` . Deri te Universiteti i Tetovës dhe pas tij - TV-SHENJA

Deri te Universiteti i Tetovës dhe pas tij

Nuk ka më mirë se të jesh në dilema, siç i kemi sot, kur bëjmë fjalë për nevojën e rritjes së cilësinë së universiteteve, sepse për universitet shqiptare në Maqedoni u deshën shumë flijesa e beteja politike

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Kur dëgjon ose lexon të thotë dikush, për ndonjë mëri politike ose nga urrejtja (kjo gjithsesi di të mjegullojë realitetin), se shqiptarët në Maqedoni janë populli më i diskriminuar në botë, ky është një nihilizëm i pakuptueshëm. Një nihilizëm i cili (pa vetëdije) shkel mbi betejat e vazhdueshme për avancimin e pozitës së tyre, mbi flijesat që janë bërë dhe, së fundmi, edhe mbi të arriturat. Sepse, si rezultat i atyre betejave të vazhdueshme, sot në Maqedoni çështja e universitetit është një çështje e mbyllur kaherë, çështje e harruar tashmë ose si do të thoshin “mentorët” e demokracisë, “një storie suksesi”.

Universiteti mbi universitetet

Dy universitetet shtetërore në gjuhën shqipe dhe universitete private, nga të cilat të dhemb koka (nga një përkthim nga gjuhët sllave do të thoshim “halle të ëmbla”, përderisa s’na kujtohet ndonjë shprehje më adekuate), sepse ky numër kaq i madh universitetesh kërkon kuadër cilësor (a kemi?), studentë (a do t’i kemi?) dhe, gjithsesi, standarde (ku janë universitetet tona kundrejt të tjerave). Por, këto janë çështje të cilat duhet t’i shoshitin ata që janë të thirrur. Në këtë numër tematik për universitetet shqiptare, gjithsesi, rol të rëndësishëm luan historia, e këtu padyshim rruga më e vështirë ka qenë “rruga universitare” pikërisht e shqiptarëve të Maqedonisë, e përshkuar me shumë turbulenca politike, ku vendin e parë, pa dyshim, e zë universiteti mbi universitetet, pra Universiteti i Tetovës, pa themelimin (ilegal) të të cilit ndoshta sot ende do ta kishim të hapur këtë temë, por si problem politik.

Tash, pothuajse 25 vjet nga themelimi, ka kaluar mjaft kohë për vlerësime dhe rivlerësime. Ka aktorë që kanë zbritur nga skena, disa janë më nuk janë në mesin e të gjallëve (shumica e faktorëve), në mesin e të cilëve edhe rektori i parë, dr. Fadil Sulejmani. Një anekdotë, që më kujtohet lidhur me Universitetin e Tetovës është pikërisht në këtë kontekst, më shtyn ta rivlerësoj një pozicion kundërthënës të asokohshme, që ishte i pranishëm ndër shqiptarët: si themelohet një universitet nëse nuk ka vullnet politik? Anekdota është kjo! Pas themelimit të Universitetit të Tetovës një gazetar i huaj (më duket se ishte polak), në vitin 1994 ose 1995, erdhi edhe në “Flakë”, ku isha zëvendëskryeredaktor. Ai, pasi kishte qenë në Tetovë dhe kishte biseduar me rektorin, kishte biseduar edhe me intelektualë të tjerë dhe politikanë, e mori edhe mendimin tim, i cili natyrisht ishte PRO universitetit, por pak a shumë ishte në frymën se duhet të bindet publiku i gjerë dhe mediat, si dhe establishmenti politik maqedonas se një universitetet i ri nuk është në dëm të shtetit, se ai kontribuon në emancipimin e një kategorie qytetarësh, që duan të shkollohen në gjuhën e tyre e kështu me radhë. Kushedi si i ishte dukur gazetarit që e shtyri të bëjë një krahasim midis asaj që kishte dëgjuar nga dr. Fadil Sulejmani dhe më tha se po të ishte politikan maqedonas, këto argumente të mia do të kishin ndikuar që ta ndërronte mendjen dhe të lejonte për njohjen e universitetit që pushteti atëherë e kishte shpallur jolegal. Ta simplifikoj pak: gazetarit i qe dukur agresiv dhe antipatik për publikun dhe establishmentin politik stili i rektorit, si dhe metodat e tij kontraproduktive!

Por, cilat qenë metodat “e papërshtatshme” të Fadil Sulejmanit që u desh t’i thyejë të gjitha mendësitë e mbrapshta, paragjykimet (duke shtuar ndonjë udhës), rezistencat dhe a ka pasur rrugë tjetër? Rrugë më “fine”? Si ajo e fjalëve të bukura, por baraz me status quo?! Profesori, që tashmë është bërë legjendë sa i përket çështjes universitare, ka pasur shumë virtyte, por dhe ndonjë dobësi njerëzore dhe, në këtë kontekst, kokëfortësinë që e kishte nuk e dimë ku ta vendosim, te dobësitë apo virtytet, porse në rastin konkret, rezultoi me themelimin e universitetit. Ai, bashkë me iniciatorë të tjerë dhe përkrahjen e përgjithshme popullore, jo vetëm që e ngriti iniciativën, por edhe këmbënguli që ai doemos të themelohet me përkrahje politike, të paktën të partive shqiptare. Ai gjithsesi ka pasur shumë “këshilla” që të heqë dorë nga ngutja, që të presë të krijohet klimë e përshtatshme politike (kushtetuta nuk lejonte, por as nuk e ndalonte) e pastaj të themelohej, por ai ishte i vendosur. Në stilin e notuesit që s’di të notojë, e kishte vendosur ta hedhë universitetin “në ujë” e pastaj “të mësohet të notojë”! Shumëkush mund të dëshmojë se më 4 qershor 1994 në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës, në kuvendin e themelimit dhe, më vonë, pati shumë kalkulantë (përfaqësues partish politike), të cilët ishin pa ndonjë vullnet për ta hedhur nënshkrimin e tyre ndaj përkrahjes, porse Fadil Sulejmani i kishte prekur në dobësinë e tyre, andaj askush prej tyre nuk mund të ishte haptazi kundër.

Ç’është e vërteta, themelimi “jolegal” mund të mos ishte i tillë me lexim fleksibil të Kushtetutës. Prandaj gjithë periudhën 10-vjeçare, deri në legalizimin e tij (themelimin) në vitin 2004, paria universitare dhe përfaqësuesit politikë shqiptarë mundoheshin të dëshmojnë se nuk është ilegal me disa argumente politike e juridike. Universiteti i Tetovës u themelua njësoj si Universiteti i Manastirit, ku themeluese paraqitet komuna. Në rastin e Universitetit të Tetovës si themelues u paraqitën komunat e Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës. Sa i përket kushtetutës, aty mbrohej interpretimi se nëse diçka nuk është e ndaluar në mënyrë strikte, nuk ka pengesë të realizohet. Përveç kësaj, si argument praktik për këtë ishte ekzistimi disa dekada i Akademisë Pedagogjike, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, që ishte një nivel më i lartë se arsimi i mesëm i garantuar. Pra, gjersa mund të ekzistojë një akademi pedagogjike e lartë, pse të mos ekzistojë një universitet? Dhe, vihej te përfundimi se pengesa kryesore është vetëm mungesa e vullnetit politik, të atij vullneti të pushtetit, i cili me polici e pengonte themelimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, dhe të opozitës maqedonase nacionaliste, e cila e pengonte me protesta shoviniste çdo përpjekje, madje edhe përpjekjet që ishin në drejtim të relativizmit të UT-së, siç ishte hapja e Fakultetit Pedagogjik…

Me ”hatër” nuk mundej, sepse edhe para themelimit partitë maqedonase nuk kishin pasur vullnet të plotësonin as kërkesa më të vogla se universiteti (siç ishte përdorimi i gjuhës shqipe në parlament), pra kishte mbetur rruga “me zor”, që e zgjodhi Fadil Sulejmani me iniciatorët e tjerë. Ajo që nën presionin e Fadilit u bë ishte ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje. Në kohën e qeverisjes së LSDM-së u bë përpjekja përmes Fakultetit Pedagogjik (që e pengonin “junoshët” e VMRO-së, studentët e atëhershëm Filip Petrovski e Antonio Milloshovski me tenda para parlamentit), kurse pas ardhjes në pushtet të koalicionit të prirë nga VMRO-DPMNE-ja u hap universiteti privat i Evropës Juglindore në Tetovë me financim ndërkombëtar. Në këtë periudhë është edhe (keq)përdorimi i figurës së Fadil Sulejmanit nga partitë politike shqiptare, sidomos nga PDSH-ja (e merrnin në tubime që të flasë kundër PPD-së sikur ajo është kundër universitetit), porse kur u themelua UEJL-ja po kjo parti pastaj universitetin “e tij” e quante “të shekullit 19-të dhe nuk i jepte përkrahje për legalizim!

Një viktimë (Abdylselam Emini), flijesa të tjera (dënimi me burg i Fadil Sulejmanit), lufta për njohjen e diplomave dhe shumë çështje të tjera janë një pjesë e mozaikut ose rrugës në të cilën eci Universiteti i Tetovës, i cili u tregua mjaft i rezistueshëm ndaj të gjitha sfidave.

Marrëveshja e Ohrit i vuri vulën 

Një kaptinë e veçantë në rrugëtimin e universitetit shqiptar në Maqedoni padyshim duhet të jetë Marrëveshja e Ohrit, e arritur pas konfliktit të vitit 2001. Bisedimet që u zhvilluan nën buçimën e maleve dhe viktimave të papritura në fund të luftës mund ta kenë cunguar në masë të madhe tekstin e marrëveshjes, madje rrezikuan që ajo fare të mos nënshkruhet. Sot është lehtë ta kritikosh nga pozitat e vitit 2017, sepse ata që e kanë nënshkruar nuk janë gjallë (shumica) ose nuk janë relevantë (disa) dhe ta implementojnë ata që nuk e kanë nënshkruar. Në këtë kontekst, shpesh debatohet edhe pa e lexuar këtë dokument, i vlerësojnë gjërat e supozuara e jo ato që janë shkruar në Marrëveshjen e Ohrit dhe shpesh në publik ka pasur qëndrime se çështja e të drejtës së arsimit sipëror nuk është përfshirë në të. Pastaj, në rrethanat e reja pas 2001-shit, kur u bënë edhe ndryshime kushtetuese-juridike, kemi dëgjuar nga lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, se ai e paska themeluar Universitetin Shtetëror të Tetovës. E vërteta është se gjatë qeverisjes së tij u bë themelimi i universitetit të ri (pra, nuk u legalizua UT-ja, por u themelua i ri), por jo sikur të ishte kjo një dhuratë prej dikujt. Këtu ose ka keqkuptim ose keqinterpretim, sepse e drejta e arsimit të lartë (sipëror) në gjuhën shqipe buron pikërisht nga Marrëveshja e Ohrit. Në kaptinën e pestë, midis tjerash, thuhet: “Financim nga ana e shtetit do të sigurohet për arsimin sipëror në gjuhët që e flasin të paktën 20 për qind e popullatës së Maqedonisë në bazë të marrëveshjeve të posaçme” (pika 5.2). Domethënë, nuk ka dhuratë nga dikush nga vullneti i mirë, por, thjesht, implementim i kësaj marrëveshjeje. Mirëpo, paradoksi qëndron përsëri në atë anekdotën për Fadil Sulejmanin. Nëse themelimi i universitetit nuk do të bëhej po të mos ishte kokëfortësia e tij, njësoj as legalizimi nuk do të bëhej edhe dekada të tjera pas (sepse ndërkohë qe themeluar UEJL-ja, që të mos e prishë rendin kushtetues, ndërkaq t’i kënaqë nevojat e shqiptarëve, por të mos legalizohej UT-ja), po të mos ishte presioni i konfliktit 2001! Nëse nuk është nxjerrë mësim për elitat politike maqedonase, mbetet atëherë “porosia” se synimet e shqiptarëve përherë arrihen vetëm nën kërcënim real, sepse nga debatet në parlament, kënaqet demokracia, por gjendja rëndom mbetet status quo.

Për kronikën do të mbetet e shënuar se Universiteti i Tetovës është zyrtarizuar në janar të vitit 2004, me sjelljen e Ligjit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Ironia e fatit e deshi që rektori i parë i universitetit, praktikisht të ri, të mos jetë ai që do të duhej. Ndoshta pengesë ishte temperament i tij…

Duke harruar gjithë këto peripeci për ta realizuar të drejtën për shkollim sipëror, sot jemi në një situatë krejtësisht tjetër dhe shpesh në përplasjet politike e fusin temën e universiteteve. Me themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” fitojmë edhe një qendër universitare shtetërore në gjuhën shqipe (përskaj UEJL-së dhe disa universiteteve private “trendi” në anglisht, ku studiojnë studentët shqiptarë), në masë të madhe është bërë profilizimi i drejtimeve studimore që do t’i kënaqin afinitetet e gjeneratave të reja dhe nevojat shoqërore. Shpesh, për shkak të përplasjeve midis partive shqiptare, debatin rreth universiteteve e hedhim në plan politik (partizimi dhe pavarësia) dhe harrohen kushtet dhe standardet që duhet t’i arrijnë këto universitete që të ofrojnë cilësi dhe konkurrencë me universitetet tjera. Rreziku më i madh në të ardhmen për këtë numër universitetesh do të jetë numri i studentëve për shkak të migrimit masiv në botën e jashtme të gjeneratave të reja. Në këtë këndvështrim, mbase këtë më së miri e dinë autoritetet universitare dhe Ministria e Arsimit, do të paraqitet nevoja që të racionalizohen drejtimet që janë të ngjashme dhe profilizimi i vetë universiteteve. Nuk ka më mirë se të jesh në dilema siç i kemi sot kur bëjmë fjalë për nevojën e rritjes së cilësinë së universiteteve, sepse për universitet shqiptare në Maqedoni u deshën shumë flijesa e beteja politike.

“Flaka” botoi e para lajmin për UT-në

Kohë më parë pata rastin ta lexoj librin e publicistit Xhelal Neziri “Kohët e eklipseve”, ku midis tjerash kishte edhe intervistën me rektorin e ndjerë Fadil Sulejmani. Ai përmend edhe një ngjarje që ka të bëjë me konkursin e parë për regjistrim të studentëve në UT, kur gazetën “Flaka” e kishte vënë në një siklet të madh, pasi ajo kishte ndalesë nga “lart” për të botuar çfarëdo qoftë për Universitetin, gjë të cilën nuk e kishim respektuar. Mirëpo, botimi i konkursit të UT-së në disa faqe gazetë nuk ishte diçka që mund të fshihej nga sytë “e ligë”. Së pari, UT-ja nuk ishte subjekt legal që mund të porosiste botim komercial dhe këtu luhej kokamsheftas dhe pagesa duhej bërë nga ndonjë subjekt tjetër. Por, përmbajtja pastaj s’mund të kamuflohej. Ne, si redaksi, i kishim ofruar një zgjidhje elegante: në vend se si botim komercial, ne do ta botonim si lajm (!!!) se Universiteti ka shpallur konkurs për regjistrim (lajmi përbëhej nga dy-tri fjali) dhe pastaj shkonin me radhë, si shpallje klasike, fakultetet ku pranoheshin studentë në dy-tri faqe të gazetës. Kështu u bë në marrëveshje me rektorin, ndonëse në intervistën e përmendur nga libri i Xhelal Nezirit rektori sikur del i keqkuptuar me kryeredaktorin me të cilin pikërisht ashtu ishte marrë vesh të dalë konkursi… Nejse, njerëzit pastaj mund t’i interpretojnë ndryshe gjërat për të cilat kanë rënë dakord. Ajo që vlen të përmendet, “Flaka e vëllazërimit” ditën kur u themelua universiteti (4 qershor 1994), pas sinjalizimeve nga korrespodenti Enver Shala, kujdestaroi gjer vonë për ta pritur lajmin për themelimin. E kishim përgatitur gjithë gazetën dhe mbi kokën e gazetës e kishim lënë zbrazur vendin për lajmin ekskluziv, që na erdhi pas orës 20.00, një kohë tepër vonë për shtypshkronjën. Mirëpo, ne e pritëm që ta kemi lajmin që nuk e kishte asnjë gazetë tjetër.

 

Iniciatorët dhe themeluesit

Universiteti i Tetovës u themelua më 4 qershor të vitit 1994. Ky universitet, si institucioni i parë i arsimit sipëror me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, u themelua nga Kuvendi për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe, i cili u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës, me nismë dhe në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni…. Ideator, nismëtar dhe hartues i strategjisë për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte Abdulla Mehmeti, kryetar i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, i cili me bashkëpunëtorët e tij e ka përgatitur dhe organizuar Kuvendin për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe dhe i ka hartuar e nënshkruar aktet për themelimin e këtij universiteti dhe emërimin e organeve të përkohshme të tij, si: Vendimin për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe, Deklaratën për themelimin e Universitetit; Vendimin për emërimin e Këshillit për themelim dhe të Kryesisë së këtij Këshilli në përbërje: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Murtezan Ismaili dhe Prof. dr. Agni Dika; Vendimin për Komisionet amë të fakulteteve dhe akte të tjera të universitetit dhe fakulteteve të tij… Data të rëndësishme të Universitetit janë: 4 qershori, dita e themelimit të Universitetit; 17 dhjetori, dita e nënshkrimit të aktvendimit për funksionimin e këtij Universiteti me mbështetje nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare, shoqatave të qytetarëve, kuvendeve komunale të Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, si dhe personaliteteve nga jeta publike. Rektor i parë i këtij Universiteti ka qenë Prof. dr. Fadil Sulejmani, ndërsa pas tij këtë detyrë e kanë ushtruar: Prof. dr. Ramiz Abdyli, Prof. dr. Nexhbedin Beadini, Prof. dr. Sadi Bexheti, Prof. dr. Agron Reka. Ndërkaq aktualisht detyrën e rektorit të këtij institucioni të arsimit të lartë e kryen Prof. dr. Vullnet Ameti. (Wikipedia)

Postime të Ngjajshme