` . Demarkacioni si déjà vu - TV-SHENJA

Demarkacioni si déjà vu

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Po e filloj këtë shkrim me një përsëritje të asaj që mjaft është shkruar dhe diskutuar nëpër revistat e mëparshme: çka është duke ndodhur me mendjen shqiptare, politikën shqiptare, kulturën shqiptare, gjegjësisht me tokën/trojet shqiptare dhe shprehjet e pyetjet si: “toka jonë”, “vendi ynë”, “kultura jonë”, “ku po vemë?” e “çka po ndodhë?”? Ndër ato që më pëlqeu në këto revista dhe që po i përmend këtu janë një titull artikulli “Jashtë nga Vlora grekët”, si dhe një pasus nga shkrimi me titull “Idealista pa ideal” te revista “Hylli i Dritës”, nr. 10, viti 1936, ku zhvillohet një bisedë kësisoj: “Kallzojnë për knjaz Nikollen e Malit të Zi, se tue ndejë ‘i ditë me nji mik të vetin, paska rá bisedimi mbi politikë. Shka asht politika? – e pyetka miku knjazin. Tue pas ngurrue aj në të përgjigjun, më lên, t’a kallzoj, Madhni, i thânka miku: Politikë don me thanë, po të rrejsh ti, un me duertrokitje të brohoris: Të lumët! E po rrêjta un, të më burgosish si fajtuer, pá pasë të drejtë të lypi arsye…”

Me siguri Knjazi e ka pasur fjalën për ata që dinë të bëjnë politikë, por ç’të themi ne për politikanët “tanë”, të cilët jo që nuk kanë ditur dhe nuk dinë të bëjnë politikë, por që shkojnë aq larg, saqë na hipnotizojnë edhe neve me naivitetin tonë ose me idiotizmin e tyre politik, e që përpos rrenës dhe mashtrimit nuk kanë asgjë, sepse e kanë humbur mëvetësinë e tyre. Ky portretizim i politikës sonë më detyron ta bëjë këtë pyetje: A thua ata që mashtrojnë janë duke humbur apo të mashtruarit janë duke humbur?!? Besoj se është koha të themi: “Rrofshi o ju politikanë shqiptarë, sepse nuk jeni ju fajtorë, pa marrë parasysh se ju jeni ata që jeni – të korruptuar, gënjeshtarë, mashtrues, pakurrizorë – por jemi ne fajtorët”. Kështu nuk them vetëm unë, kështu kanë thënë Fishta, Konica, Naim Frashëri, kështu themi edhe ne nëpër dhoma e nëpër simpoziume, që mbahen nëpër lokale. Por, pse ne vetëm vazhdojmë së thëni e assesi të mençurohemi dhe t’i japim fund kësaj çmendurie të madhe? Prandaj them se ne jemi fajtorë. E di se juve ju pëlqen të shprehem në këtë formë, pra se fajtorë janë jofajtorët, ngaqë ne vetëm besojmë atë që na thonë dhe çka ofrojnë. Po, por kjo kërkesë nga ne është e pavend dhe nuk ka lidhje me realitetin. Ne patjetër duhet ta pranojmë se na pëlqen mashtrimi; ne nuk mund të themi se nuk e dimë, sepse nëse nuk e dimë, atëherë neve na mungon diçka e nëse na mungon diçka, kjo do të thotë se ne nuk meritojmë të sundojmë/qeverisim, por meritojmë të sundohemi/qeverisemi.

Për shembull, ç’ndodhi me trojet tona shqiptare që nga koha e Perandorisë Osmane: ato pandërprerë u copëtuan, iu grabitën shqiptarëve dhe mezi u krijua një shtet ashtu siç u krijua. Një pjesë e madhe iu dha Greqisë, një pjesë e madhe iu bashkëngjit Serbisë e Malit të Zi, po ashtu edhe një pjesë, si Ohri, iu dha Maqedonisë. Të mos e lë pa përmendur edhe detin, ku akoma nuk dihet se si qëndron puna.

Dhe ja, së fundmi, është shtruar sërish një problem i demarkacionit të kufirit, kësaj radhe me Malin e Zi, ku bëhet fjalë për një hapësirë të madhe prej disa mijëra hektarësh tokë. Në vitet e fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli të gjithë në Ballkan u treguan të kujdesshëm ndaj demarkacionit: çdokush luftoi që asnjë pëllëmbë të mos ia dhurojë tjetrit, përpos shqiptarëve. E shqiptarët të gjitha koncesionet i bënë me parullat “ne nuk do të lejojmë copëtimin e tokave shqiptare, ne do të luftojmë për tokat tona”. Do të ishte më e qëlluar sikur shprehjen “do të luftojmë për tokat tona”, ta ndalonim së përkthyeri në fjalorin e përgjithshëm e të mos lejonim kurrsesi që të përkthehet në kuptimin e vërtetë, por si “ne do të luftojmë për t’i dhënë tokat tona”, sepse veprimet dhe koncesionet tona të deritanishme flasin në favor të kësaj të fundit.

Kjo mënyrë e veprimit dhe vendimmarrjes, që bëhet në emër të shqiptarëve, është tepër përçmuese dhe këtu nuk po futem në atë se si “zgërdhihen” politikanët tanë kur dalin jashtë vendit, por edhe brenda, por sidomos ky sharlatanizmi i madh patriotik i kryeministrit ose presidentit që për një sekondë i fshin të gjitha nevojat, kërkesat, dhembjet tona, ngaqë na është bërë padrejtësi e madhe në ekonomi, në hapësirën tonë tokësore e të mos flas për politikën e jashtme.

Për momentin ne jemi bërë “të mirë” për të tjerët vetëm për arsye se i pranojmë kërkesat e të tjerëve që vendi ynë të mos jetë vendi ynë, toka jonë të mos jetë toka jonë, ne të mos jemi tanët. Ku?!? Urdhëroni tregoni ku jemi ne vetja jonë? Në Luftën e Parë Botërore lejuam që të mashtrohemi dhe u detyruam ta pranojmë mashtrimin. Po ashtu edhe në Luftën e Dytë Botërore ndodhi e njëjta gjë. Ja edhe kjo “demokraci” djallëzore erdhi dhe Shqipëria u bë edhe më keq se në periudhën e Enver Hoxhës, ndërsa Kosova u bë më keq se në kohën e Titos. Punë e madhe të kesh pasaportë e të kesh flamuj gjithandej: atje ku nuk ka mëvetësi, pavarësi, asgjë nuk është me rëndësi, përpos mashtrim dhe keqpërdorim i institucionit dhe asaj të thuash se ke shtet dhe se i takon një shteti. Vetëm ne shqiptarët jemi të pambrojtur jashtë vendit tonë dhe të gjithë janë të bindur se shteti jonë nuk ka mundësi t’u bëjë asgjë atyre. Ja, për shembull, kush është Mali i Zi të tallet kësisoj me popullin e Kosovës, me popullin shqiptar? Jo vetëm që nuk mund të interesohet politika “shqiptare”, por më falni, të interesohemi ne, të mashtruarit, sepse nuk kemi më të drejtë të themi se na mashtrojnë politikanët tanë, ngaqë e dimë që ata janë mashtrues, por as nuk kemi të drejtë ta hapim gojën, të flasim se kjo tokë në mënyrë biologjike është tokë e këtij vendi dhe e këtij populli. Më lejoni t’ju çmend edhe më tepër, duke përdorur një fjalor krejtësisht tjetër që tregon se sa “të mëdhenj” jemi ne: njerëzit e kulturuar, njerëzit e qytetëruar, nuk merren me punët e tokës; është turp në këtë kohë akoma të luftojmë për tokë. Kështu ne do të flasim pasi të na e marrë tokën Mali i Zi.

Para se të filloja t’i shkruaj këta rreshta, u futa në Wikipedia dhe i pashë disa harta gjeografike të shqiptarëve: o Zot, ç’të shoh, vazhdimisht hapësira me mijëra hektarë u janë uzurpuar e grabitur shqiptarëve, me “lejen” e shqiptarëve dhe për hatër të “faktorit ndërkombëtar”. Ka disa gjëra që nuk lejojnë hatër, pa marrë parasysh se cila fuqi ka qenë, është dhe do të jetë në botë. E di se ky mendim është vetëm mendim i mendimtarëve të lirë, por t’ua them të drejtën ky është mendim i mendimtarëve, intelektualëve grekë, serbë, bullgarë, kroatë, sllovenë e kështu me radhë: ata nuk japin tokë. Ja e shohim se si sillet Greqia me Maqedoninë: e detyroi atë ta ndryshojë flamurin, e fton të jetë e kujdesshme me toponimet dhe me figurat historike që i përkasin trashëgimisë historike greke. E shohim, po ashtu, se si Sllovenia dhe Kroacia e kanë angazhuar faktorin ndërkombëtar për çështjen e “demarkacionit” të tyre. E ne, ç’të themi për ne?!? Asnjëherë nuk përputhet ajo që thuhet zyrtarisht me realitetin, sepse gjithmonë në fund mbetemi me gisht në gojë.

Kjo do të thotë se për ne e kaluara nuk është bërë “shkollë”, pavarësisht se a është dashur të jetë shkollë apo jo. Për shembull, me vite shkruhet e përshkruhet se Perandoria Osmane është fajtore për gjithçka të keqe që ka rënë mbi shqiptarët, por ja që ka kohë që Perandoria Osmane nuk është dhe nuk do të jetë më e as që ka nevojë të jetë më ajo. (A thua i gjithë ky mllef, vrer dhe urrejtje ndaj asaj perandorie, ngaqë gjatë periudhës së pranisë së saj në këto vise trojet tona shqiptare ishin të pacopëtuara?!?). Por, si është e mundur që kjo mendësi të mos bëhet shkollë edhe në kohën tonë? Ne akoma sillemi thuajse jemi nën sundimin e Perandorisë Osmane e, në anën tjetër, jemi duke e humbur vetveten, duke e shkatërruar vetveten me lëvizjet tona sekrete, duke filluar që nga ajo e Lëvizjes së Prizrenit e deri te UÇK-ja e historisë më të re, që nuk ka dhënë rezultatet e duhura, përpos një shkolle pa shkollë, një diplomacie pa diplomaci. Me këtë nuk them se Lidhja e Prizrenit ka qenë kot, jo, por edhe ajo është keqpërdorur nga intelektualët, e të mos flas për politikën shqiptare. Një kohë të gjatë as Shqipëria nuk e ka konsideruar Lidhjen e Prizrenit si fuqi për një rilindje kombëtare shqiptare.

Prandaj, për ne është e domosdoshme të mendojmë mirë dhe që tani të përgatitemi se nuk ka mashtrues të tjerë që na mashtrojnë neve, përpos se ne vetë dëshirojmë të mashtrohemi. Një ndër mashtrimet e këtilla është edhe demarkacioni me Malin e Zi. Nëse mendoni se politika shqiptare kosovare dhe ajo e Shqipërisë do të bëjnë diçka, vetëm mashtroheni. E që të mos jemi të mashtruar dhe të mos na kaplojë sëmundja e mashtrimit, nuk na mbetet asgjë, përpos që të pajtohemi me atë që ne sërish DO TË MASHTROHEMI.

P.S.:

Mos u frikësoni nga gjerësia e trojeve tona nga koha e Perandorisë Osmane!

444

 

Postime të Ngjajshme