` . Dëmet që na shkaktohen prej BREXIT-it - TV-SHENJA

Dëmet që na shkaktohen prej BREXIT-it

Shkruan: Adri NURELLARI, Tiranë

Çështja e BREXIT-it ka qenë një ngjarje që e ka tronditur mbarë Evropën dhe ka pasoja dhe implikime në gjithë kontinentin, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët. Madje, Republika e Shqipërisë u përfshi në mënyrë absurde edhe në debatin e brendshëm britanik gjatë fushatës së referendumit prej palës që kërkonte largimin. Referendumi i daljes nga Bashkimi Evropian ka shkaktuar një lloj paniku të mirëfilltë tek vendet aspirante për t’u bërë anëtare. Nuk është rastësi që në Samitin e Parisit në kuadër të procesit të Berlinit, mbajtur në 4 korrik, ku morën pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, liderët Holland dhe Merkel si përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, një ndër mesazhet kryesore prej evropianëve ishte konfirmimi i perspektivës së anëtarësimit në BE pavarësisht BREXIT-it.

Kuptohet që për shqiptarët integrimi në Bashkimin Evropian ngelet një ndër aspiratat kryesore politike, e cila çon në zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë, mundëson garantimin e të drejtave dhe standardeve të jetës në shtetet ku jetojnë si pakicë dhe bën të mundur integrimin organik të kombit në kushtet e një Bashkimi Evropian ku kufijtë shtetërorë eklipsohen dhe garantohet maksimumi i qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave e shërbimeve.

Shqetësimi kryesor i mbarë vendeve të Ballkanit dhe jo vetëm i shqiptarëve lidhet me eklipsimin që ka për të pësuar procesi i zgjerimit si pasojë e përqendrimit të vëmendjes së institucioneve evropiane te negociatat me Britaninë për kushtet e largimit prej BE-së, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme të Londrës me Brukselin. Ky prioritet i yni prej vitesh është lënë në hije dhe është shndërruar në çështje të dorës së dytë në Bruksel, sidomos pas krizës ekonomike të Eurozonës, me theks të veçantë tek kriza greke. Pra BREXIT-i i shtohet listës së krizave dhe prioriteteve të tjera të politikës së jashtme të BE-së, sikurse kanë qenë acarimi i marrëdhënieve me Rusinë pas pushtimit të Osetisë, Abkazisë dhe Krimesë, kriza masive e imigrantëve nga zonat e luftës së Lindjes së Mesme, por edhe atyre të Ballkanit Perëndimor, si dhe rreziku në rritje i terrorizmit. Kjo ka bërë që shtetet ku banojnë shqiptarët të marrin shumë më pak vëmendje nga Brukseli sesa vëmendja që kanë marrë shtetet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore kur qenë në një fazë të ngjashme të procesit të integrimit.

Përpos kësaj duhet të vihet në dukje se, historikisht, debati brenda Bashkimit Evropian është dominuar nga dy rryma konkurruese, njëra që favorizonte zgjerimin dhe që kishte në krye Britaninë e Madhe dhe tjetra që synonte më shumë thellimin dhe që drejtohej më së shumti prej Francës. Me largimin e britanikëve nga BE-ja ka për t’u dobësuar ndjeshëm edhe rryma që nxit zgjerimin, duke zvogëluar përpjekjet e Brukselit për të ndihmuar në anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra duke e zvarritur më tutje procesin tonë të anëtarësimit.

Një tjetër impakt i BREXIT-it lidhet me konsolidimin e euroskepticizmit anembanë Evropës, duke forcuar ndikimin politik të partive populiste radikale të djathta, të cilat karshi konservatorizmit e retorikës anti-imigrante po kërkojnë me gjithnjë e më shumë largimin nga BE-ja të shteteve të tyre anëtare. Anembanë Evropës po shikohet një ngritje e partive jotradicionale euroskeptike me tendenca anti-imgratore të së djathtës ekstreme. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian “Alternative für Deutschland”, një parti populiste euroskeptike gjermane, e themeluar në 2013 mori 7%, “Movimento Cinque Stelle” mori 21% të votës në Itali, “Front National” i Le Penit mori 25%, EKRE në Estoni është bërë partia e tretë e kështu me radhë. Kur vjen puna te politika e brendshme, radikali i djathtë Strache është ende shumë afër zgjedhjes president i Austrisë dhe vende si Hungaria, Polonia e Sllovakia kanë pasur një forcim të zërave radikale nacionaliste euroskeptike. Prandaj ekziston frika se largimi i Britanisë çon ujë në mullirin e frontit anti-BE dhe mund të shoqërohet nga largime të tjera vendesh anëtare. Përpos kësaj, kjo rritje euroskepticizmi ka për ta vështirësuar marrëdhënien tonë me Brukselin.

Pakësimi i vëmendjes ndaj Evropës Juglindore, i kombinuar me mungesën e shtytjes tradicionale për zgjerim të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe rritjen e zërave euroskeptike, ka për ta rënduar akoma më tej “lodhjen” me zvarritjen e integrimit evropian ose zbehjen e kësaj perspektive për shqiptarët. Diskreditimi ose venitja e reputacionit të Bashkimit Evropian në një farë mënyre e delegjitimon edhe modelin dhe vlerat evropiane mes shqiptarëve. Për rrjedhojë, mbështetja publike për reformat që synojnë konsolidimin e ligjit, ekonomisë së tregut, demokracisë dhe respektit për të drejtat e njeriut dhe pakicave, si kritere të nevojshme për anëtarësim në BE, ka për të rënë. Si pasojë, edhe suksesi ynë në këto procese të brendshme, që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së çdo shqiptari, ka për t’u zvogëluar. Kjo zbehje, mandej, krijon hapësirë për ringjalljen e aktorëve dhe faktorëve politikë, që nuk janë të interesuar për integrimin evropian, por synojnë agjenda politike alternative, që me gjasa kërcënojnë stabilitetin dhe paqen në Ballkan. Po ashtu rënia e angazhimit të BE-së në Ballkan i lë hapësirë më shumë Rusisë për të shtuar ndikimin tashmë të madh në shumicën e vendeve të rajonit tonë.

Pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, nga rajoni ynë kanë ngelur gjashtë shtete që janë në radhë të pritjes për t‘u anëtarësuar dhe, me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës, të gjitha këto shtete banohen nga shqiptarë. Nuk duhet harruar se integrimi evropian nuk është vetëm një çështje politike dhe ekonomike, por mbi të gjitha një çështje sigurie, sepse në zanafillë të tij ka pasur pikërisht ndërtimin e një paqe të qëndrueshme mes shtetesh që një dekadë më herët kishin luftuar me njëri-tjetrin, duke ndërtuar struktura bashkëpunimi, ndërveprimi, lidhje e ndërvarësie, të cilat e pamundësojnë rishfaqen e konflikteve mes tyre. Përfshirja intensive e Bashkimit Evropian në paqëtimin dhe stabilizimin e rajonit tonë ka qenë vendimtare dhe nuk është çudi që zvogëlimi i këtij angazhimi të na kthejë prapa në një të kaluar pasigurie, nga e cila mezi jemi shkëputur.

Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol shumë konstruktiv, intensiv e dashamirës ndaj krizave të Ballkanit, në përgjithësi, dhe ndaj çështjes së shqiptarëve, në veçanti, dhe këtë rol e ka luajtur kryesisht nëpërmjet strukturave të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke bërë që orientimet e Brukselit ndaj rajonit tonë të ishin më objektive e të leverdishme ndaj nesh. Pa përkushtimin, përvojën dhe kompetencën e çmuar të Mbretërisë së Bashkuar në udhëheqësinë e politikës së jashtme evropiane, mund të rrezikohet që edhe politikat e BE-së të mos jenë më aq të goditura, të sakta ose mirëmenduara sa do të duhej. Mjafton të përmendet këtu nisma e frytshme gjermano-britanike për Bosnjë e Hercegovinën, e ndërmarrë prej ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier dhe atij britanik  Hammond në fund të vitit 2014, për të ilustruar kontributin e vazhdueshëm të politikës së jashtme britanike për Evropën Juglindore.

Impakti i BREXIT-it nuk është vetëm afatshkurtër, por edhe afatgjatë, sepse lidhet gjithashtu edhe me llojin e organizatës ku ne duam të anëtarësohemi, si dhe cilësinë e asaj organizate pa Britaninë e Madhe. Bashkimi Evropian është më i varfër dhe më pak i fuqishëm në sferën globale pa Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka qenë historikisht në pararojë të promovimit të lirisë, paqes, demokracisë, ekonomisë së lirë të tregut, shkencës e teknologjisë. Vetë pretendimet e Bashkimit Evropian për t’u bërë protagonist në marrëdhëniet ndërkombëtare pësojnë një humbje të madhe prej largimit të një shteti që dikur ka qenë perandoria më e fuqishme e botës dhe sot është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit në OKB, një shteti që është një fuqi bërthamore ushtarake dhe që renditet në krye të botës për sa u përket kapaciteteve ushtarake, shërbimeve të inteligjencës dhe shërbimit diplomatik.

Gjithashtu duhet pasur parasysh se, përveçse promovuese e zgjerimit, Mbretëria e Bashkuar ka luajtur rregullisht një rol konstruktiv reformator brenda BE-së, duke bërë presion për uljen e deficitit demokratik të institucioneve demokratike, për zvogëlimin e burokracisë, shtimin e llogaridhënies së eurokratëve e të tjera nisma të shëndetshme, që tanimë do të mungojnë.

Një tjetër element që duhet nxjerrë në pah është dimensioni translantlatik, pra i lidhjes Uashington-Bruksel, për të cilën Mbretëria e Bashkuar ishte flamurmbajtëse. Marrëdhëniet e ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë një prioritet parësor për Kosovën, Shqipërinë, por në përgjithësi për mbarë shqiptarët, andaj një Bashkim Evropian pa britanikët do ta bëjë më të paqartë e të lëkundur lidhjen translantatike, duke na vënë neve shqiptarët në pozitë veçanërisht të vështirë të dyzuar. Nëse bëhemi anëtarë në një të ardhme të afërt, ne do të gjejmë një BE që do ketë gjasa të rivalizojë dhe mos koordinohet më shumë me amerikanët në kushtet kur i vetmi anëtar proamerikan i zellshëm i ngelur ka për të qenë Polonia. Pra, me pak fjalë, BREXIT-i jo vetëm që do të na e vështirësojë udhëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, por edhe jetën tonë brenda këtij unioni pasi të jemi bërë anëtarë.

Postime të Ngjajshme