` . Dalldisje pas pushtetit - TV SHENJA

Dalldisje pas pushtetit

Kërkohet miratimi i një rezolute nga Kuvendi i Maqedonisë, me të cilën dënohet gjenocidi kundër popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912-1956. Politikanët shqiptarë më nuk e përmendin këtë rezolutë. E kanë vendosur në sirtarin e harresës. Edi Rama në fushatë e përdorte termin “parti tepsish”, që angazhohen për poste e jo për koncepte dhe parime politike.

Shkruan: Sefer TAHIRI, SHKUP

Ku mbeti Deklarata apo Platforma e Partive Politike Shqiptare? Kjo është pyetja, të cilën si në kor e shtrojnë jo vetëm qytetarët, por edhe intelektualë e analistë të ndryshëm, të cilët me të drejtë kërkojnë përgjegjësi nga subjektet shqiptare nënshkruese të Deklaratës! Ku mbeti Deklarata, a u bë pjesë e programit qeveritar, në çfarë kapaciteti do të zbatohet, kush garanton se nuk do të ketë devijim prej saj? Shqetësimet janë reale, por kjo deklaratë nuk duhet stërmadhuar, glorifikuar ose hiperbolizuar. Nëse bëhet kjo, atëherë të gjithë bien në kurthin e VMRO-DPMNE-së dhe strategjisë së saj, e cila pas 29 janarit, kur BDI-ja bëri publike se nuk do të jetë pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në dhe Nikolla Gruevkin, pikërisht këtë deklaratë e kishte lajtmotiv për t’i bërë thirrje popullit maqedonas që të dalë në protesta për ta mbrojtur gjoja shtetin, sepse Maqedonia – sipas Gruevskit – ishte sulmuar. Deklarata, e njohur edhe me emërtimin “Plaforma e Tiranës”, tashmë në heshtje po hiqet nga agjenda politike nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase, si ajo e pushtetit, ashtu edhe ajo e opozitës. U harruan fjalët e mëdha nga pala shqiptare se ajo do të avancojë dhe barazojë dukshëm shqiptarët në shtetin e Maqedonisë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja dhe satelitët e saj e harruan fjalorin se Platforma ka për qëllim shkatërrimin e Maqedonisë.

Platforma shqiptare për integrim dhe drejtësi

Por, Platforma, e mbështetur nga BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, përmban 7 pika, prej të cilave vetëm e para i përket ekskluzivisht statusit të shqiptarëve, pavarësisht që është një dokument që krijon mekanizëm për barazinë e qytetarëve dhe demokratizimin e shoqërisë, një proces i reformimit të sistemit politik dhe juridik, në kuptimin e riinstitucionalizimit dhe krijimit të shtetit demokratik.

Isen Saliu është kryeredaktor në të përditshmen “Lajm”. Ai nuk beson se Deklarata do të respektohet deri në fund, pavarësisht që është një pikë orientuese për t’u parë se çka duhet të realizojnë partitë e pushtetit. Saliu thotë se tentimet që ajo të prezantohet si kërcënim për dikë ishin për ta defokusuar vëmendjen e opinionit nga drejtësia dhe transferimi i pushtetit, sepse ajo i përmban pikat e Marrëveshjes së Ohrit. Përveç zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe, gazetari Saliu veçon se marrëdhëniet ndëretnike duhet të konsolidohen pas degradimit disavjeçar, që janë kusht për integrimin e Maqedonisë, një proces nga i cili nuk fitojnë vetëm shqiptarët. “Deklarata kërkon edhe zhvillim të barabartë rajonal, i cili është interes i rajoneve të pazhvilluara në Maqedoni, por edhe kjo çështje ose fushë është lënë në plan të dytë”.

Edhe për analistin politik Xhelal Neziri është e pakuptimtë se si tentohej qëllimisht të promovohej se ajo ka për qëllim ta homogjenizojë spektrin politik shqiptar që t’i krijojë probleme etnosit maqedonas, ngase realisht pjesa më e madhe e Deklaratës u referohet nevojave të të gjithë qytetarëve. Andaj, sipas tij, heshtja e përmbajtjes së saj nuk justifikohet, aq më tepër që u promovua me shumë pompozitet nga partitë shqiptare, ndërsa pas përfshirjes në pushtet sikur u hesht. Neziri mendon se satanizimi i Deklaratës ishte vetëm alibi i VMRO- DPMNE-së që t’i kundërvihet LSDM-së, veçanërisht pas orientimit të saj inkluziv në planin etnik dhe religjioz. Kjo Deklaratë u përdor nga VMRO- DPMNE-ja që të frikësohen maqedonasit se shqiptarët gjoja bëjnë plane kundër Maqedonisë. “Deklaratat nacionaliste edhe të disa politikanëve shqiptarët, si duket, e bënë më të besueshme tezën joreale të VMRO- DPMNE-së, që çoi drejt minimi të terrenit të krijuar për një vendim të qartë politik për mbylljen e çështjeve të hapura ndëretnike.”, komentoi Neziri. Ndërkaq sipas gazetarit Saliu, fakti që me hyrjen në qeveri partitë shqiptare e harruan Platformën shqiptare, dëshmon qasjen e tyre institucionale-politike. “Disa qarqe politike shqiptare janë mësuar të funksionojnë si pjesë e pushtetit vetëm mbi bazën e nevojave të tyre personale, e jo mbi bazën e dokumenteve të shkruara dhe të firmosura”, vlerëson Saliu. Në fakt, programi qeveritar i Zoran Zaevit i ka përfshirë vetëm dy pika të Deklaratës, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me statusin e shqiptarëve: përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe zhvillimin e barabartë rajonal, ndërsa pjesë e saj janë edhe integrimi euroatlantik, marrëdhëniet me fqinjët dhe funksionimi i shtetit juridik, që janë interes publik i të gjithë qytetarëve.

 

Rezoluta kundër gjenocidit nuk përmendet më!

 

Në Deklaratë qëndron edhe një kërkesë e cila krijoi më shumë komente negative në publikun maqedonas. Në fakt, kërkohet miratimi i një rezolute nga Kuvendi i Maqedonisë, me të cilën dënohet gjenocidi kundër popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912-1956. Por miratimi i kësaj rezolute hap shumë dilema, veçanërisht për shkak të faktit që në periudhën më të madhe të historisë, për të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit, Maqedonia nuk ka ekzistuar si shtet. Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, konsideron se ballafaqimi me të kaluarën është model evropian dhe, si i tillë, duhet të zbatohet edhe në Maqedoni, sepse pa atë çdoherë do të ketë probleme. “Për dënimin e këtillë eventual në forma të ndryshme duhet të konsultohen historianët dhe profesionistët e fushës, që rezoluta kundër gjenocidit të jetë më e argumentuar. Deklarata e partive shqiptare në lidhje me dënimin e gjenocidit duhet të plotësohet dhe konkretizohet. Duhet të formohet një komision i përbashkët shqiptaro-maqedonas, në të cilin do të marrin pjesë profesionistë të ndryshëm të fushave përkatëse, të cilët punojnë në institucionet shkencore.”, tha Asani.

Ndërkaq publicisti Bardhyl Zaimi konsideron se Rezoluta është oologjike, për shkak të faktit se përfshin një periudhë për të cilën nuk dihet se prej kujt të kërkohet përgjegjësi dhe, si e tillë, është shumë konfuze. “Rezoluta nuk ka një adresë të qartë, për shkak se flitet për një periudhë historike të pushteteve të mëparshme represive, pa u saktësuar përgjegjësia. Kufizimi i periudhës deri në vitin 1956 realisht do ta përjashtojë njërën nga periudhat më të dhimbshme të shqiptarëve, kohën e elaborateve të Çubrilloviqit, përkatësisht Rankoviqit, e cila ka pasoja fatale edhe për shqiptarët e Maqedonisë, për shkak të dëbimit të dhunshëm nga vatrat e tyre në Turqi.”, analizon Zaimi. Ai nuk është i sigurt se çfarë mund të arrihet me këtë Rezolutë, si është menduar ajo, çfarë synimesh ka, ndërsa edhe periudha historike është shumë e paqartë.

Historiani Besnik Emini pajtohet me qëndrimin se Rezoluta nuk është saktësuar, por shteti mund t’i njohë viktimat dhe vuajtjet e këtyre hapësirave. “Pavarësisht se veprat i ka kryer shteti ose institucionet e tij në një periudhë të caktuar, mund të ndërmerren hapa konkrete në këtë drejtim. Për shembull, Maqedonia ka dhënë kontribut për njohjen e Holokaustit, edhe pse atëherë nuk ka ekzistuar. Ne sot kemi në Shkup një muze të Holokasutit, Ligjin për kthimin e pronave të hebrenjve, ndërsa e kemi edhe Fondin e Holokaustit. Pastaj në Shkup e kemi edhe Muzeun e Viktimave të Komunizmit, përmes të cilit shteti distancohet nga veprat pas vitit 1945. Emini thotë se vetë shtetet ndërtohen mbi bazën e konstatimit të padrejtësive të mëhershme, që janë realizuar, sepse nëse gjendja ka qenë e shkëlqyer, nuk do të kishte nevojë për ndarje ose pavarësim. Por, prej kohës kur u nënshkrua kjo Deklaratë, thuajse askush, as politikanët, nuk e përmendin më këtë Rezolutë. E kanë vendosur në sirtarin e harresës. Edi Rama në fushatë e përdori një term për LSI-në, duke e quajtur “parti tepsish”!

 

 

 

 

Postime të Ngjajshme