` . Çshenjtërimi i së shenjtës - TV-SHENJA

Çshenjtërimi i së shenjtës

Shenjtërimi i të tjerave gjëra ose edhe i vetë njeriut, është tregues i nevojës që ndjen njeriu për t’i veshur gjendjet me një frymë që qëndron përtej njeriut. Është tjetër histori deformimi që i bëhet së shenjtës nga shenjtërimi që merr përsipër ta realizojë njeriu për të përmbushur boshllëkun që endet brenda tij nga mungesa e prezencës së të shenjtës. Kjo histori ngjitet në skenë për shkak të vetë shenjtërimit

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Çfarë konsiderohet e shenjtë dhe çfarë është e tillë janë dy gjendje krejt të ndryshme. Njerëzit mund të shenjtërojnë gjëra nga më të pabesueshmet. Po kështu mund të kalojnë edhe drejt vetë shenjtërimit. Natyrisht, që gjendje të kësaj natyre kanë qenë dhe janë prezente. Njeriu, me zgjedhjen mbi mënyrën e të jetuarit dhe me vendimet që merr për ta jetësuar këtë mënyrë të jetuari, përpiqet të jetë gjithmonë në qendër, për të thënë që unë – njeriu – jam autoriteti që vendos se çka do të bëhet me jetën time.

Shenjtërimi i të tjerave gjëra apo dhe i vetë njeriut është tregues i nevojës që ndjen njeriu për t’i veshur gjendjet me një frymë që qëndron përtej njeriut. Është tjetër histori deformimi që i bëhet së shenjtës nga shenjtërimi që merr përsipër ta realizojë njeriu për ta përmbushur boshllëkun që endet brenda tij nga mungesa e prezencës së të shenjtës. Kjo histori ngjitet në skenë për shkak të vetë shenjtërimit.

Po ç’është e shenjta? Kush e përcakton shenjtërinë e së shenjtës? E shenjtë është ajo që tradita e ka përcaktuar si të tillë qysh nga hershmëria e historisë së njeriut mbi tokë. Po ç’është tradita? A mbart tradita vetëm kuptimësinë e zakonshme me të cilën e shpjegojmë rëndom?

Personalisht, jemi më se të vendosur të mos e njohim si pjesë të traditës atë çka shfaqet thjesht dhe përjashtimisht e natyrës njerëzore…(Guenon. R. (2009) Kriza e botës moderne. Tiranë: Logokron, f. 57)

E shenjta dhe shenjtëria, që përcaktohen prej traditës, nuk mund të zbatohen mbi të tjera gjëra ose vetë njeriun, për aq sa nuk njihen dhe pranohen prej traditës. Kësisoj, tradita e ka përcaktuar qartë kuptimësinë e së shenjtës dhe shenjtërisë. Në këtë mes njeriu nuk është as më shumë e as më pak, vetëm se përnderues i saj, dhe jo autoriteti që i jep shenjtëri së shenjtës. Me ç’duket, kuptimësia e traditës, kuptimësia e së shenjtës dhe shenjtërisë, që buron prej traditës, tek shumë syresh ose mungon ose është zbehur e venitur deri në atë pikë, saqë vështirë ta dallosh panoramën që të shfaqet përballë, kur dihet se tradita është e qartë në frymën e vet dhe nuk mund ta vendosë njeriun në një gjendje të mjegulluar. Tradita e ka substrat qartësinë, pastërtinë dhe është si uji i kulluar e qelibar përmes të cilit mund ta shohësh tabanin ku rrjedh. Ky tipar shques dhe thelbësor i traditës është kandili që nuk lejon assesi të humbësh udhë dhe të rravgosh në dhjetëra ose qindra rrugica për ta gjetur kuptimësinë e humbur të traditës.

Pyetja që duhet të shtrojë çdokush që i qëndron besnik traditës është, në ç’raport qëndroj unë me të shenjtën dhe shenjtërinë?

Në çfarëdo situate që të përfshihet, në çfarëdo vështirësie që të vendoset, në çfarëdo gjendje që të bjerë, njeriu nuk duhet ta harrojë kurrsesi këtë pyetje thelbësore. Harrimi është një proces i natyrshëm. Njeriu, me ose pa dashjen e vet, nxjerr nga kujtesa ngjarje e njerëz. Por, nuk mund të nxjerrësh nga kujtesa të qënit gati dhe përgjegjshmërinë që janë dy elementë qënësorë në përkohësi për njeriun.

Nëse njeriu pretendon të jetë ndjekës i traditës, atëherë duhet me qenë i përgjegjshëm në fjalë dhe veprime, që ta dëshmojë qartë përkatësinë. Dëshmimi i përkatësisë nuk duhet të ketë për qëllim mburrjen përballë njerëzve, por shpalosjen e lartësisë ku mund të mbërrijë njeriu nëse i bindet me sinqeritet traditës.

Është e natyrshme që jo të gjithë njerëzit do të qëndrojnë në të njëjtin nivel kuptimësie dhe përnderimi ndaj asaj që e ka përcaktuar tradita si të shenjtë. Por nuk mund të luhet me shenjtërinë e së shenjtës. Nëse hyn në shtëpinë e traditës, duhet ta pastrosh vetveten nga pluhuri dhe balta me të cilin ke mbërritur aty. Duhet të lësh mënjanë veshjet e së shkuarës, frymën me të cilën ke jetuar para se ta merrje këtë udhë. Ti nuk je një mysafir i rastësishëm nëse ke hyrë në shtëpinë e traditës. Nëse ke hyrë aty ku e shenjta dhe shenjtëria duhen përnderuar, kthjellohu për realitetin ku tashmë gjendesh dhe që me vullnetin tënd e ke pranuar.

Ka syresh, që edhe pse mëtojnë të jenë pjesë e traditës, nuk arrijnë të ngrihen në lartësinë e përgjegjshmërisë që e kërkon ndjekja dhe praktikimi i saj. Kanë hyrë në shtëpinë e traditës, por nuk e kanë hedhur tej të shkuarën. Baltën, rrjetat e merimangave, blozën, tymin dhe nxirjen prej tij e kanë sërish me vete. Kësisoj nuk arrijnë ta ndiejnë aromën e traditës, parfumin e shenjtërisë. Në vend që ta respektojnë pastërtinë e së shenjtës, ata e respektojnë egon e tyre, që ende nuk është tronditur nga bukuria e traditës. Rrjedhojat e këtij qëndrimi, aspak të përgjegjshëm, nuk e ndotin të shenjtën, nuk e rrëzojnë shenjtërinë, por e ngarkojnë me përgjegjësi syresh, që hyrjen në shtëpinë e traditës e marrin për hajgare.

Ky çshenjtërim i së shenjtës do të rëndojë mbi supet e syresh, që mëtojnë ndjekjen e traditës. Do të rëndojë shumë, madje, nëse me joseriozitetin e tyre largojnë të tjerë njerëz nga hyrja në shtëpinë e traditës. Ndoshta nuk e kuptojnë aty për aty pozitën e vështirë në të cilën gjenden në raport me të shenjtën dhe shenjtërinë, por është krejt e sigurt se edhe aty ku kuptojnë diçka nga joserioziteti tyre, kërkojnë justifikime në vend që të reflektojnë dhe të sakrifikojnë për të qëndruar në kufijtë që i përcakton tradita.

Nëse duan jo të përnderojnë traditën, të shenjtën, shenjtërinë, por të pastrojnë vetvetet, rruga e vetme është zhbërja e çshenjtërimit të shenjtërisë. Kompromise nuk mund të ketë.