` . Demarkacioni nga “perspektiva e miut” - TV SHENJA

Demarkacioni nga “perspektiva e miut”

Sot na del punë me Veriun e Mitrovicës, në kufirin me Malin e Zi, me Gjykatën Ndërkombëtare, me demokracinë e me ideologjinë e “radikalizmit islam”. Shteti më pro-amerikan ka më së shumti ushtarë në Siri për kokë banori në rajon, por edhe më gjerë. Kjo ka një arsye: duket se çmimi që shtetin e bëjmë në bashkëpunim me të huajt që janë po aq desparadosa, injorantë dhe hajdutë sa edhe disa funksionarë tanë, duhet të paguhet.

Shkruan: Rizvan Sulejmani, Shkup

Kuvendi i Kosovës sërish tymoset. Në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi. Opozita kundërshton dhe akuzon Qeverinë, se i ka dhënë mbi 8.000 hektarë tokë të Kosovës, Malit të Zi. Në anën tjetër, kryeministri Mustafa kategorisht e kundërshton këtë, me arsyetimin se nuk i është dhënë asnjë metër tokë Kosove shtetit fqinj, por nuk dihet sa është i sinqertë.

Dihet se një nga kushtet për heqjen e vizave kosovarëve është pikërisht ratifikimi i kësaj marrëveshje. Për të liberalizimi i vizave duhet të jetë leva kryesorë, që do ta përdorte ajo në zgjedhjet e ardhshme, qofshin të rregullta qofshin të parakohshme. Parashikimet janë se kjo mund t’i sjellë vota kur e dimë se Kosova ka shumë diasporë. Në kalkulimet politike, a “liberalizimi i vizave” a “toka e Kosovës”, opinioni është ndarë në pro et contra, secili me arsyetimet e veta. Përkrahësit e ratifikimit thonë se tokat për të cilat bëhet fjalë nuk kanë kurrfarë vlere, se janë disa male dhe kodra, ku askush nuk jeton, bile se nuk ka të bëjë vërtet për ndonjë territor serioz, por për disa livadhe të Ramush Haradinajt. Ata që janë kundër thonë se, megjithatë, janë në pyetje kullota shumë të mira për blegtori, por më e rëndësishmja, aty gjenden burime të ujit, që Kosova edhe ashtu i ka shumë të pakta. Ujërat, që Kosova i shfrytëzon për momentin, gati të gjitha burimet janë në territore që janë të populluara me popullatë serbe. Ata që mbrojnë ratifikimin argumentimit për ujëra i përgjigjen me arsyetimin se bëhet fjalë për disa përroska dhe se ujin kush s’mund ta ndalë: ai edhe ashtu rrjedhë në rrjedhën e vet.

Pa marrë parasysh se për çfarë toke bëhet fjalë dhe për çfarë sasie të ujit, kosovarët duhet ta dinë se uji në vitet në vijim pritet të jetë resurs strategjik dhe jorastësisht lufta ndërmjet Izraelit me arabëve në esencë është luftë për kontroll të burimit të ujit. Pretenduesit se kjo tokë është e pavlerë duhet t´ia parashtrojnë vetes pyetjen se pse Mali i Zi nuk ia falë ato toka Kosovës, pasi edhe ashtu nuk paskan vlerë? Ndërkohë, çdo ditë e më tepër promovohen ekspertë e profesorë me lloj-lloj hartash topografike të Kosovës, të Serbisë e të KFOR-it, për të dhënë arsyetime pro dhe kundër.

Hashim Thaçi, Hasha, siç preferojnë ta quajnë përkrahësit e tij, si gjithmonë pro-amerikan, nuk i njeh hartat tjera, përveç të KFOR-it. Për më tepër ai dëshiron ta ratifikojë marrëveshjen, sepse atë e kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht amerikanët. Mali i Zi u duhet shpejt të bëhet anëtar i NATO-s, sepse Rusia pret çdo moment për t’u rikthyer në Ballkan dhe ky vend i duhet sa për të pasur një vend pushimi, qoftë për rekreacion qoftë për ushtri në detin e nxehtë të Adriatikut. Në këtë atmosferë ambasadori amerikan, si gjithmonë, bën kërdi me presione, kërcënime, bile edhe ofendime për ata që nuk e përkrahin këtë marrëveshje. Fundja, “miku i madh” i Kosovës, Joe Biden, dha porosi të qartë, pas “nejës së gjatë familjare”, që e bëri në regjion, veçanërisht më Kosovë më 17 gusht.

Pa marrë parasysh a ishte në vizitë zyrtare ose private, në kohën kur valixhet i ka paketuar për të lënë funksionin, gjeti kohë për shumëkënd, por jo edhe për opozitën që është kundër demarkacionit. Për këtë gjest të tij opozita e akuzoi se ai është kundër demokracisë. Kosova është në udhëkryq, siç do të deklarojë presidenti Hashim Thaçi, në fjalimin që ia drejtoi kombit. Ajo duhet të vendosë ndërmjet integrimit dhe izolimit.

Po, ajo ka probleme, por jo prej sot. Nëse pak më me kujdes e shikon gjenezën e problemit, nuk sheh gjë tjetër, përveç analfabetizmin, injorancën e neglizhencën e shqiptarëve, në momentet vendimtare për vendin. Në euforinë e pas-luftës, komandantët tanë, duke qenë injorantë e të paditur, së paku një pjesë e mirë e tyre, nënshkruan çdo lloj letre e dokumenti, pa u menduar fare për të nesërmen. Puna e parë e tyre nuk ishte as rregullimi i kufijve, as rregullimi i shtetit dhe as ardhmja e vendit. Ata, pa menduar për të nesërmen, u hodhën në zaptim dhe grabitje të pasurive të tundshme dhe të patundshme dhe pozicionimi për një pushtet të ardhshëm, bile duke eliminuar edhe kundërshtarët e tyre politikë. Sot na del punë me Veriun e Mitrovicës, në kufirin me Malin e Zi, me Gjykatën Ndërkombëtare, me demokracinë e me ideologjinë e “radikalizmit islam”. Shteti më pro-amerikan ka më së shumti ushtarë në Siri për kokë banori në rajon, por edhe më gjerë. Kjo ka një arsye: duket se çmimi që shtetin e bëjmë në bashkëpunim me të huajt që janë po aq desparadosa, injorantë dhe hajdutë sa edhe disa funksionarë tanë, duhet të paguhet.

Inteligjenca që bëri diploma nëpër podrume, i bleu nëpër kioska, e disave bile ua sollën edhe në shtëpi, na prodhon dardha të shtrembra. Ata sot përbëjnë ajkën e elitës sonë kudo, në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni. Kjo elitë sillet me konop e tërkuzë në dorë, sa për të zaptuar tokat e mbetura publike, aq edhe për të matur kufijtë e shtetit që nuk u ka mbetur, veç sa për të shtrirë këmbët e veta: jep tokë, në njërën anë, Serbisë, jep tokë në anën tjetër Malit të Zi, bën enklava nëpër gjithë territorin për të ruajtur kolltukët e pozicionet, kurse popullit ia shet se e bën për kooperim e fqinjësi të mirë. I këndon demokracisë, por bën hajninë, flet për Perëndim, por prodhon ushtarë për Lindje, angazhohet për modernizim, bën prostitucion, premton zhvillim, bën krim. Kjo është e sotmja jonë. Por çka është e ardhmja?

Fridmani flet për Globalizimin e 3-të, që botën e ka bërë të vockël, kurse fushën e lojës të rrafshët. Kjo botë e re jep shumë mundësi, por edhe shumë konkurrencë. Në këtë lloj globalizimi aktorë kryesorë nuk janë shtetet, si në Globalizimin e 1-rë, as kompanitë ndërkombëtare si në Globalizimin e 2-të, por mundësia e individëve për bashkëpunim që kanë aftësi të lidhen dhe bashkëkrijojnë.

Rastet e veçanta, si Rita Ora, Dua Lipa, por edhe Majlinda Kelmendi e shumë futbollistë, janë një shembull për avantazhet e këtij globalizimi të 3-të. Si individ, po, jemi gjithkund, por si shtet, si komb, s´jemi askund. Trashëgimia për gjeneratat e ardhshme të një populli nuk janë as paratë, as pasuritë e tundshme dhe të patundshme, por inovacionet. Vetëm inovacionet janë pasuri që do t’i shfrytëzojnë gjeneratat e ardhshme. Ne si gjeneratë duhet t’i zbulojmë, kurse gjenerata e ardhshme duhet t’i vërë në zbatim dhe prej saj të përfitojnë. Paramendoni se çka do të trashëgojnë gjeneratat tona të ardhshme: inovacione në trafikim droge, prostitucion dhe manipulim e krim. Çfarë përfitimi i pret ata?! Nuk guxoj as të mendoj, sepse më duket e tmerrshme. Prandaj menjëherë parashtrohet pyetja: pse na ndodhë kjo dhe si të dilet prej kësaj situate? Për të parë se ku jemi, duhet të shihen gjërat nga “perspektive e zogut”. Çka nënkupton kjo? Në gjeometrinë deskriptive një pozicion i paraqitjes së trupave në hapësirë njihet si “perspektiva e zogut”. Ajo do të thotë t’i shohësh gjërat prej lart, në hapësirë, në më tepër dimensione. Atëherë mund të kesh shikim më të plotë të trupave në tërësinë e tyre. Si i shohim ne gjërat? Në “perspektivën e miut”. Çka nënkupton kjo? Një ditë në bashkëbisedim me studentët e mi për këto perspektiva, njeri prej tyre më ndërpreu, duke më thënë: “Duhet një ditë të vini në Poroj. Poroj është një fshat shumë afër Tetovës, që për shqiptarët e Maqedonisë është pothuajse legjendar. Atje u themelua partia e parë politike shqiptare në Maqedoni, atje u themelua universiteti i parë shqiptarë në Maqedoni, atje dolën edhe shumë ushtarë të UÇK-së në vitin 2001 gjatë konfliktit të armatosur. Aty jetojnë një numër i madh i profesorëve që sot ligjërojnë në Universitetin e Tetovës dhe gjetiu. Duhet të vini dhe ta shihni se nga hynë e nga dalin gjysma e inteligjencës shqiptare në Maqedoni”, më tha studenti. Se a është gjysma e inteligjencës shqiptare, kjo është pikëpyetje, porse jetojnë një numër i madh i profesorëve, funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të jetës publike, kjo është e vërtetë. Gjithë ata për të arritur në qytet, në Tetovë, duhet për çdo ditë, nga dy herë, të kalojnë një rrugicë të ngushtë njëkahëshe, që ka vend vetëm sa për një makinë: nëse njeri nuk ndalet në fillim, tjetri nuk kalon dot; nëse ndodhë që të dy jenë kokëfortë, aty mbeten dhe nuk kalojnë me orë. “Nga cila perspektivë e shohin të ardhmen këta kolegë tu dhe nuk ndërmarrin asgjë?”, më pyeti studenti. Kjo ma kujtoi përshkrimin e një ekonomisti nga India, Amartya Sen, profesor në Universitetin e Harvardit, kur shpjegonte se: “Muri i Berlinit nuk ishte vetëm një simbol që i mbante njerëzit brenda Gjermanisë Lindore – ai ishte një mënyrë për të ndaluar njerëzit të kenë një shikim global për botën si tërësi”. Pastaj ai do ta vazhdojë sqarimin duke e përdorur shembullin e një bretkose që ka lindur në një pus dhe tërë jetën e kalon në pus. “Ai është një shikim për botën që përbëhet prej pusit”, që të shtojë: “Kështu dukej bota për shumë njerëz në planet përderisa muri nuk u rrënua. Kur ai ra, ajo ishte sikur bretkosën e bunarit ta nxjerrësh nga pusi, me ç’rast ajo filloi të komunikojë me bretkosat e bunarëve të tjerë: Mësimet më të mëdha mund të merren prej të tjerëve jashtë kufijve” (Thomas L. Friedman,  “The World Is Flat – A Riel Histori Of The Twenty – First – Century”, America,2005, faq. 51.)

Nëse do të vazhdojmë me këtë logjikë, duket se perspektiva që ua ofrojmë ne juve është perspektiva e miut, iu përgjigja. Ajo është perspektivë që na bën të mendojmë se duhet të ecim nëpër korridore të ngushta, të errëta, nën tokë. Kjo është lufta e mbijetesës, pa bërë përpjekje për të ndryshuar asgjë. Ardhmëria është atje diku në skaj, larg civilizimit. Kur sot ballafaqohemi me të gjitha këto që ndodhin ndër shqiptarët, përfshirë edhe problemin e demarkacionit, pa hyrë në detaje se kush si, e ku, sa humbi e sa fitoi, më mbetet veçse të konstatoj se kjo është si rezultat i elitës sonë që botën e shikon nga “perspektiva e miut”.

Fëmijërinë dhe formimin e kanë bërë nëpër fshatra me sokakë të ngushtë, në diasporë kanë ecur rrugëve të errëta, kanë jetuar dhe vepruar nga nëntoka, të bukurën e Evropës e kanë parë vetëm kur kanë shkuar dhe kur kanë ardhur. Kjo ka lënë pasoja të pariparueshme. Sot ata janë në maje të përgjegjësisë, por këndvështrimi i tyre nuk ka ndryshuar. Ata struken para ndërkombëtarëve, duke i parë si Zot, sepse ata ua garantojnë mbijetesën politike. Zhyten nën tokë kur duhet të çojnë kokën, nuk kanë vizion për ardhmërinë, çlirimin e quajnë për liri, ndërsa e mira e përgjithshme është e barabartë me të mirën time personale. Më keqja është se këtë pikëpamje të tyre ato e imponojnë edhe te të tjerët dhe gjeneratat e ardhshme.

Çka mund të bëjmë? Duhet të dalim prej pusi dhe prej perspektivës së tij dhe duhet t’i braktisim labirintet e ngushta të miut. Duhet të ngrihemi në “perspektivën e zogut”, t’i shohim sendet më gjerë e më larg. Bota ndryshon çdo ditë, kurse ne nuk jemi të vetëdijshëm për të. Pasi u mundova që botën tonë të mikroproblemeve ta vendos në dioptrinë e madhe të globalizimit që e projekton Fridmani, besoj se porosia e tij për fëmijët e vet vlen edhe për fëmijët tanë. Në kohën time, thotë ai, prindërit më qortonin “Tom, haje ushqimin tënd, njerëzit në Indi dhe Kinë vdesin për bukë”, ndërsa tani unë u them atyre: “Vajza, bëni detyrat e shtëpisë, sepse njerëzit në Indi dhe Kinë vdesin për punën tuaj”. Kjo gjithsesi se vlen edhe për ne, por nga konteksti i problemit që e trajtojmë vetëm duhet të shtojmë: “Njerëz ruani kufijtë tuaj, sepse popujt përreth vdesin për tokat tuaja”. Demarkacioni është shndërruar në problem, ngase njerëzit që na e krijojnë ardhmërinë gjërat i shohin nga “perspektiva e miut”.

Postime të Ngjajshme