` . Dëshira si ngushëllim – TV-SHENJA

Dëshira si ngushëllim

EDITORIAL:

Shkruan: Latif Mustafa

Fundvitet në kalendarin tonë rastisin të jenë në stinën e dimrit ose, më saktë, në fillim të stinës së dimrit. Në një stinë që, po të ishte me borë, në saje të bardhësisë së saj vlerësimet për vitin e shkuar do të ishin më përzgjedhëse, kurse në raport me vitin e ardhshëm do të ishin më optimiste. Jo rrallë ndodh që në fundvit Shkupi të jetë i zhytur i tëri në smog, në formë të përthyer eklipsi, që rrëmojnë kthjelltësinë e qiellit ngjashëm siç i gërryejnë dyshimet bindjet njerëzore dhe e pllakosin situatat ekzistenciale. Mot me qiell jotransparent, vizion me pamje të turbulluar.
Të qenit në kohë ka detyruar qenien njerëzore t’i perceptojë kufijtë e vijueshmërisë njerëzore, vijueshmëri në të cilat ka gjithmonë të përsëritshme, diçka të pandryshueshme dhe, si e tillë, e pashpjegueshme dhe sikur kufijtë dhe datat për “fillimet” e reja përtej arsyeve biznesore janë edhe shpalosje e mundësive të reja, për t’u ngushëlluar me të ardhmen e shumëpritur ndaj të kaluarës. Në formën e një induksion natyror dhe përsëritjeje të një premise të njëjtë presim hiç më pak e as më shumë se një rezultat të njëjtë dhe krejt në fund kuptojmë se ngushëllimi, qoftë edhe një psherëtimë madje, është veç një stisje dhe ngashënjim për rrëfimet tona mashtruese.
Edhe në kontinentin e vjetër ka diçka të përsëritshme, një konceptim kolektiv të linearitetit ciklik të zhvillimit të historisë. Para disa javëve shqetësuese ishin protestat e zhvilluara në Poloni, të motivuara dhe përkrahura nga e djathta ekstreme e të shoqëruara nën brohoritjet ksenofobike, anti-semite dhe anti-myslimane të afro 60.000 mijë protestuesve në Varshavë. Momente të tjera intriguese dhe lemeritëse janë edhe fitorja dhe ngritja në rang të partisë parlamentare të së djathtës ekstreme çeke, e Lirisë dhe e Demokracisë së Drejtpërdrejtë; Hyrja në qeveri e Partisë së Lirisë të Heinz-Christian Strache-s me kancelarin 31-vjeçar, Sebastian Kurz që njihet për diskurs dhe vokacion popullist në Austri, shpërthimi i Frontit Kombëtar të Lë Pen-it në zgjedhjet e fundit në Francë, rritja e së djathtës ekstreme të Gauland-it në Gjermani dhe Wilders-it dhe politikat përjashtuese të Viktor Orban-it në Hungari janë disa nga momentet më të rëndësishme të zhvillimeve politike të kontinentit, me ç’rast politikat ekstreme po shndërrohen në rrjedhën kryesore. Kjo rrjedhë, me gjasë, po e fut kontinentit në ciklin e riciklimit linear të historisë politike të kontinentit, të paralajmëruara qysh në fitoren e Donald Trump-it në SHBA dhe suksesin e BREXIT-it.
Nazizmi në Evropë lindi në kushte të caktuara politike, ekonomike dhe psikologjike. Motivi kryesor i nazizmit ishte paranoja e “zhdukjes së species ariane” dhe kështu arriti ta ndërtojë diskursin ideologjik të ndërtimit të pushtetit mbi shkatërrimin e tjetrit, që në gjuhën e psikologjisë njihet si sadizëm dhe mazohizëm ose shkrirje e individit në një fuqi të jashtëzakonshme, që do ta shpëtojë specien, mbi legjitimitetin metafizik të Zotit dhe historisë. Përpjekjet e tilla kanë qenë të kushtueshme çmendërisht me jetë njerëzore, por ja që mbamendja emfatike për jetën dhe vdekjen është e vobektë ndaj “fuqisë dhe entuziazmit” të turmës.
Në Maqedoni, meqë ka një diskurs të pranuar en bloc për nacionalizmin dhe fashizmin, duke i paraqitur si synonim të njëra tjetrës, mbi këtë linjë ideore, kryeministri i këtij shteti zhvilloi profecinë më të madhe për vitin 2017, se “nacionalizmi në Maqedoni ka vdekur”, duke e çarë kraharorin e tij nga krenaria e triumfit për qytetarinë që tashmë konsiderohet si antipod i nacionalizmit në Maqedoni. Mëkatet politike ndodh që të na revanshohen me shpejt seç presim dhe profecitë tona bëhen përmbysësit tanë të vërtetë. Dëshira për shpresë ka mbetur ngushëllimi më i mirë ndaj intuitës për përsëritjen e këtij realiteti të brishtë edhe në 2018.