` . Demarkacioni si pasqyrë e pozitës neokoloniale të Kosovës - TV-SHENJA

Demarkacioni si pasqyrë e pozitës neokoloniale të Kosovës

Shkruan: Milazim Krasniqi, Prishtinë

Edhe në rastin e demarkacionit, ka qenë e njëjta qasje neokoloniale ndaj Kosovës, imponimi i një zgjidhjeje, pa respektuar asnjë specifikë, qoftë dhe vetëm atë psikologjike të shtetasve të Kosovës.

Pas tërheqjes së ligjit mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga rendi i ditës së Kuvendit të Kosovës, zgjidhja më e mirë për vendin tonë është që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pse? Sepse brenda koalicionit qeveritar dhe brenda dy partive kryesore të tij është krijuar situatë absurde: brenda partive PDK e LDK ka deputetë që janë të këtyre partive, por janë kundër qëndrimit të partive të veta. Thjesht, nuk dihet se çfarë politikash kanë këto parti, kur nuk arrijnë t’i kontrollojnë as deputetët e vet! Votuesit më nuk e dinë se kush ka të drejtë brenda këtyre taborreve brendapartiake, kujt mund t’i besohet? Votuesit e këtyre partive i kanë votuar të dyja këto grupe deputetësh brenda një liste, ndërsa tash nuk e dinë kujt prej tyre t’i besojnë! Deputetët e të njëjës listë jo veëtm që janë bërë pikë e pesë, po më shumë polemizojnë mes vete, se sa me kundërshtarët politikë.

Nga ana tjetër, Lista Sërpska është në koalicion me PDK e LDK, por urdhërat i merr nga Beogradi dhe prandaj i shantazhon partnerët e koalicionit. Për këso arsyesh nuk është e logjikshme të mbahet në këmbë një qeveri e Kosovës, e cila varet nga humori i satelitëve të Vuqiqit. Pra, shkurt e shqip, ky koalicion është i konsumuar. Është i konsumuar jo pse nuk është votuar ligji për demarkacionin, por pse ka ardhur puna deri në këtë pikë sa që një numër deputetësh të dy partive kryesore, PDK e LDK, janë të rebeluar ndaj partive të veta, ndërsa partneri serb e shantazhon paturpësisht qeverinë.

Por, në zgjedhje të parakohshme do të duhej të shkohej edhe për shkak të destruktivitetit kronik të opozitës. Nëse aktivistët e partisë më të madhe opozitare, VV, akuzohen se e kanë sulmuar me granatë Kuvendin, pamjet e personazheve të saj përzihen si në fundin e romanit “Ferma e kafshëve”: a janë në rregull ata deputetë të saj që hyjnë në sallën e Kuvendit, apo ata aktivistë të saj, që e sulmojnë me bombë Kuvendin?! Në rastin e këtij grupimi, duhet të ndahet qartë aktiviteti politik nga ai terrorist dhe kjo duhet të bëhet nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe nga gjykata kompetente, para hyrjes në një proces të ri zgjedhor. Kameleonizmi kësaj lëvizjeje është i pashembullt, nga ta marrësh: kjo lëvizje edhe shantazhin e Listës Sërpska ndaj partnerëve të koalicionit e ndaj qeverisë, e llogaritë si fitore të veten, sikundër që kauzën e AAK për demarkacionin bën përpjekje që ta paraqesë si të veten. Prandaj, edhe këto konfuzione e dilema në taborrin e opozitës, mund të zgjidhen vetëm me zgjedhje të parakohshme.

Ndërsa, demarkacioni duhet të presë kohë të tjera. Partnerët strategjikë të Kosovës (SHBA e NATO) duhet ta mirëkuptojnë paaftësinë e tashme të Kosovës për të qenë në nivelin e kërkesave të tyre për partneritet të plotë e serioz. Ata e dinë më mirë se kushdo që Kosova është ende objekt i këtij partneriteti,e jo subjekt i tij. Mënyra e ndërtimit të shtetit të Kosovës prej këtyre partnerëve, e ka vështirësuar ndërtimin e një shteti efikas, funksional dhe partner kredibil. Vetë fakti që nga partnerët strategjikë, Kosovës i është lënë në qafë Serbia (me Planin e Ahtisarit dhe derivatet e tij- procesin e Brukselit), është dëshmi se ata e trajtojnë Kosovën si objekt, e jo si subjekt të partneritetit. Mbase për këtë arsye mund ta kenë favorizuar Malin e Zi në procesin e demarkacionit, sepse Mali i Zi ëshët futur nën ombrellën e NATO-s dhe si i tillë është aleat më i rëndësishëm se sa Kosova, që ende është shtet nën mbikëqyrje ushtarake dhe civile ndërkombëtare. E qartë është që edhe në rastin e demarkacionit, ka qenë e njëjta qasje neokoloniale ndaj Kosovës – imponimi i një zgjidhjeje, pa respektuar asnjë specifikë, qoftë dhe vetëm atë psikologjike të shtetasve të Kosovës.

Bile duket se i kanë injoruar edhe institucionet që kanë qenë të ngarkuara me demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Prandaj, jam i bindur se jo vetëm opozitarët, po as qeveritarët tanë nuk e kanë të qartë të vërtetën e kufirit të shtetit tonë me Malin e Zi. Askush nuk e ka të qartë, sepse të dyja palët kanë qenë të injoruara nga faktorët ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë kanë qenë të nxitura drejt përplasjes mes vete për demarkacionin. Dhe ashtu e kanë traumatizuar popullin. Populli vërtet është i traumatizuar nga kjo lojë me demarkacionin, tash një vit. Por, populli edhe kur është i traumatizuar, është më i kthjellët se sa politikanët jokompetent dhe manipulues. Për këtë arsye, tash populli, pra votuesit, duhet ta kenë rastin ta thonë fjalën e vet.

Postime të Ngjajshme