` . COVID-19 vs Ekonomia;...a posteriori!!! - TV-SHENJA

COVID-19 vs Ekonomia;…a posteriori!!!

Shkruan: Driton Demiri

Virusi tashmë ka mbërritur, edhe pse jemi vend ende me rrezik të ulët, vazhdojmë të jetojmë me të. Eventet anulohen, shkollat e çerdhet mbyllen, veprimtaritë e shërbimit po ashtu, frekuentimi reduktohet deri në atë masë për të parandaluar virusin. Përtej kësaj, ekonomia shqetësohet, trazohet dhe çrregullohet!

Nuk ka vend për asnjë shaka!

Në kuptim të plotë të fjalës, kjo është një “luftë” ku virusi ka një avantazh të dukshëm. Progresi i këtij virusi patjetër duhet parandaluar dhe nuk ka mënyrë tjetër veçse kujdes e të jemi sa më të përgjegjshëm e të disiplinuar. Është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne! Në këtë pandemi shëndetësore globale tani për tani, ajo çka është më e rëndësishme është të qëndrojmë e të veprojmë si njerëz, të shëndetshëm dhe pa shkaktim paniku. Kujdes dhe masa në kohë si dhe gatishmëri për t’iu përgjigjur rekomandimeve: pastërti maksimale, izolim dhe sa më pak kontakte! Kujdesi tërësisht tërheq vëmendjen, bashkëpunimin si dhe përpjekjen e paepur për t’ia dalur.

Si të përshtatet ekonomianga rrethanat e shfaqura të COVID-19?!

Natyrisht, nga këndvështrimi aktual, asnjë problem konkret dhe pa humbje për ekonominë e vendit. Sa për tani, me disa shqetësime për mikro biznesin e shërbimit, me rënie konsumi si dhe luhatje kostosh me rritje të lehtë për mallra dhe artikuj që janë target i konsumatorëve, porse herët a vonë nëse trendi do shkojë drejt rritjes së rrezikut padyshim se, do të ketë pasoja të mëdha për një kohë të gjatë. Po kështu nënvizoj se, nuk jemi një ekonomi e vetë mjaftueshme, që nënkupton varësinë nga importi i mallrave. Prioritet është, për të bërë të mundurën e qasjes më racionale për furnizim sa më racional të sasisë së mallrave që çdo qytetar, çdo amvisëri të marrë mallra të mjaftueshëm. Një nga zgjidhjet për furnizim të mjaftueshëm është tek limiti; nëse kostot e mallrave do të limitohen atëherë domosdo të limitohen dhe sasitë në blerje. Nëse kostot lejohen të rriten atëherë lejohet që tregu vetvetiu të rregullohet!

Në këtë momentum krize shëndetësore kur gjithandej diskutohet për situatën emergjente të pandemisë globale duke u bërë rrezik për njerëzimin ajo, sa për ilustrim, në nivel global aq më tepër në vendet e Europës është duke shkaktuar sërë pasojash ekonomike si rezultat i mungesës së llojeve të ndryshme të mallrave, pjesërisht për shkak të blerjes nga paniku por edhe për shkak të shqetësimit të bizneseve dhe gabimeve në logjistikën e tyre.

Ndërsa, Kina po tregon që mundet të përballojë e të fus nën kontroll këtë krizë shëndetësore virale, disa vende si Italia para se gjithash, Gjermania, Franca, Spanja, SHBA-të, Irani, Hong Kong, Korea Jugore etj. janë të prekura veçanërisht nga zbrazja masive e rafteve në shoping qendrat, veçmas kur bëhet fjalë për ato më elementaret: artikuj ushqimor, ujë, barna dhe higjienë.

Ndërkohë, pikë së pari ajo që është më e rëndësishme është se, ekonomia patjetër të funksionojë e të mbijetojë nga vetja, pa histeri të veprimit të saj. Në këtë rast, shfrytëzimi i input-eve dhe output-eve nga inventari për t’iu ofruar konsumatorit është një prioritet i domosdoshëm. Rezervat shtetërore me theks të veçantë rezervat e arit përmes efektit të a.q “safe haven”(strehës së sigurt) për investim në planin afatgjatë janë kusht i parë i të qenurit mjaftueshëm të gatshëm e të përgatitur për të ndërmarrë masa për të zvogëluar rrezikun ndaj rezervave devizore si dhe rrezikun për një shpërthim të mundshëm të ndonjë inflacioni( derisa rritet kërkesa për mallra rriten dhe kostot), e pastaj edhe të një krize ekonomike të mallrave në produkte ushqimore.

Çka do ndodh me likuiditetin: pagesat në taksa, qira, punëtor, sigurime, kontribute, stimujt dhe lehtësimet në taksa e tatime të bizneseve të vogla dhe të mesme?! Si të mbështetet ekonomia?

Derisa BE-ja projekton një fond të investimeve prej 25 miliardë eurosh, BERZH një miliardë euro banka federale e SHBA-ve 50 miliard dollar si në urgjencë, si në ndihmë si në solidarizim për biznesin kjo i bën mirë procesit si dhe imponon imperativ për të mënjanuar implikimet kolosale në vijim. Tek ne, është herët të flitet se si e nga ku të fillojë mbështetja dhe lehtësimet në taksa e tatime, meqë masat preventive si dhe progresi viral nuk dihet sa do zgjas. Jemi ekonomi vulnerabël! S’jemi BE as SHBA dhe se, patjetër të intervenojmë aty ku e do nevoja si dhe të veprojmë në përputhje me situatën, që do të thotë vlerësim maksimal për çdo instancë të biznesit siç që është(dhe aq sa është) edhe biznesi i madh i cili në një pjesë të madhe po ashtu varet nga importi.

Përveç kësaj, vendosja e rregullave të veçantapër të punësuarit në privat ashtu edhe në publiksi dhe konsumatorët për të qenë edhe më të përgjegjshëm  janë shumë domethënëse në këtë periudhë. Modeli kinez disiplinues është tregues më i mirë: rekomandimi për të punuar nga shtëpia në domen të shlyerjes së pagesave on-line  në taksa, paga dhe sigurime të punëtorëve, pagesa të furnizuesve, blerjeve në mallra on-line, mësimdhënies on-line dhe ashtu me radhë.

Sigurisht, na nuk jemi Kinë, në këto kondita, çështjet tek ne janë disi të komplikuara dhe të pamundshme! Prandaj,në këtë drejtim asgjë nuk mund të ndryshojmë, asgjë nuk varet nga ne! Kështu që, le të presim për çik kohë nga se ende nuk dimë në çfarë shkalle është rreziku, përndryshe mund vetëm të hamendësojmë. Më me rëndësi është të shpëtojmë kokat thjesht thënë në shpatullat tona, e më pastaj të mendojmë për pasojat ekonomike. Porse, vështirësitë dhe dëmet do të jenë më se evidente dhe për fat të keq do të jenë shumë më të mëdha nga sa duken.

Kriza ekonomike globale dhe kriza shëndetësore- paralelja në tre “rreshta”!

Shkurtimisht, për shembull, le ti referohemi krizës së kolateralëve të vitit 2008 në SHBA e cila ishte kryekëput financiare dhe u shkaktua për mungesë likuiditeti të bankave komerciale e që më pastaj pasoi në krizë financiare globale. Thjesht për pasojë, klientët nuk qenë në gjendje ti kthejnë kreditë e marra! Bankat u’a konfiskuan patundshmëritë e, nuk arritën ti shlyejnë shitjet me kosto të duhur dhe rrethanat degjeneruan në jo likuiditet. Sistemi bankar u gjunjëzua në atë masë saqë solli deri tek humbjet drastike në sistemin e sigurimeve, indekset e bursave ranë dhe si rrjedhojë ekonomia ra në recesion.

Sot, kriza shëndetësore“ante portas” paralajmëron të njëjtën; kolapsin e likuiditetit financiar në treg, vështirësitë në tregti përkatësisht export-import-in e mallrave, transportin në përgjithësi, ngecjen e turizmit sidomos edhe rënie të bursave. Investitorët në Wall Street tashmë paralajmërojnë druajtjen nga rrëshqitja e mundshme në recesion të ekonomisë globale si rezultat i pandemisë globale virale COVID-19. E hëna e zezë sapo u përjetua!

Në thelb, mendoj se, sipas disa parametrave të përhapjes së virusit si dhe sipas paralajmërimeve të lartë përmendura të efekteve negative financiarede factoekonomia globaleveç më është në krizë.