` . Del në opinion dëshmia e Kamçevit (Video) - TV-SHENJA

Del në opinion dëshmia e Kamçevit (Video)

Prokuroria publike ka dënuar ashpër publikimin e dokumenteve nga hetimi në rastin “Zhvatja” në disa media online. Prokuroria e Villma Ruskovskës ka kujtuar se ligji ndalon rreptësisht dëmtimin e procedurës hetimore dhe kërcënimin e jetës së dëshmitarëve, gjë që është bërë me publikimin e asaj që e kanë rrëfyer brenda dyerve të prokurorisë. Siç thotë prokuroria në kumtesën me shkrim, dokumentet e siguruara në mënyrë ilegale kërcënojnë edhe hetimin edhe jetët e dëshmitarëve.

PROKURORIA PËR LUFTIMIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR

“Me publikimin e dokumenteve të tilla cënohet prezumimi i pafajësisë. Kërcënohen jetët e personave të përfshirë dhe në përgjithësi, vështirësohet procedura hetimore. Në interes të zhvillimit të mëtutjeshëm të papenguar të hetimit, do të ndërmarrim veprime për të konstatuar gjendjen faktike, dhe për ta verifikuar se si këto dokumente kanë dalë në opinion, dhe do të kërkojmë përgjegjësi prej autorëve”

Sipas Prokurorisë për luftimin e krimit të organizuar, këto dokumente nuk janë asgjë përveç senzacionit momental dhe janë lëshuar për arritjen e ndonjë qëllimi tjetër.

PROKURORIA PËR LUFTIMIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR

“Prokuroria thekson se burimet e tilla të papërgjegjshme të informacionit dhe mediat që kanë qëllime të kufizuara, nuk do të mund të ndikojnë në vendosshmërinë e prokurorisë për ti dhënë një epilog gjithëpërfshirës këtij rasti. Kjo më tepër për faktin se pas epilogut të kësaj lënde qëndron energjia dhe përkushtimi i të gjithë prokurorisë që është e vendosur për ta arsyetuar emrin e saj dhe për tia ndalë rrugën korrupsionit”

Prokuroria për luftimin e krimit të organizuar ka theksuar se prej kur ka filluar hetimin për këtë rast ka tentuar të jetë maksimalisht transparente por duke pasur kujdes që të mos e dëmtojë procesin hetimor. Prokuroria e Villma Ruskovskës kërkoi nga mediat që të shfrytëzojnë vetëm informacionet  zyrtare që dalin nga kjo prokurori si burim i besueshëm i informacionit, për shkak të ndjeshmërisë së lartë të lëndës. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/