` . Deri në fund të vitit do të finalizohen reformat në administratë (Video) - TV-SHENJA

Deri në fund të vitit do të finalizohen reformat në administratë (Video)

Deri në shtator, ministri i Informatikës Damjan Mançevski shpreson se do të kalojnë ndryshimet ligjore në Ligjet për të Punësuarit në Sektor Publik dhe për Administratën, me ndryshimet e të cilëve do të bëhen reforma rrënjësore në administratë, ndërsa deri në fund të vitit do të finalizohen reformat në administratë në tërësi, raporton Tv SHENJA. Mançevski nuk deshi të kalkulojë me numra se për sa të punësuar duhet të reduktohet administrata publike dhe as nuk deshi të tregojë qartë nëse një pjesë e administratës publike ka gjasa të transferohet në sektor privat, por e qetësoi administratën me deklaratën se askush nuk do të detyrohet me zor të ndryshojë vendin e punës.

Damjan Mançevski, ministër i informatikës

“Gjithçka do të bisedohet edhe me ta, nuk do t’u bëhen befasi. Do ua kumtojmë zgjidhjen para se ta zbatojmë. Prandaj u them se nuk kanë nevojë të frikësohet për asgjë, pasi gjithçka do të jetë në bazë vullnetare. Por, është fakt se duhet të bëhet diçka për reformën në administratë dhe për optimizimin e numrit të administratës, kjo status quo nuk duhet të mbetet më”  

I pyetur për rritjen e numrit të administratës gjatë periudhës së fundit, përkundër zotimeve për reduktim, Mançevski u arsyetua se në sektorin e arsimit, punëve sociale dhe shëndetësisë kishte nevojë për kuadro shtesë, prandaj edhe gjatë periudhës së ardhshme do të bëhen sistematizimi i të punësuarve në sektore ku ka nevojë.

Sipas drejtorit të Agjencisë për Administratë, Spase Gligorov, Agjencia për Administratë vlerëson se ka nevojë për reforma thelbësore kryesisht në tre shtylla. Në procedurën e punësimit të administratës, në procedurën për avancim në punë dhe në procedurën për realizimin e të drejtave të të punësuarve në administratë.

Spase Gligorov, Drejtor i Agjencisë për Administratë

” Zbatimi i ligjit ose procedurave ka dëshmuar se një numër i madh i aplikuesve nuk arrijnë të vazhdojnë më tej në konkurs, për shkak të problemeve teknike, filtrohen për shkak të mungesës së dokumenteve irrelevante që nuk dëshmojnë asgjë për kompetencën e tij. Për shembull, vërtetimi mjekësor, që është në kundërshtim me Ligjin për marrëdhënie pune. Vërtetimi mjekësor duhet të dorëzohet kur të punësohet, edhe atë me harxhim të vetë punëdhënësit. Ndërsa për shtetësinë dhe vërtetimin e gjykatës se kandidati nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, shpresojmë që me procesin e dixhitalizimit, këto dokumente t’i marrim vetë, në bazë të detyrës zyrtare, që të mos jetë ngarkesë për kandidatin”

Gligorov kujtoi se doemos duhet të thjeshtësohet edhe procedura e punësimit por edhe qasja e institucioneve ndaj aplikuesve. Të mos merren vetëm të dhënat e arsimit dhe disa të dhëna bazike, dhe në bazë të tyre të bëhet rangimi i më të mirëve. Siaps tij, aplikuesve për admnistratë duhet tu jepet mundësia e barabartë për aplikim dhe dëshmim të vetes në punë konkrete. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/