` . Demonstratat e ‘81-shit: Kosova në optikën e medieve botërore - TV-SHENJA

Demonstratat e ‘81-shit: Kosova në optikën e medieve botërore

Në lidhje me këto ngjarje në vendin tonë, interesim kishin shfaqur edhe mediet e huaja nga shumë vende të botës, në veçanti ato të shkruara, si – bie fjala – mediet nga Anglia, Austria, Gjermania, Polonia, Norvegjia, Suedia, SHBA, Turqia, Pakistani, Libani etj. Këto të dhëna i kemi në formë shënimesh, të përpiluara asokohe nga Sekretariati Krahinor për Informata i Kosovës

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

A është fjala për status që Kosova nuk mund të jetë Republikë? Thuhet se këtu populli është i barabartë me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe se Kosova i gëzon të gjitha drejtat e një Republike, por formalisht nuk është Republikë, atëherë çka po e pengon ky formalitet që të mos jetë Republikë?” – është vetëm një nga pyetjet e shumta që gazetari gjerman, Dr. Harry Schlaiher, i gazetës “Frankfurter Rundchau”, e bëri gjatë takimit me përfaqësuesit e Kosovë në Prishtinë, në qershor të vitit 1981, së bashku me një grup gazetarësh të medieve të ndryshme evropiane, të cilët interesoheshin për gjendjen politike, ekonomike etj., të vendit tonë pas demonstratave të marsit të vitit 1981.

Nga ngjarjet me rendësi të historisë më të re të vendit tonë, pa mëdyshje se janë edhe demonstratat e vitit 1981 në Kosovë. Këto demonstrata filluan nga studentët e Universitetit të Prishtinës, më 11 mars të vitit 1981, me kërkesa fillimisht sociale, ndërsa më vonë u shfaqen edhe kërkesa politike. Pavarësisht se kjo ngjarje filloi me studentët e Universitetit të Prishtinës, më pas atyre do t’u bashkohen edhe shtresat e tjera të popullit të Kosovës, aq sa ato u masivizuan dhe u përhapën shumë shpejt edhe në të gjitha qytete e tjera të Kosovës dhe me gjerë. Disa nga parullat që u dominuan në këto demonstrata ishin: “Kosova Republikë”, “Jemi shqiptar, jo jugosllavë”, “Trepça jonë” etj. Me një fjalë, kjo ngjarje ishte paralajmërim i asaj çfarë do të ndodhte më vonë me Jugosllavinë dhe fatin e saj, që ishte nisur drejt shpërbërjes së saj të pakthimtë, kurse për Kosovën ato shënonin fillimin drejt pavarësimit dhe mëvetësisë së saj. Këto janë vetëm disa të dhëna të përgjithshme për këto ngjarje, të cilat janë prezantuar edhe në botimet e institucioneve shkencore në Kosovë (Fjalori Enciklopedik i Kosovës 1, ASHAK, Prishtinë, 2018, f. 312-313).

Së këndejmi, edhe pse pas vitit 2000, në hapësirat shqiptare, por edhe në diasporë, janë mbajtur me dhjetëra organizime shkencore, akademi përkujtimore, janë botuar shkrime, janë nxjerrë monografi për këto ngjarje, janë botuar shkrime për personalitete që ishin protagonistë të këtyre ngjarjeve, por për këto ngjarje sikur fitohet përshtypja se janë publikuar shumë pakë dokumente, pavarësisht sasisë së bollshme të tyre që ruhen nëpër arkiva.

Pikërisht për këtë arsye, për lexuesit e revistës Shenja po sjellim një nga shumë dokumentet disafaqëshë, deri më sot i papublikuar, që flet për këto ngjarje.

Në të vërtetë, dokumenti të cilin po prezantojmë mbanë shënimin “Rreth qëndrimit të gazetarëve të huaj në Kosovë”. Këta gazetarë kishin qëndruar në Kosovë më 23 dhe 24 qershor të vitit 1981, pra më shumë se tre muaj pas ngjarjeve të marsit.

Është për t’u theksuar fakti se pas ngjarjeve të marsit 1981 në Kosovë, diplomatë të akredituar në Beograd, nga pjesa dërmuese e vendeve të botës, kishin shfaqur interesimin për t’u takuar me udhëheqësit e Kosovës, që të dinin më shumë nga burimet zyrtare për këto ngjarje. Janë me dhjetëra dokumente, që ruhen edhe sot e kësaj dite, që e argumentojnë këtë gjë.

Në lidhje me këto ngjarje në vendin tonë, interesim kishin shfaqur edhe mediet e huaja nga shumë vende të botës, në veçanti ato të shkruara, si – bie fjala – mediet nga Anglia, Austria, Gjermania, Polonia, Norvegjia, Suedia, SHBA, Turqia, Pakistani, Libani etj. Këto të dhëna i kemi në formë shënimesh, të përpiluara asokohe nga Sekretariati Krahinor për Informata i Kosovës.

Në vazhdën e këtyre interesimeve dhe takimeve, gazetarët e huaj ishin pritur nga kryetari i Odës Ekonomike të asaj kohe në Kosovë, Nazmi Mustafa, dhe nga anëtari i Komitetit Krahinor, Jusuf Kelmendi. Më pas gazetarët e kishin vizituar Kombinatin “Trepça” në Mitrovicë, sepse edhe nga parullat e ngritura nga demonstruesit, një pjese e tyre kishin të bënin me këtë kombinat, i cili punonte në Kosovë për të ndërtuar pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë.

Dokumenti i marrë në shqyrtim, i përpiluar nga organet zyrtare, i evidenton vetëm pyetjet që gazetarët shtrojnë, por jo edhe përgjigjet që japin autoritetet e kohës. Por, nga pyetjet e shtruara, kuptohet mjaft mirë se gazetarët ishin mirë të informuar për gjendjen në Kosovë. Pyetjet e drejtuara nga gazetarët e huaj kishin të bënin me aspektin ekonomik, pastaj me të drejtat e popujve në ish-Jugosllavi, nacionalizimin, diferencimin etj., dukuri këto që ishin prezentë asokohe.

Për të qenë me konkretë në lidhje me dokumentin që kemi përzgjedhur, se si duket ky dokument, forma e përpilimit, çfarë interesimi kishin shfaqur disa nga gazetarët e huaj që kishin ardhur në Kosovë me muajin qershor, pra rreth tre muaj pasi kishin ndodhur këto ngjarje, ne po e paraqesim dokumentin në tërësinë e tij.

Ky dokument, sikurse u tha, është vetëm njëri nga dhjetëra të tillë që ruhen në fondet e ndryshme arkivore në Arkivin e Kosovës dhe të cilin po e botojmë në tridhjetetetë vjetorin e këtyre ngjarjeve të rëndësishme për vendin tonë.

“Krahina Socialiste Autonome e Kosovës – Sekretariati Krahinor i informatave. Nr. 01-400-105. Prishtinë, me 2. VII. 1981.

SHENIM rreth qëndrimit të gazetarëve të huaj në Kosovë me 23 dhe 24 qershor 1981.

Gazetarët Georg Von Huebente  “Deutschland funk”(GJ.P), 2. Dr. Harry Schlaiher, “Frankfurter Rundchau” (GJ.P), 3. Slobodan Llazareviq, “Rojter”(B. Madhe), Mark Frankland, i “Observerit” (B. Madhe), me lejen e Sekretariatit Federativ të informatave qëndruan dy ditë në Kosovë. Ata me këtë rast zhvilluan bisedime me Nazmi Mustafën, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, me Jusuf Kelmendin, anëtar i Kryesisë se KK të LSPP të Kosovës si dhe vizituan Kombinatin ”Trepça” në Mitrovicë.

Gjatë bisedës me Nazmi Mustafën, gazetarët bënë këto pyetje:

Slobodan Llazareviq (Rojter): Sa është numri i të inkuadruarve aktiv në Kosovë?

Dr. Schlaiher(Frankfurter-Rundchau): Në këtë numër prej, 185.000 të inkuadruar në Kosovë, a përfshihen edhe punëtorët që punojnë përkohësisht në botën e jashtme?

Majkel Betty (Rojter): Sa studentë ka Universiteti i Kosovës dhe pas kryerjes së studimeve a do të mund të gjejnë punë të gjithë?

Llazareviq (Rojter): Qeveria serbe nuk ka aprovuar planin e ardhshëm të zhvillimit për arsyeje se krahinat nuk i kanë bërë me kohë planet, për çfarë arsye?

Huebente (Deutschland-funk): Sa për qind merr pjesë bujqësia në sektorin shoqëror në Kosovë?

Llazareviq (Rojter): Gjithnjë flitet se në Kosovë prodhuesit individualë nuk mund t’i plasojnë në treg prodhimet e tyre, përse kur dihet se ata kanë potencial të mirë, ndoshta është i dobët organizimi i rrjetit tregtar.

Schlaiher (Frankfurter-Rundchau): Sa hektarë tokë ka të drejtë të ketë një familje fshatare?

Llazareviq (Rojter): Një fshatar-bujk me ka thënë se sektori shoqëror nuk është i interesuar të bashkëpunojë me bujqit. Sa është e vërtetë kjo dhe nëse është e kështu mendoj se është politikë e gabuar ndaj bujqësisë në përgjithësi.

Huebente (Deutschland-funk): Çfarë ndikimi ka stabilizimi i ekonomisë në Kosovë se janë ngushtuar planet e zhvillimit në vend për shkak të krizës ekonomike në botë?

Gazetarët e huaj në bisedë me Jusuf Kelmendin, anëtar i Kryesisë së KK të LSPP të Kosovës parashtruan këto pyetje:

Huebente (Deutschland-funk): Në Kongresin e III të vetëqeverisëve një delegat ka deklaruar se diferencimi në Kosovë po bëhet shumë ngadalë, përse po bëhet ngadalë?

Schlaiher (Frankfurter-Rundchau): A po zbatohet procesi i diferencimit në të gjitha organizatat politike-shoqërore apo vetëm në parti dhe LSPP?

Majkel Betty (Rojter): Sa njerëz deri me tani janë solidarizuar nëpër këto tubime me demonstratë?

Schlaiher(Frankfurter-Rundchau): A është fjala për status që Kosova nuk mund të jetë Republikë? Thuhet se këtu populli është i barabartë me popujt tjerë të Jugosllavisë dhe se Kosova i gëzon të gjitha drejtat e një Republike, por formalisht nuk është Republikë, atëherë çka po e pengon ky formalitet që të mos jetë Republikë?

Majkel Betty (Rojter): Përkundër përpjekjeve që janë bërë në Kosovë për zhdukjen e nacionalizimit, nacionalizimi shqiptar po i shtynë serbët dhe malazezët që ta lëshojnë Kosovën. Pse nuk po shiqohet kjo në pikëpamje historike?  

Huebente (Deutschland-funk): Në konkluzionet e mbledhjes se KQ të LKJ është thënë se për gjithë atë që ndodhi në Kosovë janë fajtorë vetë udhëheqësia shqiptare. A është e vërtetë kjo?

Llazareviq (Rojter): Për përhapjen e një nacionalizimi të tillë a mjafton vetëm dorëheqja e ca funksionarëve?

Huebente  (Deutschland-funk): A mund të na shpjegoni pozitën e tanishme të M. Bakallit?

Llazareviq (Rojter): Kur pritet gjykimi i grupit të parë?

Schlaiher (Frankfurter-Rundchau): Duke lexuar shtypin e Beogradit kam fituar përshtypjen se ai është mjaftë senzacional dhe deri diku ka zgjuar nacionalizimin serb (këtë e ilustron akuza drejtuar dr. Mekulkës për gjoja sterilizimin e femrave serbe) e kjo mendoj mund t’i keqësojë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve dhe të shtojë nacionalizimin serb.

Majkel Betty (Rojter), Zotëri Herleviq, njeri që nuk bën gjera senzacionale, në nje tubim ka thëne se në Kosovë janë lajmëruar grupe guerilësh. A është e vërtet kjo?

Schlaiher (Frankfurter-Rundchau): A është akoma gjendja e jashtëzakonshme në disa qytete të Kosovës dhe kur pritet të hiqet kjo gjendje? Kam lexuar në shtyp se në Prishtinë nuk punojnë kinematë dhe teatri dhe se “korzo” është e ndarë.

Majkel Betty (Rojter): Emigrimi (shpërngulja) e serbëve nga Kosova ka filluar para 10 vitesh e nuk është bërë fjalë për ta deri me tash, pse bash tash?

Llazareviq (Rojter): Një fshatar i kombësisë serbe para disa ditësh ka lëshuar fshatin e vet në afërsi të Prishtinë dhe ka shkuar në Beograd. Kur është kthyer pas pak ditësh, kojshia i tij me kombësi shqiptare ka ndërtuar shtëpinë e re në tokë të tij dhe i ka thënë se nuk kije më vend këtu, a është kjo e vërtetë?

Majkel Betty (Rojter): Edhe pse shpërngulja e serbëve ka filluar shumë më herët, Ju thatë se bëhen hetime, deri me tani nuk është marrë kurrfarë masash. A dihet se shpërngulja po bëhet bile me të madhe?

Huebente  (Deutschland-funk): Kam dëgjuar fjalimin e Miniqit në mbledhjen e KQ të LK të Serbisë, ku thotë se po punojnë për t’u pajtuar me Shqipërinë, kurse ne praktikë po punohet në të kundërtën.

Majkel Betty (Rojter): Pëlqimi unanim i shumicës sipas mendimit tim është gjë e çuditshme. Unë i çmoj përpjekjet e Jueja për ta përmirësuar gjendjen, por kam vështirë ta kuptoj nacionalizimin dhe byrokratizimin tek njerëzit në Kosovë.

Huebente  (Deutschland-funk): A ka diferencime edhe nga ana e nxënësve?

Gazetarët e huaj ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë vizituan Kombinatin”Trepça”, ku zhvilluan bisedime me Nazmi Mikullovcin, kryetari Këshillit Punëdrejtues. Ai pasi i informoi me zhvillimin e përgjithshëm të kësaj organizate të përberë ekonomike, gazetarët ia bënë këto pyetje:

Schlaiher (Frankfurter-Rundchau): A keni probleme specifike rreth sigurimit të devizave?

Huebente  (Deutschland-funk): A bashkëpunoni me BVI dhe çfarë barre bajnë ato?

Llazareviq (Rojter): Sa janë të ardhurat personale (mesatarja) dhe sa janë të ardhurat minimale të punëtorëve?

Huebente  (Deutschland-funk): Demonstarta kanë thenë se “Trepça” shfrytëzohet nga Beogradi dhe Serbia, a është e vërtetë kjo?

Schlaiher(Frankfurter-Rundchau): Gjatë demonstratave a keni pasë ndërprerje të punës dhe a kanë mar pjesë punëtorët e Juaj në demonstrata?

Gjatë vizitës dy ditëshe në Kosovë gazetarët e huaj vizituan Pejën dhe Deçanin dhe monumentet kulturale të tyre.

Dërguar:

Sekretariatit Federativ të Informatave Beograd

Xh. Nimanit, kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës

  1. Devës, kryetar i Kryesisë së KK të LKK
  2. Oruçit, kryetar i KE të Kuvendit të Kosovës
  3. Vllasit, kryetar i Kryesisë se KK LSPP të Kosovës

Ali Shukriut, anëtar i Kryesisë së LKK

Zatriqit, anëtar i Kryesisë së LKK

Sekretariatit krahinor për punë të brendshme

Sekretariatit krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme

Nehat Islamit, sekretar krahinor i informatave

Arhivës këtu”.

 Përfundim

Duke i shfletuar materialet e shumta arkivore për këtë ngjarje në disa fonde, si dhe dokumentin që e kemi prezantuar më sipër, mund të përfundojmë se ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë ishin ndër ngjarjet me të përcjella nga mediet botërore dhe nga diplomatët e akredituar ato ditë në Beograd.

Ky mendim përforcohet edhe më shumë nga bisedat që i kemi pasur më njerëz të cilët ishin përpilues të disa dokumenteve që kanë të bëjnë me këto ngjarje e që sot ruhen në fondet arkivore. Vetë ata e pohojnë se janë shënuar vetëm disa nga ato çfarë është biseduar.

Pavarësisht se këto dokumente tregojnë përgjithësisht vetëm interesimin e gazetarëve të huaj që kishin ardhur në Prishtinë, pra duke u shënuar vetëm pyetjet e tyre dhe jo edhe përgjigjet e atyre që i kishin pritur, megjithatë mendja na thotë se janë dëshmi e mirë për një ndriçim sa më të bollshëm të këtyre ngjarjeve në vendin tonë dhe jehonës së tyre në botë. Nga pyetjet e bëra të gazetarëve, të cilat shpeshherë duken edhe si konstatime të qëndrueshme të tyre, lexuesi lehtësisht mund të kuptoj se cila ishe gjendja reale në Kosovë, sepse pyetjet ishin shtruar si rezultat i gjendjes faktike në terren. Përveç kësaj, në të ardhmen mbetet për t’u hulumtuar dhe analizuar se deri në çfarë mase kanë ndikuar shtetet ku dilnin këto gazeta dhe nga vinin këta gazetarë dhe diplomatë të interesuar për ngjarjet e marsit të vitit 1981 në Kosovë.