` . Daut Dauti: Sulmi ndaj lëvizjeve të reja, retorikë pro sllave - TV-SHENJA

Daut Dauti: Sulmi ndaj lëvizjeve të reja, retorikë pro sllave

“Leximi më i mirë i rritjes së VV është fakti se qytetari dhe votuesi më nuk e sheh këtë parti ashtu siç e paraqiste propaganda e partive në pushtet me mediat e saja. Janë thyer shumë barriera dhe ky fakt ka domethënie të madhe në të ardhmen politike të Kosovës e cila gjë do të ndikoj edhe të partitë shqiptare në Maqedoni dhe Shqipëri”, thotë Dauti.

Intervistoi: Ismail SINANI

Daut Dauti është ndër emrat më të njohur të publicistikës shqiptare të Kosovës, por jo vetëm, si dhe një studiues i arkivave britanike për çështjen shqiptare, për çka dëshmojnë një mori veprash që kanë buruar nga dora e tij. Ai ka vite që jeton në Londër. Si njohës i mirë i rrethanave globale e të reflektuara në mjedisin shqiptar, në këtë raste atë të Kosovës, ai në këtë intervistë flet me gjuhë mjaftueshëm analitike dhe të thuktë për zhvillimet e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ndërsa na sjell edhe informacione të rëndësishme për zhvillimet europiane, në veçanti për ato që ndodhin në Britani të Madhe.

SHENJA: I nderuar, z. Dauti, brenda një muaji koincidoi të ketë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë dhe Britani të Madhe. Në këto zgjedhje, Partia Laburiste shënoi rritje për 34 ulëse gjithsej 266, kurse konservatorët pësuan rënie për 15 ulëse, gjithsej 314. Shumë analistë këtë rezultat e komentuan në favor të laburistëve duke e quajtur atë si alternativë serioze politike pas kaq vitesh në Britani. Për lexuesin shqiptar, nga këndi i juaj, si e shpjegoni ngritjen e Laburistëve dhe rënien e Konservatorëve?

D. DAUTI: Karakteristika themelore e zgjedhjeve të fundit që u mbajtën në Britani të Madhe është pjesëmarrja e lartë e votuesve. Mesatarisht, në nivel qendror, 70 % të votuesve dolën në këto zgjedhje për të përkrahur opsionet politike që i ofruan partitë në këtë shtet. Në disa zona elektorale aq masive sa që është arritur shifra 80 %.

Karakteristikë tjetër e zgjedhjeve në Britani të Madhe është se ato gjithmonë janë të qeta. Reklamat partiake, të cilat në Ballkan ose diku tjetër janë agresive dhe monotone, në Britani të Madhe mezi vërehen. Në këtë shtet zgjedhjet janë aq të qeta, saqë nëse qëlloni të painteresuar mund edhe të mos i vëreni kur ato ndodhin. Partitë politike britanike kanë themeluar një mënyrë efikase për komunikim me votuesit, që është e vjetër me shekuj.

Dalja masive e votuesve në këto zgjedhje është bërë për dy arsye: arsyeja e parë është politika e brendshme, kurse e dyta ajo e jashtme ose qëndrimi britanik ndaj Unionit Evropian. Nën udhëheqjen e Jeremy Corbyin-it laburistët kanë përpiluar një program i cili u tregua shumë tërheqës për qytetarët, sidomos për të rinjtë të cilët dominuan në votime. Programi i laburistëve ofroi “dalje të butë” nga Unioni Evropian dhe premtoi përmirësimin e gjendjes sociale, e cila është dëmtuar mjaft nga qeveria konservatore e David Cameron-it dhe e Theresa May-it. Masat e konservatorëve për të krijuar buxhet efikas e kanë goditur rëndë shtresën e mesme dhe sidomos atë të ulët. Në plan afatgjatë, pas daljes nga Unioni Evropian, por duke i ruajtur lidhjet e rëndësishme ekonomike, laburistët planifikojnë ngritjen e ekonomisë, duke i nacionalizuar ndërmarrjet e mëdha publike, të cilat qenë privatizuar gjatë qeverisjes konservatore të Margaret Thatcher-it. Pra, Jeremy Corby planifikon largimin e Partisë Laburiste nga qendra ku e kishte vendosur Toni Blair dhe kthimin e saj në të majtë, aty ku ka qenë për një kohë të gjatë. Laburistët nuk i fituan këto zgjedhje, por e përmirësuan dukshëm fuqinë e tyre në parlament. Nëse laburistët vazhdojnë me këtë trend, duket që e kanë të sigurt fitoren në zgjedhjet e ardhshme.

SHENJA: Ngjashëm si në Britani, edhe në Kosovë, kemi një ndryshim të theksuar të skemës politike. Partia politike Lëvizja Vetëvendosje!, e cila për nga programi dhe orientimi është e ngjashme me partinë e Jeremy Corbyn-it, i dyfishoi ulëset në parlamentin e Kosovës. Si e shpjegoni rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër kritikave që iu adresuan asaj për përdorimin e gasit dhe bllokimin e demarkacionit dhe themelimit të Bashkësisë së Komunave Serbe?

D. DAUTI: Zgjedhjet gjithmonë janë rast për të analizuar situatën politike në vend. Karakteristika e përbashkët e zgjedhjeve britanike dhe atyre në Kosovë është se u shpallën të parakohshme nga partitë në pushtet, të cilat shpresuan se do ta zgjeronin fuqinë, por ndodhi e kundërta. Të gjitha pikat e tjera shprehin dallime të mëdha. Karakteristika themelore e zgjedhjeve në Kosovë, përkundër asaj në Britani të Madhe, është pjesëmarrja e ulët e votuesve. Në Kosovë më shumë se gjysma e tyre nuk dalin për të votuar dhe kjo duhet të jetë brengë serioze për gjendjen e shoqërisë. Në kushte normale, kjo mungesë tregon mosinteresimin e qytetarit për të ardhmen e tij. Me fjalë tjera, në këtë rast, qytetari i Kosovës ka abstenuar së votuari për shkak se nuk është i interesuar për gjendjen e rëndë të ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe nuk merakoset as për çmimin e energjisë, ushqimit, rrogat, sigurinë, etj.

Por, mosdalja për të votuar në Kosovë ka tjetër shpjegim. Abstenuesit janë të dëshpëruar me politikën e cila është zhvilluar që nga viti 1999. Në shënjestër të fajësimit qëndrojnë tri parti (PDK, LDK dhe AAK), të cilat kontribuuan në keqësimin e gjendjes e jo në përmirësimin e saj, ashtu siç kërkohej. Abstenuesit nuk treguan sa duhet gatishmëri për “t’i dënuar” këto parti e as “zemërgjerësi” për “ta shpërblyer” Lëvizjen Vetëvendosje!, siç bënë shumica e atyre që dolën në votime. Duket se kësaj pjese të votuesve u duhet edhe pak kohë për ta formësuar vetëdijen dhe guximin e tyre qytetar.

Megjithatë, ata që dolën në zgjedhje e ndërruan pamjen e skenës politike dhe shënuan revolucion në mënyrën e të menduarit dhe të vlerësuarit politik. Aktiviteti politik i VV-së gjatë viteve të fundit ka qenë shumë i zëshëm dhe për disa kritikë ka qenë edhe agresiv. Sidoqoftë, VV-ja në mënyrë mjaft origjinale ka arritur ta përçojë mesazhin e saj te votuesi dhe të krijojë efektin e dëshiruar. Fushata parazgjedhore e VV-së ka qenë aq bukur e organizuar, saqë lirisht mund të cilësohet si diçka që do t’ia kishin lakmi shumë parti evropiane. Kritikat kundër VV-së, në fakt, kanë qenë të orkestruara nga eksponentë të pushtetit, të cilat i përkrahte edhe një numër mjaft i madh i medias që e ka humbur pavarësinë dhe është shndërruar në mjet të propagandës pro-qeveritare. Por, VV-ja arriti të shfrytëzojë plot forma tjera të komunikimit me të cilat e tejkaloi këtë pengesë.

Programi politik i VV-së ishte më i miri ose i vetmi që kishte vlerë në “tregun” politik të këtyre zgjedhjeve. Mënyra e prezantimit të programit po ashtu ishte për lëvdatë. Ky program, të cilin VV-ja e ka cilësuar si social-demokrat evropian, ka shumë ngjashmëri me atë të laburistëve britanikë dhe ky fakt duhet të merret si çelësi i suksesit që këto dy parti e shënuan në këto zgjedhje. Duhet theksuar se ngjashmëritë e dy programeve shihen në shumë fusha, sidomos në qëndrimin e tyre ndaj çështjeve sociale, shëndetësisë, arsimit dhe, veçanërisht, ndaj statusit të ndërmarrjeve të mëdha që dikur kanë qenë në pronësi publike.

SHENJA: Rritja e Lëvizjes Vetëvendosje! a mund të lexohet si një “Jo” e qytetarëve ndaj demarkacionit, gjegjësisht liberalizimit të vizave dhe formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe?

D. DAUTI: Këto tri raste të rënda i shërbyen VV-së për t’i konsoliduar dhe shpeshtuar kritikat kundër qeverisë së Isa Mustafës ose koalicionit PDK-LDK. Këto ishin raste të cilat i senzibilizuan shumë ndjenjat e qytetarëve. Demarkacioni dhe formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është punë territori dhe, si e tillë, karakteristikë themelore e sovranitetit shtetëror. Qytetari shprehu interesim të madh për këto dy çështje. Qeveria, së cilës i ndihmuan një numër i madh i mediave, doli sikur që falë tokat e Kosovës pa u bërë aspak merak për këtë punë.

Në këtë aspekt duhet konsideruar se qytetarët e refuzuan këtë lloj qeverisjeje, por njëkohësisht duke ia besuar këtë punë VV-së. Por, leximi më i mirë i rritjes së VV është fakti se qytetari dhe votuesi nuk e sheh më këtë parti ashtu siç e paraqiste propaganda e partive në pushtet me mediat e saja. Janë thyer shumë barriera dhe ky fakt ka domethënie të madhe në të ardhmen politike të Kosovës, gjë që do të ndikojë edhe të partitë shqiptare në Maqedoni dhe Shqipëri.

SHENJA: Partitë politike brenda koalicioneve PAN dhe LAA u ndëshkuan qartë nga votuesit e tyre. Pas kësaj rënie a mund të parashikoni reformim apo revitalizim të tyre, gjegjësisht të PDK-së dhe LDK-së?

D. DAUTI: Nga këto zgjedhje duhet konkluduar se votuesi i Kosovës më nuk voton për partinë vetëm për shkak se ajo e ka shpallë veten si meritore e çlirimit të Kosovës, sikur që më nuk voton as për shkak të pretendimit se një parti dikur në të kaluarën ka pasur një personalitet të rëndësishëm. Për shumë votues, sidomos për ata që kanë lindur pas vitit 1997, filozofia politike e “luftës” dhe e “paqes” paraqet shterpësi absurde. Tashti votuesi ka vërtetuar se është i interesuar për jetën e tij të sotme, për gjendjen e tashme dhe të ardhmen e Kosovës.

E vetmja parti politike që në këtë fushatë nuk u mor me gjepura të së kaluarës ishte Vetëvendosja. Në fakt Vetëvendosja është partia e vetme në Kosovë, e cila dëshiron të vijë në pushtet për të qeverisur me organet shtetërore dhe për t’i rregulluar gabimet e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme evropiane të Kosovës. Kjo gjë nuk kaloi pa u e vërejtur nga votuesit.

LDK, PDK dhe AAK janë parti të cilat shihen si bartëse të korrupsionit. PDK-ja, por edhe AAK-ja, e kanë edhe më keq pasi që në sytë e shumë qytetarëve shihen edhe si përgjegjëse për dhunë dhe fajtore për vrasje politike që kanë ndodhur në Kosovë pas luftës. Udhëheqësit e këtyre dy partive mund t’i mbyllin sytë para këtij realiteti, por do të vazhdojnë të jetojnë me një gur të rëndë që e kanë varur vetë në qafë dhe për shkak të të cilit do të fundosen një ditë. LDK-ja nuk mund të akuzohet për dhunë, por për korrupsion nuk ua ka lëshuar kurrë udhën dy partive të tjera. Madje, në shumë raste edhe i kanë koordinuar veprimet e përbashkëta korruptive. Këto janë gjëra që i di gjithkush.

Tashti, nëse këto parti dëshirojnë të mbijetojnë, ato duhet të reformohen. Unë nuk shoh që ato kanë forcë e as gatishmëri për ta bërë këtë veprim shpëtimi në ndonjë afat të shkurtër. Këto parti, në fakt, janë grupime të interesave të ndryshme e jo parti të mirëfillta. U mungon kohezioni politik dhe mekanizmi që e vë në lëvizje partinë moderne evropiane. Për këtë shkak e kanë të vështirë reformimin. Gjendja e tyre e rëndë është lajm i mirë për Vetëvendosjen.

SHENJA: Sipas mandateve që rezultuan nga zgjedhjet e 11 qershorit, si e shihni formimin e qeverisë se ardhme në Kosovë, kur dihet se mandati për formim të qeverisë do t’i jepet PAN-it, ndërsa paralajmërimet e koalicionit LAA dhe VV-së është se nuk do pranojnë qeveri me PDK-në? A mendoni se është i mundur edhe një herë koalicioni PDK-LDK apo përfundimisht do ta shohim Albin Kurtin kryeministër të Kosovës?

D. DAUTI: PAN-i e ka të drejtën e formimit të qeverisë, por si duket nuk e ka edhe mundësinë. Qeveria më efikase dhe më e mirëpritur në popull do të ishte ajo që do ta krijonte VV-ja me koalicionin LAA, të udhëhequr nga Albin Kurti. Duke llogaritur në faktin se partitë politike të Kosovës funksionojnë pa parime politike dhe ideologike, por tërësisht mbi baza personale dhe grupore, nuk duhet të habitemi nëse krijohet një qeveri pa pjesëmarrje të VV-së. Ekziston edhe mundësia e përsëritjes së zgjedhjeve. Nga çdo anë që e shikoni këtë situatë do të vëreni se ajo është në favor të VV-së. Madje, VV-ja do të forcohet edhe nëse mbetet në opozitë. Çdo qeveri pa VV-në do të shihet si vazhdim i një qeverisje siç e kemi parë deri tash: e korruptuar dhe e papërkrahur nga popullsia e gjerë.

SHENJA: A mund të na numëroni në disa pika përmbledhëse se cilat do të ishin prioritetet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës?

D. DAUTI: Prioritet i çdo qeverie të ardhshme do të duhej të ishte zgjidhja e problemeve të shumta që e kanë krijuar krizën ekzistuese politike. Problemet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë janë mundësimi i funksionimit të prokurorisë dhe gjykatave, demarkacioni me Malin e Zi dhe çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe. Të gjitha këto janë rezultat i keqqeverisjes që është bërë deri sot. Një qeveri që do të funksiononte brenda ligjit dhe e shtyrë nga zelli për përparim të vendit nuk do ta krijonte problemin e komunave serbe e as këtë të demarkacionit. Qeveritë e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje të merren as me problemin e ekonomisë pasi që kanë qenë të zhytura plotësisht në korrupsion dhe forma të tjera kriminale, nga të cilat kanë përfituar udhëheqësit dhe krunët e tyre. Prandaj, vetëm një qeveri e pakorruptuar mund t’i zgjidhë problemet ekzistuese.

SHENJA: Nëse konsiderojmë se dekriminalizimi si ofertë dhe diskurs politik po i jep frytet e veta dhe qytetarët po reflektojnë si në Kosovë me Lëvizjen Vetëvendosje, njashtu edhe në Maqedoni me Lëvizjen Besa, por sa premtues mund të jetë ky proces kur kemi parasysh sistemet e drejtësisë si në Maqedoni po ashtu në Kosovë janë të kapura? A dëmton apo përmirëson interferimi politik në “pastrimin” e gjyqësorit? A mund të bisedohet për një mekanizëm vetërregullues të gjyqësorit pa intereferime të theksueshme politike?

D. DAUTI: Në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes Besa ekzistojnë shumë ngjashmëri. Që të dyja kanë lindur si reaksion ndaj keqqeverisjes dhe padrejtësisë që ushtrohet në këto dy vende. Mbi të gjitha, këto dy lëvizje sulmohen në mënyrë të paskrupullt për të njëjtën arsye dhe pothuaj nga të njëjtit njerëz, të cilët janë pjesë e nomenklaturës së pushtetit të korruptuar dhe i cili nuk duron forca të reja që tentojnë ta ndryshojnë gjendjen e rëndë ekzistuese. Çfarëdo analize do të vërtetonte se sulmi ndaj këtyre dy lëvizjeve shërbehet me retorikë e cila në esencë është propagandë pro sllave.
Kjo propagandë agresive vjen nga frika e ndryshimeve që kanë partitë në pushtet në Kosovë dhe Maqedoni. Nga mosfunksionimi i drejtësisë mundësohet qëndrimi dhe ardhja në pushtet e politikanëve të korruptuar. Lëvizje Vetëvendosje dhe Besa kanë premtuar largimin e gjyqësorit nga ndikimi i politikës dhe kjo gjë i frikëson të korruptuarit.

Unë nuk besoj se duhet të ndodhë “pastrimi” i gjyqësorit siç kuptohet në opinion. Mjafton që ai, pas disa ndryshimeve të kuadrove, të vihet në një distancë ku nuk e arrin dora e politikës. Kjo nuk është punë e lehtë dhe nuk arrihet shpejt. Në fakt, në Maqedoni rregullimi i drejtësisë ka edhe një segment të komplikuar dhe që kërkon zgjidhje të shpejtë, pasi që ai ushtron diskriminim në baza nacionale, duke i vënë në shënjestër shqiptarët edhe në situata kur nuk kemi të bëjmë me ekzistimin e krimit.
Sistemi i drejtësisë (prokuroria dhe gjyqet) duhet të vendoset në sistem vetërregullues, ashtu siç është në shumë vende evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe, e cila merret si shembulli më i mirë në botë për funksionim të drejtësisë.

SHENJA: Situatë të njëjtë kemi edhe në Shqipëri. A mund të kemi një koalicion PD-PS, kjo në emër të reformave të sistemit të drejtësisë?

D. DAUTI: Kjo vërteton se zbatimi i drejtësisë është problem i të gjithë shqiptarëve. Nëse koalicioni PD-PS bëhet me qëllim që të arrihet sukses në zbatimin e reformave, atëherë ky fakt flet për pjekuri politike dhe dëshirë për ta zgjidhur problemin kryesor, gjë që duhet të na gëzojë. Megjithatë, ka edhe fakte që flasin se këto marrëveshje bëhen për t’i vonuar reformat. Të korruptuarit nuk dorëzohen lehtë para ndryshimeve dhe reformave. Ata e dinë se gjatë sundimit të tyre i kanë keqpërdorur institucionet e shtetit duke e lënë qytetarin larg nga dora e kujdesit. Ata e kanë mbyllur rrugën e qarkullimit normal të parasë publike për ta drejtuar në xhepat e tyre ose të grupeve të ngushta që ata u përkasin. Ata janë të vetëdijshëm se një veprim i tillë përfundon në ballafaqim me ligjin. Prandaj, nuk detyrohen lehtë të pranojnë reforma.

SHENJA: Britania e Madhe, e me theks të veçantë Anglia, ka pasur një rol të veçantë në themelimin e Shtetit Shqiptar dhe dizajnimin e Ballkanit. Si mund të shpjegohet interesimi jo aq i theksueshëm i diplomacisë britanike për Ballkanin, në krahasim me Gjermaninë dhe Rusinë që pas bombardimeve të NATO-s më vitin 1999?

D. DAUTI: Britanikët kanë treguar interesim të madh vetëm me rastin e pavarësimit të Greqisë dhe pastaj kanë hequr dorë nga Ballkani, në të cilin vend intervenonin vetëm në rastin e krizave të mëdha. Në Kongresin e Berlinit (1878) kryeministri konservator britanik, Benjamin Disraeli, e njohu çështjen shqiptare, për të cilën shprehu simpati, por po ashtu tregoi se Perandoria Britania nuk do të prishej me Perandorinë Otomane për shkak të shqiptarëve. Britanikët e mbronin Perandorinë Otomane për shkak se nuk dëshironin që Rusia të kishte dalje në Adriatik, Egje dhe Mesdhe, sepse u rrezikohej rruga për Indi dhe vende të tjera aziatike dhe afrikane, që ishin nën sundim të saj. Kjo ishte arsyeja që deri më 1912 britanikët nuk e përkrahnin kërkesën e shqiptarëve për autonomi ose pavarësi, e cila nënkuptonte largimin e osmanëve nga Ballkani dhe zhbërjen e Perandorisë.

Megjithatë, nga fillimi i shekullit XX e deri te luftërat ballkanike, qëndrimi britanik ndaj Ballkanit dhe osmanëve ndryshoi si rezultat i ndikimit të liberalëve, të cilët këtë çështje e shihnin nga prizma religjioze e jo nacionale. Politika liberale, të cilën e themeloi kryeministri William Gladstone gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX si kundërpërgjigje ndaj politikës konservatore joreligjioze, ishte pro-sllave dhe religjioze (pro e krishterë). Një politikë e këtillë rezultoi si e pafavorshme për ballkanasit, që nuk ishin sllavë dhe të krishterë.

Megjithatë, në Konferencën e Londrës britanikët e përkrahën pavarësinë e Shqipërisë, por nuk e zbatuan deri në fund parimin e shtrirjes etnike të shtetit shqiptar. Politika e jashtme e Edward Grey-it ishte neutrale dhe madhësia gjeografike e shtetit shqiptar doli si rezultat i pajtimit të Fuqive të Mëdha për të mos shkuar në luftë evropiane ose botërore për shkak të shqiptarëve. Pastaj, që nga luftërat ballkanike, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, e deri më 1997, kur erdhi në pushtet Tony Blair, britanikët ishin aleatë të paluhatshëm të Serbisë (Jugosllavisë) dhe Greqisë.

Tashti e kemi të qartë se lufta për çlirimin e Kosovës nuk do të bëhej pa angazhimin britanik. Sot britanikët mund të duken pasivë në Ballkan, por janë shumë më të interesuar dhe më të involvuar seç ishin më parë. Politika e jashtme britanike sot i sheh shqiptarët si faktorë të rëndësishëm në Ballkan. Por, ç’e do që nuk ishte kështu në fillim të shekullit XX kur Britania ishte superfuqi dhe sidomos tashti kur do të dobësohet edhe më tej pas largimit nga Unioni Evropian.

Rusia ka dëshirë, por edhe gjasa, që të përzihet në Ballkan. Por, në forma të ndryshme, amerikanët, por edhe britanikët, ia kanë bërë me dije Moskës se përzierja saj do të jetë e limituar. Ndoshta ky është kontributi më çmueshëm i britanikëve për Ballkanin. Britania e Madhe vazhdon ta ndihmojë Kosovën, Shqipërinë, por edhe Maqedoninë në forma të ndryshme. Natyrisht që ndihma (ekonomike dhe kulturore) ose angazhimi britanik në forma të tjera është më i vogël se ai amerikan dhe gjerman. Angazhimi i Londrës shpesh mund të mos hetohet edhe për shkak se britanikët bëjnë më pak zhurmë se të tjerët.

Postime të Ngjajshme