanë, qeveritë dhe partitë tona janë të bindura se kjo miqësi do të përforcohet edhe më tepër. Në emrin e këtij qëllimi ne do të punojmë me vullnetin sa më të mirë…”.

I deleguari jugosllav në Tiranë, Ajtiq, thuajse për çdo ditë i raportonte Beogradit për interesimin e madh që Tirana zyrtare kishte shprehur rreth negociatave sovjetiko-jugosllave. Madje, këtë interesim udhëheqja komuniste shqiptare e kishte shprehur publikisht edhe përmes shtypit dhe radios. Më 15 korrik 1995 Ajtiqi përcjell shkrimin me titull “Kontribut për krijimin e paqes në Ballkan”, botuar po atë ditë në gazetën “Zëri i Popullit”, ku si autor paraqitet Enver Hoxha. Në të, siç do të shohim në vazhdim, Hoxha, deklaratën e nënshkruar më 2 qershor në Beograd, midis delegacionit qeveritar sovjetik, të udhëhequr nga Bullganin, dhe atij jugosllav, të udhëhequr nga vetë J.B. Tito, e cilëson si “një fitore të madhe” të popujve “të taborit socialist dhe atij jugosllav”. Në vazhdim, Hoxha shkon aq larg, saqë merr guximin të theksoj se populli rus, gjoja, i paska ndihmuar popullit shqiptar në “luftën për çlirimin nga robëria osmane”: “…Populli shqiptar – shprehet Hoxha – dhe popujt e tjerë ballkanikë kanë pas fatin që për mik të madh ta kenë popullin vëlla rus. Gjatë shekujve populli rus neve na ka ndihmuar në luftë për çlirimin nga robëria osmane, në luftë për shpëtimin e pavarësisë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore populli vëlla rus dhe të gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik të udhëhequr nga Partia Komuniste dhe të dhënë pas ideve të pavdekshme të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, neve na dhanë ndihmë të paçmueshme e cila u shndërrua në faktor vendimtar për çlirimin e plotë të popullit tonë…”.

 

Për të parë se çfarë shkruante më tej Hoxha në këtë artikull, e pamë të arsyeshme që në këtë numër të revistës SHENJA, të njëjtin ta publikojmë të plotë:

“KONTRIBUT PËR KRIJIMIN E PAQËS NË BALLKAN

 “Deklarata e përbashkët e Qeverisë së BRSS-së dhe RFPJ-së e cila u nënshkrua në Beograd nga shokët Bullganjin dhe Broz-Tito, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për përforcimin e paqes në Ballkan dhe në mbarë Evropën. Para Luftës së Dytë Botërore imperialistët dhe klika borgjezo-feudale të cilët qeverisnin me popujt e vendeve ballkanike i kanë eksploatuar egërsisht këta popuj. Fuqitë e mëdha kapitaliste vendet tona i kanë parë si koloni të tyre.

Vendet ballkanike kanë qenë monedhë për larje borxhesh midis imperialistëve. Intervenimet e tyre të paligjshme në punët e brendshme të popujve ballkanikë kanë qenë çështje të rëndomta. Mirëpo, popujt tanë asnjëherë nuk u janë nënshtruar imperialistëve. Lufta Nacionalçlirimtare e popujve të Jugosllavisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe të mbarë popujve ballkanikë, e ndryshoi rrënjësisht gjendjen në këtë pjesë të Evropës. Shqipëria, Jugosllavia, Bullgaria dhe Rumania u çliruan tërësisht dhe përgjithmonë nga robëria e huaj dhe e thyen derën e tradhtarëve të cilët i shtypnin popujt tanë. Populli e mori pushtetin në duart e veta, në jetën e tyre filloi një epokë e re. Këto suksese historike janë arritur në një shkallë shumë më të lartë, për arsye se BRSS-ja e përmbysi fuqinë kryesore të Gjermanisë hitleriane, vendet ballkanike i çliroi nga robëria fashiste dhe njëkohësisht duke u dhënë ndihmë dhe mbështetje të fuqishme popujve të Ballkanit të cilët luftonin për çlirimin e tyre.

Në atë mënyrë u realizua ëndrra e madhe të popujve tanë për pavarësi. Gjatë kohës së LNÇ-së midis tyre u vendos dhe u përforcua miqësia e sinqertë. Në luftërat e ashpra për çlirimin e popujve, partizanët heronj jugosllavë, bullgarë, shqiptarë kanë derdhë gjakun e përbashkët. Ata krah për krahu kanë luftuar për qëllime të njëjta, pjesën e bukës e ndanin si vëllezër, i lidhnin plagët e njëri-tjetrit. Ata i stimulonte besimi i paluhatshëm se drita do ta mposht errësirën dhe se fitorja do të jetë e jona.

Populli shqiptar dhe popujt tjerë ballkanikë kanë pas fatin që për mik të madh ta kenë popullin vëlla rus. Gjatë shekujve populli rus neve na ka ndihmuar në luftë për çlirimin nga robëria osmane, në luftë për shpëtimin e pavarësisë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore populli vëlla rus dhe të gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik të udhëhequr nga Partia Komuniste dhe të dhënë pas ideve të pavdekshme të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, neve na dhanë ndihmë të paçmueshme e cila u shndërrua në faktor vendimtar për çlirimin e plotë të popullit tonë.

Në flakën e luftës së ashpër u kultivua miqësia e popujve tanë. Nuk ka forcë në botë e cila mund ta shuaj këtë miqësi të madhe midis popujve tanë në Ballkan dhe popullit të Bashkimit Sovjetik, të cilët janë vendosur përmes lidhjes së ngushtë vëllazërore, vëllazërisë së orëve më të rënda gjatë vuajtjes së gjatë e të plotë të historisë së tyre.

Ndonjëherë ndodh që midis vëllezërve të ketë mosmarrëveshje dhe konflikt. Mirëpo, herët a vonë vëllezërit sërish e gjejnë rrugën që midis veti të arrijnë marrëveshje. Një konflikti i tillë i pafat, viteve të fundit ndodhi midis vendeve socialiste dhe vëllezërve jugosllav. Mosmarrëveshjet zgjatën disa vite dhe i errësuan marrëdhëniet tona. Gjatë këtyre viteve ndodhën gjëra të cilat nuk është dashur ti lejojmë: atyre iu shtuan edhe disharmonitë e pabazuara të cilat i shpikën armiqtë e popujve tanë, agjentët e imperializmit. Në mesin e këtyre disharmonive ne e numërojmë aktivitetin armiqësor të agjentit të imperializmit, Berin.

Nga tërë ajo përfituan imperialistët dhe shërbëtorët e tyre, të cilët gjithmonë janë përpjekur ti robërojnë popujt tanë të lirë e sovran. Mirëpo, gjendjes së tillë u dashtë t’i vij fundi, dhe kjo u arrit përmes negociatave sovjetiko-jugosllave të cilat kanë përfunduar me sukses.

Ekzistojnë të gjitha kushtet të mënjanohen mosmarrëveshjet midis vendeve tona dhe Jugosllavisë në interes të miqësisë midis popujve dhe për paqen në botë. Deklarata e nënshkruar më 2 korrik 1955 në Beograd përbën datë të rëndësishme në historinë e popullit tonë, në normalizimin e marrëdhënieve me popujt e Jugosllavisë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore midis popullit tonë dhe të Jugosllavisë tash më janë rivendosur dhe popujt tanë, qeveritë dhe partitë tona besojnë se kjo miqësi do të çimentohet edhe më shumë. Për arritjen e këtij qëllimi ne do të punojmë me vullnetin sa më të mirë të mundshëm.

Nuk ka asnjë dyshim se miqësia midis neve duhet të përforcohet dhe të mbështetet mbi bazat e fuqishme të marksizëm-leninizmit.

Parimet fitimtare të paqes dhe miqësisë, të cilat i proklamonte leninizmi dhe në mënyrë konsekuente i kazbatuar Bashkimi Sovjetik, i çon popujt tanë kah rruga e socializmit. Këto parime kanë gjet shprehjen e tyre edhe në deklaratën e përbashkët sovjetike-jugosllave.

Gjatë tërë historisë së saj të lavdishme, BRSS-ja në raport me të gjitha shtetet e botës, i ka respektuar dhe i respekton sovranitetin dhe pavarësinë dhe integritetin territorial të tyre. BRSS-ja e cila gjithmonë udhëhiqet nga parimet e pavdekshme të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, ka luftuar dhe lufton për të drejtën e vërtetë të botës mbarë, për barazinë e popujve të mëdhenj e të vegjël, kundër përzierjes në punët e brendshme të popujve tjerë. Miliona banorë sovjetik kanë ra në fushën e luftës për mbrojtjen dhe jetësimin e atyre parimeve botërore. Pikërisht për shkak se BRSS-ja në mënyrë konsekuente dhe me tërë fuqinë e saj i mbron të gjitha parimet e lavdishme leniniste, klasa punëtore e botës mbarë në mesin e tyre edhe njerëzit e vendeve të demokracisë popullore e adhurojnë përzemërsisht Bashkimin Sovjetik të madh, çlirimtarin e lavdishëm të popujve tanë, mbrojtësin e fuqishëm të jetës së lirë dhe të ardhmes fatlume të popujve tanë.

Gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare qe vendosur miqësia e shëndoshë midis popullit shqiptar dhe atij jugosllav. Pushtuesi i huaj – fashistët italian, feudalët dhe borgjezët, kleri reaksionar patën investuar tërë fuqinë etyre për të mbjell armiqësi midis popullit shqiptar dhe popujve jugosllav.

Mirëpo, edhe përkundër të gjitha intrigave, neve na ofroi lufta e përbashkët nacionalçlirimtare, neve na lidhi në një miqësi të ngushtë. Djemtë dhe vajzat e popullit shqiptar në luftë kundër armikut të përbashkët – fashistëve hitlerian–marshuan së bashku me luftëtarët vëllezër të ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe partizanët e saj.

Mosmarrëveshjet që ndodhën midis vendeve tona dhe Jugosllavisë padyshim se ujin e kanë çuar në mullirin e armikut të popujve tanë – imperialistëve, nxitësit e luftës. Të gjitha mosmarrëveshjet të mënjanohen sa më parë që është e mundur, të kthjellohet atmosfera dhe të gjitha çështjet të zgjidhen drejt, këtë e kërkon populli shqiptar dhe për këtë do ta jep tërë fuqinë e vet.

Ekzistojnë të gjitha mundësitë që marrëdhëniet miqësore dhe ekonomike midis popujve tanë të përforcohen për çdo ditë. Populli shqiptar dëshiron të jetojë në marrëdhënie të mira me të gjithë popujt, përreth kufirit të saj, e posaçërisht me popujt e Jugosllavisë dëshiron të mbaj marrëdhënie të mira, të ketë lidhje tregtare, kulturore e të tjera.

Ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Jugosllavisë janë arritur marrëveshje për çështjet kufitare dhe marrëdhëniet tregtare. Lidhjet tregtare edhe në të ardhmen do të zhvillohen mbi bazën e reciprocitetit dhe në interesin e dyanshëm. Edhe lidhjet kulturore do të lulëzojnë dhe populli ynë do të njoftohet edhe më për së afërmi për arritjet e të dyja vendeve. Këto lidhje do të shërbejnë si mjete për përforcimin e marrëdhënieve miqësore. Ne në këtë drejtim do të punojmë me këmbëngulje dhe me vullnetin e mirë dhe besojmë se gjithashtu edhe nga pala jugosllave do të shfaqet po i njëjti vullnet në interesin e të dyja vendeve, në interesin e paqes së botës mbarë.

Kongresi i Frontit Demokratik në Shqipëri i cili u mbajt ditëve të fundit në Tiranë, tërë punimet e tij janë dëshmi se populli shqiptar e ka mirëpritur deklaratën e nënshkruar nga qeveritë e Bashkimit Sovjetik e të Jugosllavisë se solidarizohet me të dhe dëshiron që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë të normalizohen, që ata të jenë sa më miqësore.

Deklarata e nënshkruar nga shoku Bullganjin dhe Josip Broz Tito hap mundësi të reja për përforcimin e paqes e të koekzistencës paqësore të popujve të Ballkanit. Është tërësisht e natyrshme që kjo deklaratë nuk u pëlqen armiqve të shumtë të paqes dhe shërbëtorëve të tyre.

Armiqve të paqes nuk u shkoi për dore për ta realizuar ëndrrën e tyre, që Ballkanin ta shndërrojnë në bure barut. Dështuan shpresat e tyre për intervenim në punët e brendshme të popujve të shumtë ballkanik dhe në punët e brendshme të vendit tonë.

Deklarata sovjetike-jugosllave e dënon çdo lloj agresioni dhe çdo lloj përpjekjeje të vendosjes së mbisundimit të pushtetit ekonomik ndaj vendeve tjera.

 (Zëri i Popullit 15.VII.1955)”.